Në 30-vjetorin e Shkollës teologjike – hieratike, Durrës (1992-2022).
Le të vazhdojmë ëndrrën e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës,
Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasit!
“Gjërat e pamundura për njeriun janë të mundura për Perëndinë” (Lk.18:27).
Ky është një nga mësimet që na ka dhënë Zoti dhe Shpëtimtari ynë Jisu Krisht. “Unë mund të bëj gjithçka me anë të Jisu Krishtit që më fuqizon” (Fil. 4:13) na siguron edhe Apostulli i madh i kombeve, Pavli, i cili ka lënë gjurmë të apostullimit të tij edhe në vendin tonë.
Por akoma më të prekshme, më të gjallë na e bën këtë madhështi të fuqisë së Perëndisë kryebariu ynë i dashur, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasi. Ai vetë na ka treguar se në fillim shumë miq të tij të ngushtë, si edhe shumë njerëz këtu në Shqipëri i thoshin: “Këtu në Shqipëri nuk bëhet asgjë”. Por kryebariu ynë nuk u zmbraps në ligështinë e besimit të tyre. Qëndroi, dhe me shumë këmbëngulje, me shumë sakrifica, me shumë mundime, me shumë lodhje, me shumë vuajtje, me shumë dhimbje dhe patjetër me shumë lot, arriti të ringjallë Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Këtë të gjithë ne e shikojmë në veprat të cilat Ai ka ngritur dhe në gjithë punën baritore dhe bamirëse që ka bërë gjatë këtyre 30-vjetëve, jo vetëm në dobi të Kishës sonë, por edhe në dobi të gjithë vendit dhe shoqërisë shqiptare. Dhe ne e dimë se pas kësaj pune kolosale fshihet një shtysë e fuqishme, fshihet besimi se “të gjitha janë të mundshme me Perëndinë”.
Vepra më e madhe dhe më e rëndësishme që Kryepiskopi ynë ka ngritur, mund të themi me siguri të plotë që është Akademia Teologjike “Ngjallja e Krishtit”. Më 7 shkurt ne kujtojmë 30-vjetorin e themelimit të saj, dikur të quajtur “Seminari Orthodhoks”.
Në historinë e popullit të Izraelit shumë herë tregohet se Perëndia urdhëronte Moisiun, Profetët, Mbretin, që pas ndonjë mrekullie të vinin disa gurë të mëdhenj, apo të ndërtonin një përmendore në mënyrë që kur brezat e ardhshëm, që do të pyesnin “pse janë këto”, t’u tregohet për atë që ka bërë Perëndia për popullin e tij të zgjedhur. Kështu edhe ne sot kremtojmë 30-vjetorin e Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, jo thjesht për të parë çfarë ka ndodhur në këto 30 vite, por për të treguar se çfarë ka bërë Perëndia gjatë këtyre viteve në Seminarin dhe në vazhdimësi në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” dhe sot Departament i Teologjisë dhe Kulturës të Kolegjit Universitar “Logos”. Dhe akoma më shumë, çfarë ka bërë të mundur Perëndia me anë të besimit të një njeriu të vetëm, Kryebariut tonë Imzot Anastasit.
Le të hedhim një vështrim të shkurtër të këtyre 30 vjetëve të Akademisë Teologjike:
Ndoshta nuk e kemi vënë re, por fillimi i Akademisë Teologjike, atëherë Seminari Hieratik, shënon datën 7 Shkurt 1992, afërsisht gjashtë muaj para fronëzimit të kryebariut tonë, si Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Kjo tregon edhe njëherë urtësinë e tij dhe besimin e tij. Urtësinë e tij, sepse pikërisht nis veprën e tij të parë Seminarin Hieratik, duke ditur se pikërisht këta seminaristë që do të mbaronin këtë shkollë, do të ndihmonin në nevojat urgjente që kishte Kisha jonë dhe në atë që ishte më e rëndësishme në jetën e Kishës: klerikë dhe kuadro të përgatitur që do të shërbenin për të përmbushur veprën shpëtimtare të Kishës së Krishtit.
