E Diela XII e Llukait, virtyti i harruar, mirënjohja, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 16.01.2022 (Tekst)

«A nuk ishin dhjetë ata që u pastruan? Po nëntë të tjerët, ku janë?
Nuk u gjet asnjë prej tyre që të kthehej e t’i jepte lavdi Perëndisë?»
(v.17-18)

Jisui kthehet nga larg dhe nga një rrugëtim i lodhshëm, nëpërmjet Samarisë dhe Galilesë, në Jerusalem, “drejt pësimit vullnetar”. -Këtë pjesë të Ungjillit e përmend vetëm ungjillori Lluka; dhe, si mjek që ishte, e ruajti në kujtesën e tij. Është një nga mrekullitë e fundit të Zotit- Afrohej me Nxënësit e Tij në një fshat. Donte të çlodhej nga mundimi i asaj dite.

Atje në ara, kalonin dhjetë burra të lebrosur të dëshpëruar në veten e tyre, të internuar nga shoqëria dhe të përbuzur prej saj. Dhimbja i kishte bashkuar këta njerëz të vuajtur. Rrinin të dhjetë bashkë, që të ngushëllonin njëri-tjetrin dhe t’i shërbenin njëri-tjetrit. E njëjta sëmundje i mblodhi këta, thotë një nga etërit e Kishës. Prandaj kishin në shoqërinë e tyre edhe një samaritan, meqenëse ishte bashkëvuajtës dhe pjesëtar i të njëjtit mjerim dhe i së njëjtës fatkeqësi.

E dinë se nuk duhet t’i afrohen ndonjë njeriu të shëndoshë. Prandaj, thërrasin nga larg, i luten ngrohtësisht Zotit, të vijë në ndihmë të mjerimit që i fshikullonte. Kush tjetër -menduan- do tu jepte dorën në ndihmë? Kujt do t’i vinte keq për këta të përjashtuar nga shoqëria? Ishin të plagosur trupërisht dhe të dëshpëruar shpirtërisht.

* * *

Jisui, punëtori i palodhur i së mirës, qëndron bashkë me shoqëruesit e Tij, që tu afrohet atyre që ia kanë nevojën. Si, ishte e mundur të mohojë këtë herë, ndihmën ndaj atyre njerëzve, lutja e nxehtë e të cilëve kishte tone të thella prekëse? I shëron vetëm me fjalën e Tij dhe i drejton për tek priftërinjtë, që ata të vërtetojnë shërimin e plotë, në mënyrë që të kenë të drejtë tashmë, si njerëz, të rrinë midis njerëzve.

Të lumtur, u nisën drejt fshatit. Gjatë rrugës -së bindjes- kuptuan se u pastruan nga lebra. Gëzimi i tyre nuk përshkruhet. Atëherë, nëntë prej tyre humbën duke vrapuar në thellësinë e rrugës. Njëri kthehet tek Bamirësi, bie në këmbët e Tij dhe me zë të madh e falënderon dhe lavdëron Perëndinë. Zoti e pyet: “A nuk ishin dhjetë ata që u pastruan? Po nëntë të tjerët, ku janë?” Dhe me një ton tjetër, vazhdon: “Ngrihu e shko. Besimi yt të shpëtoi”.

Teksti i hirshëm, sado i shkurtër është, flet vetë. Këtu përsëritet gjithmonë e njëjta histori e njohur. Kur kemi nevojë, lutemi; kur nevoja kalon, harrojmë. Në sëmundje rendim tek Perëndia, shkojmë në kishë, ndezim qirinj, bëjmë kryqin dhe qëndrojmë të gjunjëzuar para ikonave; kur kalon e keqja dhe bëhemi mirë, i lëmë të gjitha. Kjo bëhet jo vetëm në sëmundje, por edhe në çdo rrezik dhe pikëllim që na gjen. Prandaj, lum si ne, nëse do mund të kuptojmë sa mirë na bën pikëllimi në jetën tonë. Kur të mësojmë të ngremë pikëllimin tonë, kjo do të na mbajë gjithmonë afër Perëndisë. Prandaj edhe shenjtorët, jo vetëm që nuk ankohen, por falënderojnë Perëndinë, sepse lejon të kalojë mbi ta pikëllimi dhe mërzitja. E shohim qartë tek apostull Pavli, që thoshte: “Kur sëmurem, atëherë jam i fortë”. Sëmundja, tek shenjtorët, sa më shumë gjunjëzon trupin, aq më shumë shëron shpirtin e tyre.

* * *

Në pjesën e sotme të Ungjillit, Jisui shëron dhjetë lebrosët, dhe lavdëron mirënjohjen e njërit prej tyre. Përkundrazi, ankohet për nëntë të tjerët, që nuk u kthyen ta falënderojnë. Na befason disi kjo ngjarje, sepse Perëndia, gjithë bamirësitë e Tij të pafund, na i ofron sepse na do. Dhuratat e Tij janë buruese, të vetvetishme, që i shkojnë përshtat natyrës hyjnore, karakteristika kryesore e të cilave është ofresa dhe dashuria.

Dhe, njohja e bamirësisë, nuk i shërben bamirësit, por atij që bamirësohet. Krishti ynë, nuk ka nevojë për falënderimin tonë, që të vazhdojë të na bamirësojë. Veç kësaj, lind diellin dhe dërgon shiun bamirës, si për të drejtët ashtu edhe për të padrejtët. Ne kemi dobi, kur ndërgjegjësohemi për përdëllimin e Tij të pasur. Sepse mirënjohja krijon lidhje miqësie. Lidhet i sëmuri me mjekun e tij. I është mirënjohës që e shëroi nga një sëmundje, dhe ndjen siguri që të shkojë përsëri tek ai, kur të gjendet në dobësi.

