Shfaqja e Perëndisë (Theofania), Pagëzimi i Zotit tonë Jisu Krisht, Bekimi i ujërave.

Në fund të 30 viteve të një jete të fshehur, gjatë të cilave, duke kaluar nëpër të gjitha stadet e jetës së një njeriu të zakonshëm, Zoti ynë Jisu Krisht tregoi me sjelljen e Tij shembullin e përulësisë, të bindjes ndaj prindërve dhe të nënshtrimit ndaj Ligjit. Ai e nisi misionin publik dhe marshimin drejt Pësimit të Tij, përmes një zbulimi shndritës të hyjnisë së Tij.

Ati dhe Shpirti i Shenjtë dëshmuan se Jisui është vërtet Biri i vetëm i Perëndisë, i bashkëqenshëm me Atin, Personi i Dytë i Trinisë së Shenjtë, Fjala e mishëruar për shpëtimin tonë, Shpëtimtari që u paratha nga profetët, dhe që në Personin e Tij Hyjnia është bashkuar pa përzierje me natyrën tonë njerëzore dhe e bëri të shkëlqejë nga lavdia e Tij.

Prandaj dhe e kremtja e Pagëzimit të Krishtit u quajt Epifani (shfaqje) ose Theofani; d.m.th. dëftim i hyjnisë së Krishtit dhe zbulimi i parë i qartë i Misterit të Trinisë së Shenjtë.

Nga Galileja (Nazaret), Jisui u kthye në Jude, në brigjet e Jordanit, atje ku shën Joan Pagëzori, që doli nga shkretëtira pas 30 vjetësh përgatitjeje në asketizëm, vdekësim të mishit dhe me lutje, e kishte zakon të predikonte pendimin dhe të pagëzonte në ujërat e lumit turmën e judenjve, që vinin të tërhequr nga emri i profetit të madh dhe të drejtë të Perëndisë.

Më i lartë se pastrimet e përshkruara nga Ligji për njollosjet e trupit (Lev. 15), pagëzimi i Joanit nuk jepte faljen e mëkateve kjo u arrit me Kryqin dhe sakrificën e Krishtit por, duke dënuar sjelljen e tyre të pabesë dhe paudhësitë me afrimin e Gjykimit hyjnor, më i madhi nga të lindurit prej grash (Matth. 11.11), i çonte në njohjen e mëkateve të tyre, që të pendoheshin dhe të përgatitnin zemrat që të kërkonin Atë që kishte pararendur Pagëzori. “Unë ju pagëzoj me ujë, tha ai duke pasur parasysh pagëzimin; por Ai që vjen pas meje është më i fortë se unë, të cilit nuk jam i zoti t’i mbaj këpucët (d.m.th. të shpjegojë misterin e bashkimit të hyjnisë dhe të njerëzisë); Ai do të pagëzojë me Shpirtin e Shenjtë dhe me zjarr” (Matth. 3.11-12; Lluk. 3.16).

Nga mesi i turmës së atyre që rrëfenin mëkatet dhe zhyteshin në ujë, doli Jisui dhe eci drejt Joanit e i kërkoi ta pagëzonte. Në dashurinë e Tij të pafundme për njerëzit, Biri i Perëndisë nuk kënaqej, në fakt, me veshjen e mishit të vdekshëm, por Ai, i Pafajshmi, Qengji pa njollë i Perëndisë, mbante vetë gjendjen e mëkatarit. Ai, i cili, që nga barku i së ëmës e kishte njohur si Mesi, duke kërcyer nga gëzimi (Lluk. 1.41), u drodh nga frika para një guximi të tillë: Si do të guxonte shërbëtori të pastronte në ujë Mbretin e universit? Si do të kishte guxim krijesa, kjo argjilë, t’i afrohej Fjalës së mishëruar, pa pasur frikë se mos digjej nga hyjnia si kashta nga zjarri? Moisiu dhe profetët më të mëdhenj e pritën prej së largu (Eks. 33.20-23), ose në formë figurash dhe simbolesh. Si do të guxonte ai të vinte dorën mbi kokën e ulur të Krijuesit për ta zhytur në ujë? Jisui i tha: “Lëre tani, sepse kështu duhet të përmbushim çdo drejtësi.” (Matth. 3.15).

