UNGJILLI – Mateu 1:1-25.

 

Libri i gjenealogjisë së Jisu Krishtit, të birit të Davidit, të birit të Abrahamit.

Abrahamit i lindi Isaaku; edhe Isaakut i lindi Jakovi; edhe Jakovit i lindi Juda dhe vëllezërit e tij. Edhe Judës i lindi Faresi dhe Zarai nga Tamara; edhe Faresit i lindi Arami. Edhe Aramit i lindi Aminadabi; edhe Aminadabit i lindi Nasoni; edhe Nasonit i lindi Salmoni. Edhe Salmonit i lindi Bozi nga Rahaba; edhe Vozit i lindi Ovidi nga Ruthi; edhe Ovidit i lindi Jeseu; Edhe Jeseut i lindi Davidi, mbreti.

Edhe mbretit David i lindi Solomoni nga gruaja e Uriut. Edhe Solomonit i lindi Roboami; edhe Roboamit i lindi Abiai; edhe Abiait i lindi Asai. Edhe Asait i lindi Josafati; edhe Josafatit i lindi Jorami; edhe Joramit i lindi Ozia. Edhe Ozisë i lindi Joatami; edhe Joatamit i lindi Akazi; edhe Akazit i lindi Ezekia. Edhe Ezekisë i lindi Manasiu; edhe Manasiut i lindi Amoni; edhe Amonit i lindi Josia. Edhe Josisë i lindi Jehonia dhe vëllezërit e tij, në kohën e shpërnguljes në Babiloni.

Edhe pas shpërnguljes në Babiloni, Jehonisë i lindi Salatieli; edhe Salatielit i lindi Zorobabeli. Edhe Zorobabelit i lindi Abiudi; edhe Abiudit i lindi Eliakimi; edhe Eliakimit i lindi Azori. Edhe Azorit i lindi Sadoku; edhe Sadokut i lindi Akimi; edhe Akimit i lindi Eliudi. Edhe Eliudit i lindi Eleazari; edhe Eleazarit i lindi Matani; edhe Matanit i lindi Jakovi. Edhe Jakovit i lindi Josifi, burri i Marisë, prej së cilës lindi Jisui që thuhet Krisht.

Gjithë brezat pra, që nga Avrahami e deri tek Davidi, janë katërmbëdhjetë breza; edhe që nga Davidi e deri në shpërnguljen në Babiloni katërmbëdhjetë breza; edhe nga shpërngulja në Babiloni e deri te Krishti katërmbëdhjetë breza.

Edhe lindja e Jisu Krishtit kështu ishte: Pasi u fejua e ëma e tij, Maria, me Josifin, përpara se të bashkoheshin, u gjend me barrë nga Fryma e Shenjtë.

Edhe Josifi, burri i saj, duke qenë i drejtë, e duke mos dashur t’i nxjerrë asaj zë të lig, deshi ta linte fshehurazi. Po ndërsa ai ishte duke menduar këto, ja një engjëll i Zotit tek iu duk në ëndërr, duke thënë: Josif, bir i Davidit, mos u frikëso të marrësh me vete gruan tënde Mariamin; sepse mbarsja që u bë tek ajo është nga Fryma e Shenjtë. Edhe do të lindë djalë edhe do t’ia quash emrin Jisu; sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre.

Edhe gjithë kjo u bë, që të përmbushet e thëna prej Zotit me anë të profetit, që thotë: “Ja virgjëresha tek do të mbarset, edhe do të lindë djalë, edhe do t’ia quash emrin Emanuel”, që e përkthyer do me thënë, Perëndia bashkë me ne

Edhe Josifi, si u zgjua nga gjumi, bëri siç e urdhëroi engjëlli i Zotit, edhe mori pranë vetes gruan e tij. Edhe nuk e njohu atë, derisa lindi të birin e saj, të parëlindurin; edhe ia quajti emrin Jisu.