Dhe nga ana tjetër tregon besimin e tij të madh, se “të gjitha gjërat janë të mundura me Perëndinë”, pavarësisht se të gjitha gjërat i thoshin të largohej, pavarësisht se ai nuk ishte zgjedhur akoma Primati i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Kujtojmë se Seminari Hieratik filloi më 7 Shkurt 1992 në hotelin “Niko Bellojani” në plazhin e qytetit të Durrësit. Kushtet ishin të vështira si fjetja, ushqimi, akomodimi, por edhe vështirësi në mungesën e literaturës (kishtare) teologjike. Numri i studentëve të ardhur nga të katër dioqezat ishte 54 studentë dhe drejtor i tij ishte At Ilia Ketri, episkop i Filomiliut, i cili u rikthye përsëri në drjetimin e Akademisë në vitin 2003.
Studimet vazhduan në këto kushte kaq të vështira për afro pesë vjet, për të filluar në tetor të vitit 1996 në ambientet e reja e mjaft komode të Akademisë Teologjike, në ambientet e Manastirit të Shën Vlashit, Durrës. Në vitin 1997 Kryepiskopi Anastas mori një iniciativë të re, atë të pranimit të vajzave si studente të Akademisë. Një hap tjetër i rëndësishëm që ndikon në ngritjen e nivelit akademik, ishte që programi mësimor të zgjerohej në katër vjet me qëllimin dhe perspektivën për t’u ngritur në rang universitar.
Dua të ndalem në veçanti për rëndësinë dhe ofertën që ka bërë Akademia Teologjike “Ngjallja e Krishtit” gjatë këtyre 20 vjetëve.
Pa hezituar dhe pa e tepruar Akademia Teologjike përbën bazën e themelit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Më lini të shpjegohem më qartë për këtë.
Klerikët e dalë nga bankat e kësaj Akademie, janë ata të cilët, në këto vite kanë punuar me vështirësi dhe sakrifica për të përhapur lajmin e gëzuar të shpëtimit. Nga duart e tyre me mijëra e mijëra njerëz janë bërë anëtarë të Kishës Orthodhokse. Kanë marrë hirin e Perëndisë, kanë gjetur gëzimin dhe shpresën e Tij. Shumë të tjerë që kanë fjetur, janë përcjellë për në jetën e përjetshme me gëzimin dhe shpresën e Ngjalljes. Sot shumë persona të pagëzuar janë anëtarë aktivë në Kishë, disa prej tyre i janë përgjigjur thirrjes së Perëndisë për të vazhduar edhe ata studimet në Akademi dhe më pas edhe ata të ndihmojnë të tjerë të gjejnë rrugën e mbretërisë së Perëndisë, ashtu siç ndodh ditën e Ngjalljes, ku ne i ndezim qiririn njëri-tjetrit. Këtë gjë, Kryepiskopi ynë i dashur shumë herë na e përmend dhe na e thekson vazhdimisht, që “secili prej nesh duhet të jetë një llambadhe që do të përcjellë dritën dhe gëzimin e Ngjalljes tek të tjerët”.
Kujtomë këtu që tre nga episkopët e rinj të Sinodit të Shenjtë, kanë mbaruar studimet në këtë Akademi. Kjo na gëzon dhe na nderon shumë. Por nuk është kjo e vetmja ofertë e Akademisë. Nga 337 studentë që kanë mbaruar studimet, 169 janë dorëzuar klerikë dhe kanë kryer edhe vazhdojnë të kryejnë shërbesën e bariut, veç atyre që kanë fjetur më Zotin dhe shërbejnë në altarin qiellor. Të tjerët kanë punuar për vite të tëra, në kushte të vështira, si katekistë në gjithë zonat e vendit tonë për të ndihmuar klerikët dhe Kishën në veprat e saj, në shërbesën e saj. Ne i falënderojmë për punën e tyre baritore. Sa fëmijë, të rinj, burra e gra janë nxitur prej tyre të gjejnë besën e vërtetë dhe të bëhen anëtarë të Kishës së Krishtit.
