Duke ndarë për 15 vjet Frymë Dashurie.
Kolegji “Frymë Dashurie” mbushi sivjet 15 vjet nga hapja e tij. Është ky një përvjetor i bekuar për një institucion të rëndësishëm, në vargun e nismave origjinale e shpresëdhënëse që ka ndërmarrë Kryepiskopi Anastas.
Ndërmarrja e kësaj nisme ishte një sfidë e vërtetë, por ajo fokusohej në nevoja reale të komunitetit dhe kishte në çdo hap gjithë mbështetjen e Kryepiskopit. Ndaj, nga një ide pilot, kjo shkollë përbën sot një qendër arsimore e shpirtërore, që shkon shumë përtej synimeve fillestare.
Ajo u ngrit në një zonë ku, për arsye objektive dhe subjektive, përjetohet realiteti i braktisjes demografike. Ndaj, një projekt si ky e gjeti edhe njëherë të gatshëm Kryepiskopin Anastas, i cili ka ndërmarrë shpesh nisma dhe misione të pamundura për syrin e arsyes. Por, për të mundura Perëndinë dhe për njerëzit e Tij të realizueshme.
Fillimi i mësimit në shtatorin e vitit 2006, përbën për shkollën e mesme profesionale “Frymë Dashurie” në Mesopotam, në zonën e Sarandës, një dëshmi të gjallë të mrekullisë së Perëndisë. Mrekulli që shtrihet tek të rinjtë që arsimohen dhe u arsimuan aty, te familjet e tyre, te komuniteti i arsimtarëve të zonës dhe për të gjithë Kishën e vendin tonë. Sepse, mbi të gjitha, kolegji përbën një shembull domethënës se si mund të ndërmerren dhe realizohen projekte për të trajtuar dhe përballuar problemin imediat të largimit të të rinjve nga vendlindja e tyre.
Në këtë kolegj, origjinal dhe në avangardë për rajonin dhe më gjerë, funksionojnë dy njësi arsimore: shkolla e mesme profesionale dhe ajo e përgjithshme. Shkolla e mesme e përgjithshme u hap në vitin 2015, duke iu përshtatur kërkesave të komunitetit për arsim të mesëm më cilësor. Në fakt, edhe shkolla e mesme profesionale në të tria drejtimet e saj të specializimit ka organizimin e vet në cikle studimesh: me tre vjet, duke nxjerrë profesionistë të aftë për tregun e punës dhe me cikël katërvjeçar, që u lejon atyre që përfundojnë të vijojnë studimet e larta.
Gjuha e shifrave, natyrisht është më objektivja dhe larg sentimentalizmit tregon çfarë është e vërtetë. Aktualisht, në shkollën e mesme profesionale të kolegjit, në të tri specialitetet dhe dy ciklet e studimeve, vijojnë mësimet 175 nxënës. Në shkollën e mesme të përgjithshme – 115. Thuajse 300 të rinj e të reja përbëjnë komunitetin më kompakt të nxënësve në gjithë zonën. Kur flasim për komunitet kompakt nxënësish, i referohemi në veçanti metodës së mësimdhënies dhe sidomos veprimtarive plotësuese shkollore e jashtëshkollore, që krijojnë atmosferën e identitetit kolegjial.
Që në fillim ishte i qartë synimi i themeluesit të kësaj qendre origjinale arsimore, Kryepiskopit Anastas: jo vetëm asimilimi i e gjithë programit të detyruar shkollor, sipas parametrave që përcaktojnë direktivat e organeve shtetërore të arsimit, por përtej kësaj. Sepse vendi dhe ekonomia ka nevojë për profesionistë, pse jo dhe shkencëtarë të denjë, por, mbi të gjitha, ka nevojë për qytetarë me dije të qëndrueshme akademike dhe të përgjegjshëm dhe me karakter të qëndrueshëm…
Këtë e provojnë arritjet: Mbi 450 të rinj dhe të reja kanë përfunduar shkollën e mesme profesionale të kolegjit “Frymë Dashurie” dhe 85 të tjerë shkollën e mesme. Shumë prej tyre janë tanimë studentë universitetesh dhe madje edhe janë diplomuar në degët që kanë zgjedhur.