* * *

Kisha jonë karakterizohet si mbledhje falënderimi. Dhe në Liturgjinë Hyjnore, mbledhja e besimtarëve, i shkëmben kërkesat me falënderimet. I parashtrojmë Perëndisë sonë, të gjitha problemet e jetës sonë, me sigurinë se Ai do të ofrojë “sipas nevojës së gjithsecilit”. E falënderojmë për bamirësitë e Tij të pafundme, të dukshme dhe të padukshme.

Zoti ynë është i pranishëm në çdo moment të jetës sonë. Në vështirësi, në rrugë pa krye, në sëmundje, në krizat e shumëllojshme, por edhe në gëzime dhe suksese. Qoftë kur e duam, qoftë kur nuk e njohim; qoftë kur e thërresim, qoftë kur e mohojmë, Krishti u bë njeri për ne, u kryqëzua për ne dhe u ngjall për ne. Çështja është, ne ndërgjegjësohemi për këtë dashuri? Dhe mënyra e vetme në lutjen tonë, është që falënderimi t’i paraprijë kërkesave tona.

Çfarë tjetër është dashuria pra, që kërkon nga ne Zoti? Dashuria e Tij është e pafund, më e lartë se dashuria jonë. Sepse Perëndia është krijuesi, kujdestari, shpëtimtari, mirëbërësi ynë. Ne, duke e dashur Atë, çfarë tjetër mund të ndiejmë për Të, apo të bëjmë për Të, përveçse ta falënderojmë dhe t’i jemi mirënjohës? Çfarëdo që t’i ofrojmë, sado sakrifica të kalojmë për emrin e Tij, të gjitha të Tijat janë. E vetmja gjë që mbetet e jona, e vetmja gjë që përbën dashurinë tonë, është të ndjejmë dhuratat e Tij, ta lavdërojmë, qoftë me fjalë apo me vepra. Asgjë tjetër nuk është pra, dashuria jonë për Perëndinë, përveçse falënderim dhe mirënjohje ndaj dashurisë së Tij.

* * *

Shembull i kësaj dashurie të saktë dhe të qashtër të secilit prej nesh, që i detyrohemi Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, është samaritani i pjesës së sotme të Ungjillit. Samaritani, shembulli i dashurisë ndaj të afërmit tonë, Samaritani edhe modeli i dashurisë ndaj Perëndisë. Ky nuk është detaj i rastësishëm. Është një e vërtetë e madhe, që Krishti, edhe në pjesë të tjera të Ungjillit, e vë në dukje dhe e thekson.

Por, cila e vërtetë? Të gjendet dikush në një ambient të mirë, të rrethohet nga shprestaria, nuk do të thotë se është bir i qashtër i Perëndisë. E treguan këtë nëntë judenjtë mosmirënjohës. Në të kundërt, siç e tregon rasti i samaritanit lebros, mundet që jashtë një ambienti të tillë, jashtë atyre që duken si të zgjedhurit e Perëndisë, të shfaqen shenjtorët e vërtetë, ata që dinë t’i përgjigjen me fjalë por edhe me vepra, dashurisë së Perëndisë.

Njeriu, me shtrembërimin që ka pësuar, dëshiron vetëm të marrë, kurrë apo rrallë të japë. Prandaj harron të shprehë mirënjohjen për dhuratat që shijon vazhdimisht. Kjo e bën mosmirënjohës edhe ndaj bamirësit të tij më të madh. Prandaj konstatojmë prindër të hidhen në rrugë. Miq, të bëhen armiq të papajtueshëm. Bamirës, të vdesin të përbuzur nga ata që bamirësuan. Bashkëshortë të ndahen. Heronj, të lihen mënjanë. Mosmirënjohja është absurditet. Është shtrembërim. Është lebra më e keqe.

Qëndrimi mosmirënjohës, e bëri ungjillorin Lluka të theksojë në Ungjillin e sotëm, jo ngjarjen e shërimit të dhjetë të lebrosurve, që është e mrekullueshme -nëse marrim parasysh se lebra në atë kohë ishte e pashërueshme-, por mosmirënjohjen e pakarakterizueshme të nëntë prej tyre dhe mirënjohjen e njërit. Dhe më e rëndësishmja, po të bëjmë një analogji të mosmirënjohjes, në dhjetë të bamirësuar, nëntë jemi mosmirënjohës.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Nxitja e apostull Pavlit, është: “Falënderoni për të gjitha”. Perëndinë së pari, të Tërëshenjtën, shenjtorët, miqtë, madje edhe armiqtë, që na bamirësojë më shumë se miqtë, sepse ata na zbulojnë shumë herë boshllëqet tona. Le të kujtojmë të gjithë bamirësit tanë dhe le të fillojmë tu shprehim mirënjohjen dhe falënderimet tona. Kështu, një ditë do të zvogëlohet rryma e mosmirënjohjes dhe do të zmadhohet ajo e mirënjohjes. Kështu do të rikujtojmë virtytin e harruar, mirënjohjen.

U bëftë!

ME URIME TË PËRZEMËRTA DHE BEKIME TË SHUMTA:
MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS DHE KANINËS
† IGNATI