E diela para ujit të bekuar, lajmi me i gëzueshëm, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 01.01.2022 (Tekst)
“Fillimi i Ungjillit të Jisu Krishtit, të Birit të Perëndisë”
(Marku 1:1).
Ashtu si për festën e Krishtlindjeve, kështu edhe për festën njësoj të ndritshme dhe të famshme të Ujit të Bekuar, Kisha jonë e Shenjtë na parapërgatit me leximet e duhura; me Ungjillin e sotëm na fut në çështjen e festës së Ujit të Bekuar; na merr nga Betlehemi dhe na shpie në Jordan. Le ta dëgjojmë, pra, në gjuhën tonë të thjeshtë:
Kuptimi i Ungjillit.
“Fillimi i Ungjillit të Jisu Krishtit, të Birit të Perëndisë”. (v. 1). Cili është Ungjilli? Çfarë do të thotë fjala “Ungjill”? Ku shkon mendja jonë kur dëgjojmë fjalën Ungjill? Më të shumtët, që nuk e dinë kuptimin e thellë të kësaj fjale, kur dëgjojnë “Ungjill”, mendja e tyre shkon tek Ungjilli, që mban në duar prifti dhe thotë “Urtësi; Drejtë”, apo lexon ndonjë pjesë. –Ungjill, thotë populli i thjeshtë, është ai libër i madh, me veshjen e artë, që ndodhet mbi Tryezën e Shenjtë dhe e hap prifti dhe lexon…
Dhe kur lexon prifti Ungjillin qëndrojnë të gjithë në këmbë, ulin kokën, bëjnë kryqin e tyre dhe kuptojnë se diçka të rëndësishme thotë prifti në atë moment. Por, a i marrin vesh kuptimet, që fshihen pas fjalëve që lexon prifti nga libri i madh, i cili quhet Ungjill?
Lajmi më i gëzueshëm.
Është fjalë e përbërë: Nga greqishtja, ev-agjelia; do të thotë lajmi më i gëzueshëm, mesazhi më i ngazëllueshëm, njoftimi më i kënaqshëm. Ja më thoni, për ju, cili është lajmi më i gëzueshëm? Ekzistojnë shumë njoftime të kënaqshme. Ja disa
Dikush, ka shumë para borxh; ka detyrime në bankë. Dhe papritur hap radion dhe dëgjon një lajm, që e bën të kërcejë nga gëzimi: “falen borxhet”. Çfarë gëzimi, çfarë lumturie! Fytyra e tij, pas kaq kohe që ishte e ndrydhur; qesh përsëri. Ishte i hidhëruar dhe i zhgënjyer; tani është i mbushur me gëzim.
Ke një njeriun tënd në spital. Doktorët druhen, mos ka ndonjë tumor të ligë, kancer. E fusin në sallën e kirurgjisë. Të gjithë mbajnë frymën e tyre. Shpresat janë të pakta. Papritur del nga salla e operimit një doktor dhe me gëzim të njofton se njeriu yt nuk ka ndonjë tumor të ligë dhe së shpejti do të bëhet mirë. Çfarë gëzimi, çfarë lumturie! Lot rrjedhin nga sytë e tu duke dëgjuar lajmin e gëzueshëm, se njeriu yt do të bëhet mirë.
Je atë. Me vështirësi dërgon një nga fëmijët e tu në gjimnaz. Ai, sedërli, mbaron dhe jep provime për në shkollë të lartë. Dhe pret rezultatet pa pasur shpresa se djali yt do të fitojë. Por ja, papritur dikush rend dhe të transmeton lajmin e gëzueshëm: “Biri yt doli i pari; bravo, urime…”.
Njoftimi më i gëzueshëm.
A nuk janë të gjitha këto njoftime të gëzueshme? Patjetër që janë. Veçse, janë njoftime të vogla të gëzueshme. Ekziston një lajm që është më i madh se këto njoftime të gëzueshme. Është një lajm, që e transmetoi një stacion radiofonik, i cili punoi vetëm për pak minuta këtu në tokë. Doni ta dëgjoni këtë lajm? E dëgjojmë natën e Krishtlindjeve. Por, a e vëmë re? Për dhënien e këtij lajmi u nevojit, jo gojë njeriu, por gojë engjëlli. Ja engjëlli. Me rroba të bardha, i larë me dritë, zbret tek barinjtë e Betlehemit dhe transmeton Ungjillin e tij, lajmin e gëzueshëm, më të gëzueshmin nga të gjithë mesazhet që u dëgjuan në tokë: “Ja tek po ju jap juve lajmin e mirë për një gëzim të madh, që do të jetë për gjithë popullin, sepse sot ju lindi juve në qytetin e Davidit një Shpëtimtar, i cili është Zoti Krisht” (Luka 2:10-11)
Ekziston vallë ndonjë lajm tjetër më i rëndësishëm dhe më i madh? Erdhi Krishti në botë. Erdhi Shpëtimtari i botës. Kush beson tek Ai çlirohet nga mëkatet e tij, shlyhen borxhet e tij, ka arritur suksesin më të madh.
