APOSTULLI – 2Thesalonikasve 2:1-12.
Edhe sa për ardhjen e Zotit tonë Jisu Krisht, edhe për mbledhjen tonë me atë, ju lutemi, o vëllezër, të mos tundeni shpejt nga mendja, as të mos turbulloheni as prej fryme, as prej fjale, as prej letre si të shkruar prej nesh, se sikur u afrua dita e Krishtit.
Le të mos ju gënjejë askush në asnjë mënyrë; sepse s’ka për të ardhur ajo ditë, pa ardhur më përpara mohimi i besimit, edhe të zbulohet njeriu i mëkatit, i biri i humbjes, ai që rri kundër e ngrihet lart mbi çdo gjë që quhet Perëndi ose që adhurohet, kaq sa të rrijë në tempull të Perëndisë si Perëndi, duke treguar veten e tij se është Perëndi.
Nuk mbani mend se, edhe kur isha pranë jush, jua thosha këto? Edhe tani e dini çfarë e pengon atë, që të zbulohet në kohën e tij. Sepse misteri i paudhësisë tani vihet në veprim; vetëm deri sa të hiqet nga mesi ai që e pengon tani; edhe atëherë do të zbulohet i paudhi, të cilin Zoti do ta humbasë me frymën e gojës së tij, edhe do ta prishë me shfaqjen e ardhjes së tij.
Ky i paudhë do të vijë pas veprimit të satanait me çdo fuqi e me shenja e me çudira gënjeshtre, edhe me çdo mashtrim të padrejtësisë, në mes të atyre që humben; sepse nuk pritën dashurinë e së vërtetës që të shpëtojnë. Edhe prandaj Perëndia do t’u dërgojë atyre veprim mashtrimi, që t’i besojnë gënjeshtrës, që të dënohen të gjithë ata që nuk i besuan së vërtetës, po pëlqyen padrejtësinë.