Ashtu siç në prag të Pësimeve të Tij, Ai urdhëroi Petron ta lejonte t’i lante këmbët (Joan 13.6-9), po kështu edhe sot, Krishti e shtyn tej frikën njerëzore të shërbëtorit të trembur para një përuljeje të Hyjnisë dhe shpall kështu, nëpërmjet mishërimit të Tij, se Ai erdhi jo vetëm për të përmbushur porositë e Ligjit, por edhe për të futur një drejtësi të re dhe më të përsosur: atë të përulësisë, të sakrificës së vullnetshme dhe të dashurisë. Joani, përfaqësuesi i Dhiatës së Vjetër, iu nënshtrua urdhrit të Zotit dhe u bë kryetar i këtij akti përurues të Dhiatës së Re.

I pastër dhe i pafajshëm nga çdo mëkat dhe, si rrjedhim, nga turpi i Adamit (Gjen. 3.7-11), Krishti, Adami i ri, zbriti i zhveshur në këtë varr të ujshëm, si shenjë e zbritjes së Tij të afërt në errësirat e vdekjes dhe të qëndrimit të Tij në varr. Ai zhytet në ujëra dhe, në përputhje me parathëniet e profetëve, e shkel me këmbë fuqinë e satanait, që kishte ngritur banesën e tij në thellësira (Ps. 73.13: Ai shtypi në ujëra kokën e dragonjve), pastaj doli fitimtar, duke lajmëruar kështu Ngjalljen e Tij të triditshme dhe ngritjen e njerëzisë së larë nga faji. Qiejt, të mbyllur nga rënia e njeriut të parë, u hapën mbi të dhe zëri i Atit erdhi nga lart duke dëshmuar para të gjithëve: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e pëlqeva” (Matth. 3.17).

Edhe Shpirti i Shenjtë dëshmoi duke u shfaqur në formë pëllumbi të bardhë simbol i paqes, i butësisë dhe i pajtimit mes Perëndisë dhe njerëzve (shih përmbytjen te libri i Gjenezës) dhe shënjoi, si “një gisht i Perëndisë”, se ky njeri i zhveshur ishte Biri i mishëruar i Atit, se ishte ai dhe jo Joani, siç mendonin judenjtë, Shpëtimtari i premtuar i Perëndisë. Me pagëzimin në Jordan, Krishti paralajmëronte se do të çlironte njerëzimin nga vdekja dhe do ta çonte në njohjen e Trinisë së Shenjtë dhe në Ngjallje.

Shumë herë më parë Perëndia u zbulua me mrekulli, shenja, në ëndrra dhe vizione, nëpërmjet engjëjve, në mesazhe të frymëzuara te shërbëtorët e Tij, profetët, ose me ndërhyrje providenciale në historinë e Izraelit për të edukuar, ndëshkuar ose ngushëlluar popullin e tij rebel, gjithnjë të prirur nga idhujtaria dhe politeizmi. Prandaj dhe u dëftente fuqinë e UNITETIT të Tij. “Unë jam ai që jam”, i tha Moisiut në ferrën e zjarrtë (Eks. 3.14); dhe kur u zbulua në zjarrin në Sina: “Dëgjo, o Izrael: Zoti, Perëndia yt është Zoti i vetëm. Do të duash Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë forcën tënde” (Ligji i Dytë 6.4; Matth. 22.37).