Ky lajm pra, se erdhi Krishti në botë dhe predikoi dhe bëri mrekulli dhe mbi të gjitha u kryqëzua, u varros dhe u ngjall, ky lajm quhet Ungjill. Ja pse thotë ungjillor Marku: “Fillimi i Ungjillit të Jisu Krishtit”. Fillon lajmi i gëzueshëm për personin e Krishtit.
Emërtimet e Ungjillit.
Ai është mësonjësi Perëndinjeri, i Ungjillit të Tij. Themeluesi i besës ungjillore, dhe fjala e tij, dhe veprat, dhe personi i Tij, përbëjnë adhurimin dhe ligjin, dhe shembullin e ungjillëzimit të kishës së tij. Ungjill i Perëndisë, u zbulua dhe iu dha botës, dhe është fuqi e Perëndisë nëpërmjet besimit dhe sakrificës së Jisu Krishtit. Quhet edhe: “Ungjill i mbretërisë së Perëndisë”(Marku 1:14); nga njëra anë, sepse na vë në lëvizje mendimin dhe mallin për Mbretërinë e përjetshme të Perëndisë, dhe drejton në arritjen e saj; dhe nga ana tjetër, sepse me anë të Ungjillit të Krishtit, ftohen besimtarët të luten dhe të përpiqen, që Mbretëria e Perëndisë, në qiej midis engjëjve, të gjej sa është e mundur zbatimin e saj edhe në tokë, në shpirtrat dhe marrëdhëniet e besimtarëve.
Apostull Pavli e quan dhe: “Ungjillin e shpëtimit tonë”(Efesianëve 1:13). Pse? Sepse është Ungjilli i Jisu Krishtit i Shpëtimtarit tonë, dhe sepse nga ky mësojmë, jo vetëm Çlirimtarin e shpirtrave tanë, por edhe se çdo të thotë çlirim, dhe cilat janë mjetet e Shpëtimit tonë të përjetshëm.
Quhet edhe Ungjilli i Hirit (Veprat 20:24). Sepse hiri, na pastron, na mbështet në besim, na mbështet në ruajtjen e ligjit të Perëndisë dhe na bën pjesëtar në dhuntitë e ndryshme hyjnore sipas masës që dhuron Perëndia. (Mateu 24:14, Efes. 4:7).
Ky Ungjill përbën kodin e besimit tonë. Jisui ynë e përcakton qartë. Na thotë, “i besoni Ungjillit” (Marku 1:15). Por si do ta njohim? Me studimin e tij, me shpjegimet e tij, me predikimin e tij. Besa jonë duhet të jetë e gjallë. Çfarë na nevojitet për këtë? Pendimi. Zoti na thotë: “Pendohuni, dhe i besoni ungjillit”. Pa pendim dhe me mendimin të zotëruar nga përkujdesja e botës, me kënaqësi dhe kujdesie të ujitura nga mëkati, nuk jemi as në fillim të shpëtimit tonë dhe besa jonë nuk është e denjë për Ungjillin. “Vetëm jetoni denjësisht në Ungjillin e Krishti” (Filip. 1:27).
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
Ky Ungjill, i Perëndisë, i Krishtit, i hirit, i shpëtimit, i jetës së përjetshme, është kaq shumë i gëzueshëm dhe i shndritshëm. “Fillimi i Ungjillit”. Të vëmë një fillim, të bëjmë një fillim, të studiojmë çdo ditë Ungjillin. Pa lënë asnjë ditë. Përndryshe, nuk mund të quhesh i krishterë dhe të shpëtosh.
Jetë më Ungjillin. Ungjill pra, do të thotë lajm i gëzueshëm, libri apo librat, që na flasin për këtë lajm të gëzueshëm. Ungjill quhet edhe mënyra e jetesës së të krishterëve të vërtetë. Më parë kolendrat që thoshin fëmijët në prag të Vitit të Ri kishin këto vargje: “Të jetojmë jetë të përsosur sipas Ungjillit, me dashuri dhe paqe dhe me drejtësi. Krishtin të dashurojmë. Atë të duam, Atë të besojmë, Atë të ndjekim. U bëftë.
ME URIME TË PËRZEMËRTA DHE BEKIME TË SHUMTA:
MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS DHE KANINËS
† IGNATI