Por edhe ata të cilët kanë punuar dhe punojnë si drejtues dhe organizues të grupeve rinore, në zyrën e fëmijëve, në qendrën studentore, janë studentë të kësaj Akademie. Akoma dhe në shkollat fillore, në kopshte, në shkollat e mesme, në Kolegjin Universitar “Logos”, në administratën e Hirshme të Tiranës dhe në Mitropolitë e Shenjta, ka pasur dhe ka punëtorë të cilët kanë mbaruar studimet në Akademinë tonë dhe shërbejnë në to.
Ka edhe të tjerë të cilët për arsye të ndryshme nuk punojnë Brenda Kishës Orthodhokse ose janë larg vendit tonë, jam i sigurt se kujtojnë me nostalgji dhe respekt studimet e tyre në Akademi dhe me jetën dhe fjalën e tyre përçojnë bukurinë e besimit tonë tek të tjerët.
Nuk dua të harroj një nga arritjet më të mëdha të kësaj Akademie. Kjo është pikërisht që sot shumica e pedagogëve dhe klerikëve që japin mësim kanë qenë dikur studentë të saj, por me bursën e Fortlumturisë Tij, Kryepiskopit Anastas, kanë vazhduar studimet e mëtejshme teologjike në shkollat e larta të Greqisë dhe janë kthyer më pas për të shërbyer në Akademi. shumica prej tyre vazhduan dhe përfunduan studimet e tyre pasuniversitare. I falënderojmë ata për kontributin e tyre.
Ajo çfarë ka ofruar Akademia Teologjike është me të vërtetë shumë e madhe patjetër së pari për vetë Kishën tonë Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, dhe së dyti për të gjithë vendin dhe shoqërinë shqiptare. Vetëm ngjallja e besimit dhe shpresës në zemrat e njerëzve, është dhurata më e madhe e Akademisë për gjithë vendin tonë. Pa përmendur këtu ndihmesën dhe rolin e ish-studentëve të saj në jetën edukative, sociale, bamirëse të banorëve të vendit tonë pavarësisht besimit të tyre. Akoma edhe vetëm 337 studentët e saj janë një ofertë e madhe për Kishën Orthodhokse dhe popullin shqiptar.
Kemi sigurinë se të gjithë këta të cilët kanë mbaruar studimet në këtë Akademi dhe kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë në vreshtin e Krishtit, por edhe ata të cilët punojnë diku tjetër në punën e tyre kanë parë fuqinë e Perëndisë dhe mund të thonë me zë të lartë “Po, të gjitha janë të mundshme me Perëndinë”. Përgëzojmë të gjithë këta ish studentë të cilët janë sot episkopë, klerikë, pedagogë, katekistë, punonjës apo besimtarë të thjeshtë për punën e tyre, me të cilën ata kanë nderuar dhe nderojnë Akademinë Teologjike.
Dua të kujtoj me shumë respekt dhe mirënjohje të gjithë ata pedagogë që kanë ardhur nga vende të tjera si Greqia, Amerika dhe kanë shërbyer dhe shërbejnë në Akademi, për një kohë të gjatë ose të shkurtër, Perëndia i shpërbleftë për punën e tyre.
Në mënyrë të veçantë dua të kujtojmë ata të cilët kanë luajtur rolin kryesor në përgatitjen e studentëve të kësaj Akademie dhe pikërisht drejtuesit e saj. Duke shërbyer për afro 12 vjet në këtë Akademi, e kuptoj se sa shumë janë lodhur dhe munduar për të përmbushur shërbesën e tyre në drejtimin e Saj. Por tek ata gjithmonë kemi parë besimin se “të gjitha gjërat janë të mundura me Perëndinë”.