Por sot Ati dhe Shpirti i Shenjtë dëshmuan për të vërtetën që ky njeri që hynte në ujë është Biri i vetëm dhe Fjala e Perëndisë, i Cili me anë të mishërimit na zbuloi Lavdinë e Perëndisë dhe na bëri të njohim natyrën e vetme hyjnore të pandarë, Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë. Ati është Perëndi, Biri është Perëndi dhe Shpirti i Shenjtë është Perëndi: jo tre Perëndi, por tre Persona (hipostaza) në një natyrë të vetme (esencë).

Mister i Mistereve, e pakapshme nga mendja një rëzore dhe nga soditja e engjëjve, që Zoti Jisu Krisht, me pagëzimin e Tij në Jordan dhe me “pagëzimin” e Tij në vdekje, jo vetëm që na bëri të njohur në mënyrë të paimagjinueshme, por na bëri pjesëmarrës. “Fjala u bë mish, dhe qëndroi ndër ne dhe ne pamë lavdinë e tij, lavdi si të vetëmlinduri prej Atit plot me hir e me të vërtetë” (Joan 1.14). Pas ngjalljes prej së vdekurish, duke u ngritur drejt Perëndisë, për t’u ulur me trupin e Tij në të djathtën e Atit, Ai hapi përfundimisht qiejt për tërë natyrën njerëzore dhe e bëri të aftë të merrte pjesë, nga Hiri i Shpirtit të Shenjtë, në lavdinë dhe në dritën e përbashkët dhe të përjetshme të Shën Trinisë.

Disa tregojnë se ky shkëlqim i lavdisë së Perëndisë, kjo dritë më e shkëlqyeshme se çdo dritë tjetër në botë, u ndje në çastin e Pagëzimit të Krishtit, ashtu si dhe në ditën e Metamorfozës në Thavor (6 gusht), sepse, përmes dritës shndritëse të njerëzisë së hyjnizuar të Krishtit, hymë në Dritën e Trinisë së shenjtë. “O Fjalë e shndritshme që Ati dërgoi për të zhdukur hijet shkatërrimtare të natës, po vjen për të çrrënjosur mëkatin e të vdekshmëve dhe që përmes Pagëzimit tënd të dalin nga ujërat e Jordanit bij të Dritës” (Ode IV e Kanunit të Madh të Mëngjesores).

Prandaj dhe e kremtja e Theofanisë është quajtur e kremtja e dritave. Ky zbulim i parë i Perëndisë si Trini (Triunitet) është gjithashtu edhe manifestimi i thirrjes së fundit të njeriut, i cili është thirrur të bëhet bir i birësuar nga Perëndia, i vajosur (krisht) i Shpirtit të Shenjtë dhe pjesëmarrës i Dritës së trefishtë, duke u bërë i ngjashëm me Krishtin në misterin e Pagëzimit të shenjtë, i cili e ka origjinën nga e kremtja e sotme.

Perëndia e kishte lajmëruar që më përpara Joanin se pagëzimi i tij për pendim duhet të mbaronte me ditën e Pagëzimit të Krishtit: “Ai mbi të cilin do të shohësh Shpirtin e Shenjtë, duke zbritur e duke qëndruar mbi të, ky është ai që pagëzon me Shpirt të Shenjtë” (Jn. 1.33). Pagëzimi i Joanit mori fund në atë ditë, për t’ia lënë vendin atij që do të kryenin apostujt “në emër të Jisu Krishtit” (Vep. 2.38), dhe që ka pushtetin të falë mëkatet dhe të japë Shpirtin e Shenjtë. Duke u zhytur në ujëra, të cilat, përmes lutjes së Kishës janë bërë identike me ujërat e Jordanit, fillestarët hyjnë në Kishë në të njëjtën mënyrë ashtu si Zoti filloi jetën e Tij publike; por dhe, për më tepër, duke imituar vdekjen dhe zbritjen e Tij në varr, duke u bërë kështu pjesëmarrës të Ngjalljes së Tij, ata u veshën me Krishtin (Gal. 3.27) dhe nisën jetën e re në dritën e Shpirtit të Shenjtë: “A nuk e dini se të gjithë sa u pagëzuam në Jisu Krishtin, në vdekjen e tij u pagëzuam? U varrosëm pra, bashkë me të me anë të pagëzimit në vdekjen, që, siç u ngjall Krishti prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne të ecim në jetë të re” (Rom. 6.3-4).

