UNGJILLI – Llukai 13:19-29.
Edhe ai thoshte: Me çfarë përngjan mbretëria e Perëndisë? Edhe me çfarë ta përngjaj?
Përngjan me një kokërr sinapi, të cilën e mori një njeri dhe e hodhi në kopshtin e tij; edhe u rrit e u bë pemë e madhe, edhe zogjtë e qiellit erdhën e bënë çerdhe në degët e tij.
Përsëri tha: Me se ta përngjaj mbretërinë e Perëndisë? Përngjan me brumë, të cilin e mori një grua dhe e mbuloi në tri masa mielli, deri sa u mbrujt i gjithë.
Edhe shkonte nëpër qytete e nëpër fshatra duke mësuar dhe udhëtuar për në Jerusalem.
Edhe një njeri i tha: Zot, vallë të pakët janë ata që shpëtojnë? Edhe ai u tha atyre: Mundohuni të hyni nëpër derën e ngushtë; sepse shumë vetë, po ju them juve, do të kërkojnë të hyjnë dhe nuk do të mundin.
Pasi të ngrihet i zoti i shtëpisë e të mbyllë derën, atëherë do të filloni të rrini jashtë, e të trokitni në derë, duke thënë: Zot, Zot, na e hap. Edhe ai do të përgjigjet e do t’ju thotë: Nuk e di se nga jeni ju. Atëherë do të zini të thoni: Hëngrëm e pimë përpara teje dhe mësove nëpër rrugët tona. Po ai do të thotë: Po ju them juve, nuk e di se nga jeni ju. Largohuni prej meje gjithë ju punëtorët e padrejtësisë.
Atje do të jetë të qarët e kërcëllitja e dhëmbëve, kur të shihni Abrahamin e Isaakun e Jakovin dhe gjithë profetët në mbretërinë e Perëndisë, edhe veten tuaj të nxjerrë jashtë.
Edhe do të vijnë nga lindja e nga perëndimi dhe nga veriu e nga jugu, edhe do të ulen në tryezën e mbretërisë së Perëndisë.