Kujtojmë me shumë respekt e mirënjohje drejtuesit e kësaj Akademie së pari: Hirësi Ilia Katre, i cili ka qenë drejtuesi i parë i Seminarit Orthodhoks dhe shërbeu për shumë vite, pavarësisht detyrimeve të tij baritore në Amerikë. Dhe në vazhdimësi falënderojmë Mitropolin e Korçës, Imzot Joanin, për gjurmë të forta ka lënë në drejtimin e Akademisë, si edhe për mbështetjen e vazhdueshme të veprës së Saj. Gjithashtu falënderojmë, Atë Teologun dhe atë Efremin nga manastiri i Simono Petrës dhe Atë Luka Veronin, të cilët i kujtojmë me shume mirënjohje dhe falënderim.
Kujtojmë dhe shërbëtorët e Perëndisë, episkopin e Apollonisë Imzot Kozmain, Teologët Dhimitër Beduli, Teodor Papapavli e Maksim Çuko si dhe klerikët Atë Sotir Xhaferri, Atë Panajot Hroni, Atë Stefan Jano, Atë Joan Gjica, Atë Kristaq Qirjo, Atë Spiridhon Simandirin dhe gjithë të që kanë fjetur më Zotin. Perëndia shpërbleftë punën e tyre, duke i prehur në Mbretërinë e përjetshme.
Së fundi falënderojmë të gjithë ata që kanë shërbyer dhe shërbejnë gjatë këtyre 30 vjetëve në Seminarin dhe Akademinë Teologjike, klerikë dhe laikë, shumica e të cilëve janë ish-studentë të kësaj Akademie. Jam i sigurt që Perëndia nuk do të harrojë kurrë shërbesën e tyre.
Kërkojmë ndjesë nëse kemi harruar dikë, po ju them të gjithë atyre që kujtuam apo harruam: Shumë faleminderit! Nëpërmjet jush Perëndia ka bërë këtë punë aq të madhe në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, si dhe në vendin tonë; Shumë faleminderit!
Përkujtimi i këtij 30 vjetori nuk është thjesht të dehemi në sukseset e arritura gjatë këtyre viteve, por për të vazhduar më tej atë çfarë ka nisur dhe ka mbajtur Kryebariu ynë, Imzot Anastasi. Një nga dëshirat e tij për këtë Akademi, që ajo të ngrihet në rangun e një shkolle të lartë universitare, u bë realitet. Është viti i katërt i jetës akademike të “Departamentit të Teologjisë dhe Kulturës”, në Kolegjin Universitar “Logos”.
Por ëndrrat e atit dhe Kryebariut tonë vazhdojnë. Ai ka edhe një tjetër ëndërr, ëndrrën që nga Akademia jonë Teologjike, të dalin persona të cilët do të jenë të gatshëm të ofrojnë shërbesën e tyre apostolike në vende të tjera. Ne e dimë që kjo është e vështirë, kur dihet nevojat e shumta që ka vendi ynë dhe Kisha jonë, por Ai vazhdimisht na keni mësuar se “të gjitha janë të mundura me Perëndinë”. Kjo është një sfidë e madhe për Kishën tonë, por ne kemi besimin, që kjo ëndërr një ditë do të bëhet realitet, ashtu siç janë bërë shumë ëndrra të tjera të pabesueshme. Atë ditë do të vijmë pranë Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit tonë Anastas, ashtu siç edhe ai na ka thënë, do të vijmë dhe akoma nëse Zoti do ta ketë marrë pranë Tij, dhe do t’i ndezim një qiri dhe do t’i themi: ati ynë, ëndrrën Tuaj e bëmë realitet.
Duke përfunduar, le të përpiqemi të gjithë: që nga populli i thjeshtë besimtarë, katekistë e teologë, klerikë e episkopë, të gjithë duhet të punojmë së bashku që të kemi dhe përgatisim kandidatë të cilët do të shërbejnë me përkushtim dhe sakrificë në Kishën tonë, në vendin tonë dhe botën mbarë, duke pasur gjithmonë besimin se “të gjitha janë të mundura me Perëndinë”.
Lavdi Perëndisë për të gjitha.
Faleminderit!
Përgatitur nga Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit, Hiresi Nikolla, Shkurt 2022.
Radio “Ngjallja”