Ashtu si Moisiu e ndau detin më dysh, duke e goditur me shkopin e tij, si me kryq, dhe pasi bëri që të kalonte populli pa u lagur, i solli ujërat në gjendjen e tyre të mëparshme, duke gëlltitur Faraonin dhe ushtrinë e tij (Eks. 14); po kështu edhe Jisui zbriti në ujërat e Jordanit, dhe këto nuk e duruan zjarrin e hyjnisë së Tij dhe, sipas profecive, “ato u kthyen mbrapa” (Ps. 113.3): d.m.th. përmbysën ligjet e natyrës së prishur pas mëkatit të Adamit. Si mbajtëse të vdekjes dhe të prishjes, si banesë e frymëve të papastra, kur Dielli i Drejtësisë zbriti në to, ato u bënë mbajtëse të dritës dhe të pastrimit nga mëkati. “Krishti dëftehet në Jordan për të shenjtëruar ujërat dhe botën”.

Duke ngritur bashkë me të njerëzinë e dergjur në errësirat e vdekjes dhe duke e çuar në njohjen e dritës së Trinisë, Zoti shkund dhe shndërron sot në thellësi ligjet e botës së dukshme dhe të kozmosit. Sikurse e kishin parathënë edhe profetët, e rikrijuar dhe e depërtuar nga Drita në misterin e Krishtit, bota e dukshme, që simbolizon Jordani, bëhet pjesëmarrëse e shpëtimit dhe e gëzimit të njerëzimit të rikrijuar nga Shpirti i Shenjtë. “Toka e Jordanit u mbulua me lule dhe ngazëlleu nga gëzimi dhe populli im do të shikojë lavdinë e Zotit, madhështimin e Perëndisë” (Is. 35.12). “O ju të gjithë që keni etje, ejani tek ujërat. Ju do të nxirrni ujë me gëzim në burimet e shpëtimit dhe do të thoni atë ditë: Këndojini Zotit, shpalleni emrin e tij, lajmërojeni lavdinë e tij mes kombeve, kujtoni se emri i tij është madhështor (Is. 55).

Duke u bërë përsëri ujë i gjallë (Jn. 4.10), banjë e rilindjes, ujë që na shenjtëron para çdo pagëzimi, ditën e festës së Theofanisë dhe në shumë rrethana të tjera, zhytim Kryqin dhe, duke thirrur emrin e Zotit, ai merr pushtet hyjnor shërimi dhe pastrimi shpirtrash dhe trupash. Uji i shenjtëruar bëhet mbajtës i fuqisë së Shpengimit, i Hirit të Krishtit, i bekimit të Jordanit, ai është “burim paprishjeje, dhunti shenjtërimi, falje mëkatesh, shërim sëmundjesh, humbje demonësh…” (Lutje e shën Sofronit për shenjtërimin e ujërave). Prandaj, pasi spërkatet kisha, besimtarët pinë sot nga ky ujë dhe mbushin enët e tyre për t’i marrë në shtëpi për të spërkatur shtëpitë, kopshtet, sendet e jetës së përditshme… Duke qëndruar të paprishur për muaj me radhë dhe madje për vite të tëra, ujërat e Theofanisë, si dhe çdo ujë i shenjtëruar nga Kisha, mund të përdoren në çdo rrethanë për të plotësuar ripërtëritjen dhe shenjtërimin e botës, dhe për ta shndërruar jetën e të krishterit në një Theofani të vazhdueshme, në një zbulim të dritës së Lavdisë së Perëndisë.