Oshënare dëshmore Anisia.
Shën Anisia ishte bijë prindërish fisnikë të njohur dhe shumë të pasur të Selanikut, të konvertuar në besimin e krishterë, që i frymëzuan qysh në fëmijëri dashurinë për virtytet dhe urtësinë. Mbeti jetime nga i ati dhe e ëma; kur ishte në prag të adoleshencës, qëndroi larg kënaqësive të kësaj bote, shpirti i saj digjej nga dashuria e madhe për Krishtin. Kështu u sul drejt takimit me Dhëndrin qiellor, duke lënë mënjanë dhe duke hedhur tutje çdo gjë që mund ta mbante të lidhur me tokën. Ajo çliroi skllevërit e saj të shumtë në numër dhe u dha shuma të mëdha parash që të bënin një jetë të mirë, dhe gjithashtu ndau tokat, pronat, bagëtitë dhe çdo gjë të sajën, si një tregtar i urtë që i shet të gjitha të mirat e tij, për të fituar perlën e paçmueshme, Mbretërinë e Qiejve (Matth. 13:45). Ajo u zhvesh nga zbukurimet dhe të gjitha rrobat e shtrenjta, për t’u veshur me gjëra të thjeshta e të varfra dhe kështu rendte nëpër qytet, duke vizituar të sëmurët, duke i ndihmuar vejushat dhe jetimët, duke u dhënë ushqim dhe rroba të varfërve.
Por dëshira e saj ishte që të ndihmonte më tepër viktimat e persekutimeve. Pa përfillur rrezikun, ajo shkonte nëpër burgje për të vizituar ata që vuanin nga uria, etja, nga plagë dhe trajtime të rënda të çdo lloji për hir të dashurisë për Krishtin. U puthte plagët, si të ishin plagët e Pësimit shpëtimtar të Zotit tonë dhe kujdesej e i ngushëllonte.
Duke braktisur në këtë mënyrë çdo gjë dhe duke pasur vetëm trupin e saj të vdekshëm që e mbante të lidhur me tokën, tani dëshira e saj e vetme ishte që të arrinte në përsosmëri duke vdekur për Krishtin. Meqë donte që një vendim i tillë të ishte vullnet Perëndie, nuk ekspozohej më kot përpara rreziqeve, por tërhiqej në një qeli (dhomë) të ngushtë, për t’ia kushtuar veten lutjes, kreshmës, lotëve. Kështu lartësohej përmbi gjendjen e vdekshme, duke pasur praktikimin e virtyteve të shenjta si bazament të jetës së saj shpirtërore.
Duke parë një betejë të tillë, djalli, i inatosur, u përpoq ta trembte shenjtoren me marifete të shumta, për ta bindur që të braktiste qelinë, por ndeshi në vendosmërinë e saj më të fortë edhe se ajo e luftëtarëve më trima. Atëherë lëshoi kundër saj shigjetat e mërzitjes, të plogështisë së trupit dhe të sëmundjes, por vajza e re, duke u armatosur me shenjën e Kryqit, e dëboi me anë të kamxhikut të lutjes
Kur persekutimi i Maksimianit ishte në kulm (305), shën Anisia, e mbushur me virtyte dhe duke qenë e përqendruar në jetën e saj shpirtërore, gjeti sigurinë për t’i drejtuar Krishtit një lutje që të bëhej pjesëtare në vdekjen e Tij jetëprurëse. Kjo lutje iu dëgjua. Një ditë, ndërsa po shkonte në kishë, e takoi një shoqërues i mbretit dhe e pyeti me shumë ashpërsi. Pa asnjë hezitim, ajo e deklaroi veten e saj të krishterë, shërbëtore të Jisu Krishtit.
Pagani i pagdhendur e kapi me forcë dhe e tërhoqi zvarrë deri në tempullin e idhujve që ta bënte të sakrifikonte, dhe si përgjigje mori një të pështyrë në fytyrë. I tërbuar në maksimum, shoqëruesi nxori shpatën dhe ia nguli shenjtores në brinjë, dhe ajo dha shpirtin e saj te Perëndia, për të gjetur gëzimet e përjetshme në dhomën nusërore të Qiellit. Disa të krishterë shpresëtarë mundën ta merrnin trupin e saj dhe e varrosën jashtë qytetit, jo shumë larg, në një vend ku u ndërtua një kishë në nder të saj, pas mbarimit të persekutimit.