Krenaria e shkollës nuk janë vetëm nxënësit me rezultate të larta, por edhe gjithë ata që janë diplomuar e formuar aty, të cilët i gjen në gjithë zonën ku rrezaton Kolegji. Ata i aplikojnë dijet që kanë përfituar në ente publike apo si profesionistë në aktivitet privat. Kjo konfirmon edhe më tej se objektivat e themelimit dhe funksionimit të shkollës profesionale janë realizuar. Ajo nuk ofroi për të rinjtë thjesht një mundësi për të qëndruar edhe tre ose katër vjet më shumë në vendlindje. Ofroi në fakt kualifikim cilësor, formim të kompletuar të personalitetit, gjykim të drejtë për perspektivën dhe në fund të fundit, vendim më të matur për të mos emigruar, duke pasur mundësi zhvillimi dhe evoluimi profesional e familjar. Profesionistë të nivelit të mesëm, të kualifikuar sipas gjithë praktikave më të mira të BE, si specialistë të instalimeve elektrike, hidraulike, ngrohjes dhe ftohjes, informatikës, infermierisë dhe punës sociale, që kanë përfunduar në Kolegj, janë faktorë të përhapjes së Frymës së Dashurisë në jetën sociale dhe ekonomike të zonës.
Ky është gëzimi dhe krenaria e gjithë faktorëve që kanë punuar e punojnë për suksesin e kolegjit. Veçnërisht e Kryepiskopit Anastas, i cili e themeloi dhe e mban në funksion përmes sakrificash të mëdha; e Mitropolitit Dhimitër, që e ndjek nga aq afër mbarëvajtjen e përditshme të tij, si dhe e drejtuesve dhe gjithë stafit pedagogjik.
Në kolegj punojnë përditë mbi 30 mësues, me formim të lartë dhe të aftë në transmetimin e njohurive dhe aftësive profesionale, duke u bërë kështu një punëdhënës i rëndësishëm në rajon. Këtyre u shtohen edhe 15 persona të tjerë në veprimtari ndihmëse.
Në Kolegj nxënësit mësojnë gjuhën e dashurisë, të motivimit për vepra të mira sipas Ungjillit, njohuri të qëndrueshme, sipas mësimit së Kryepiskopit Anastas. Dhe kjo është veçori unike e shkollës dhe e çdo qelize të Fondacionit “Frymë Dashurie”. Pikërisht kjo e bën atë të dallojë nga çdo shkollë apo nismë tjetër në sektorin e dijes dhe kualifikimit.
Kolegji “Frymë Dashurie” nuk është vetëm shkollë sipas perceptimit të zakonshëm. Është shkollë për jetë të përbashkët. Për mësim e përsosje në gjuhë dhe komunikim: shqip, greqisht, anglisht. Mëson në mënyrë biomatike bazën e dashurisë, që është besimi te Perëndia. Kultivon në rrethe të posaçme muzikën dhe vallet si edukim artistik i ndryshëm nga gjithë ndikimet e jetës moderne. U mëson nxënësve të tij respektin për mjedisin, si shprehje e dashurisë së Krijuesit dhe i bën të përgjegjshëm në administrimin e burimeve natyrore, si karakteristikë e qytetarit të së ardhmes. I bën pjesëmarrës në jetën e shoqërisë që e rrethon Kolegjin, përmes nismash origjinale në luftimin e problemeve që shfaqen në shoqërinë tonë, në rrethe të diskutimit shpirtëror, në seminare kualifikimi mbi shëndetin, familjen etj. Sepse Kolegji është më shumë jashtë se brenda mureve të kompleksit shumë të bukur ku zhvillon veprimtarinë e tij edukative.
Nëse 15 vjet duken pak, le t’i referohemi një shifre akoma më domethënëse, për të konkretizuar dimensionin e kujdesit që Kryepiskopi ynë tregon për mbarëvajtjen: përtej investimit për godinat ku funksionon kolegji (më shumë se 750 000 dollarë), për çdo vit shkollor harxhohen rreth 250 000 dollarë si bursa të personalizuara për çdo nxënës. Me këto fonde mund të ishin ndërtuar pesëmbëdhjetë kisha, si ajo që plotëson kompleksin e kolegjit, por është mundësuar ndërtimi i kishave në zemrat e më se 750 të rinjve dhe të rejave. Dhe sa të tjerë që shohin shembullin dhe marrin dritë prej tij në mjedisin rrethues shoqëror.
- B.
Foto Album: