E Diela X e Llukait, Shërimi i gruas së kërrusur, nga Mitropoliti i Beratit Vlorës dhe Kaninës, H. Ignati, 05.12.2021 (Tekst)
“I pari i sinagogës u përgjigj me zemërim, sepse Jisui ditën e shtunë e shëroi, dhe i thoshte turmës: Gjashtë ditë janë, në të cilat duhet të punoni; ndër këto pra ejani e shërohuni e jo ditën e shtunë.”(v. 14)
Sot Ungjilli i shenjtë na tregon, se një të shtunë Zoti gjendej në një sinagogë dhe predikonte. Ungjillori i shenjtë nuk na thotë se cila ishte tema e mësimdhënies atë të shtunë. Por, mund të imagjinojmë, se me çfarë toni dhe me çfarë pushteti, mësonte Mësuesi hyjnor, sa që ata që e dëgjonin ishin të robëruar nga fjala e Tij. Ai u fliste me gojë dhe ata i flisnin me sy; dhe kërcente zemra e tyre. I tillë është gjithnjë dialogu brenda Kishës, kur bëhet predikimi dhe kur predikimi është fjala dhe e vërteta e Perëndisë.
I
Midis atyre që e dëgjonin, Krishti dalloi një grua të kërrusur nga sëmundja. Fjala e Tij fliste brenda zemrës së saj, që e kishte zbutur dhimbja e sëmundjes shumëvjeçare. Sytë e saj rridhnin lot, ai lot që është bashkë gëzim dhe hidhërim; gëzim-hidhërimi i shenjtorëve. Në këtë gjendje shpirtërore nuk di, cila është më e mira, të jesh i sëmurë apo të jesh i shëndoshë. Në këtë situatë e pa Zoti dhe i tha: “grua e mirë, je e çliruar nga sëmundja jote”. Duke thënë kështu, vendosi duart mbi të dhe ajo u çua menjëherë dhe lavdëroi Perëndinë. Të gjithë e admiruan Krishtin. Përveç të parit të sinagogës. Ai u hidhërua shumë. Kujtoi, se vetëm ai kishte vlerë. Smira e tij e bëri të humbasë logjikën. Dhe me pretekstin gjoja të shprestarisë, i zemëruar, filloi t’i thotë popullit: “gjashtë ditë janë, në të cilat duhet të punoni; ndër këto pra ejani e shërohuni e jo ditën e shtunë”(v. 14). Ai mbase do të vazhdonte të thoshte edhe të tjera, por Krishti e ndërpreu dhe me një ton të rreptë dhe të papërsëritshëm i tha: “Hipokrit, gjithsecili prej jush ditën e shtunë a nuk zgjidh kaun e tij a gomarin e tij nga grazhdi, edhe e sjell e i jep ujë? Edhe kjo, që është bija e Abrahamit, të cilën ja tek e pati lidhur satanai tetëmbëdhjetë vjet, a nuk duhej të zgjidhej prej kësaj lidhjeje ditën e shtunë?” Jisu Krishti, sa i dhimbsur ishte tek të përulurit aq më tepër ishte i rreptë tek hipokritët.
O hipokrizi dhe smirë e të parit të sinagogës! Pa se si mësimdhënia, aq dhe çudia e Zotit, tërhoqi interesin e njerëzve dhe ky përpiqet me çdo mënyrë të bëjë të kotë çdo ndikim të dobishëm të fjalëve edhe të punëve të Zotit tek populli. O hipokrit, kryetar i sinagogës, thua që njerëzit të vijnë në ditë të tjera në sinagogë që të shërohen dhe jo ditën e shtunë. Por cili do t’i shëronte në ato ditë? Ti dhe të ngjashmit me ty? Por, sa kishit shëruar deri atëherë, që populli të ndjekë fjalët tuaja? Dhe përderisa nuk kishit fuqi që t’i shëronit, me ç’të drejtë përpiqeni të largoni popullin nga Bamirësi njeridashës, nga Mësuesi hyjnor, nga Çudibërësi i tërëfuqishëm? Këto fjalë të Zotit, ia mbyllën gojën të parit të sinagogës, dhe bënë armiqtë e Tij të turpërohen. Por, populli që shikonte veprat e lavdishme dhe të mrekullueshme gëzohej për të gjitha ato që bënte Krishti.
II
I shtyrë nga smira, kryetari i sinagogës, nuk mund të bënte gabim më të madh. Smira verbon dhe shkatërron. Smira shkatërron perandori. Prish miqësi. Shkatërron familje. Kush ka smirë, urren. Nuk pranon më të diturin se ai, më të fuqishmin se ai, më të lartin se ai. Ai që ka smirë gëzohet në shkatërrimin e tjetrit. Tregues i vlerës së vërtetë të njeriut është pranimi i të tjerëve. Kur gëzohesh me përparimin e tjetrit atëherë je më i lartë se ai. Një zog në Afrikë është i zymtë kur bën kohë e mirë dhe tërë zogjtë e tjerë këndojnë me ngazëllim. Gëzohet vetëm kur moti është i keq dhe zogjtë e tjerë tremben e dridhen. Gëzohet me shkatërrimin. Sa e tmerrshme është smira! Helm i vërtetë.
Njeriu që ka smirë ushqehet dhe zhvillohet me helmin e smirës që derdhet nga të përbrendshmet e tij. Vet helmohet. Shijon vrerin e hidhur, që përgatit për të tjerët. Dhe prish akoma dhe shëndetin e tij, pikërisht, ashtu si hekuri që krijon ndryshkun, ndryshk i cili kthehet dhe shkatërron hekurin. Kështu dhe njeriu që ka smirë shkatërrohet dhe shkrihet nga helmi i smirës që buron nga vetja e tij.
* * *
Të vjetrit kishin paraqitur në mënyrë të përsosur ikonën e njeriut që ka smirë. Kishin skalitur mbi mermer, një burrë që në dorë mbante një gjarpër të tmerrshëm. Gjarpri kishte futur kokën në gjoksin e tij dhe i hante të përbrendshmet. I mjeri provonte dhimbje të frikshme, të cilat shpreheshin në fytyrën e tij. Nuk kishte kujdesin dhe fuqinë që ta vërviste gjarprin prej dorës së tij dhe të çlirohej. Por e mbante në duar dhe e ngrohte. Dhe e ushqente me të përbrendshmet e tij dhe e rriste me gjakun e tij. Ky është njeriu që ka smirë, që në duart e tij mban dhe ushqen gjarprin helmues të smirës. Dhe ky pasion i helmon jetën,
i shkatërron shëndetin, i mbush me helm zemrën,me një fjalë e bën të mjerë, përderisa të gjitha gëzimet dhe arritjet e të tjerëve përbëjnë për këtë burime dhimbjesh dhe hidhërimesh.
Cili piktor do të mund të skiconte pamjen e neveritshme të smirës? Dhe cila pendë është e aftë të përshkruajë martirizimin shpirtëror të atij, i cili u vet dënua të ushqejë me mishin e tij dhe gjakun e tij gjarprin e pangopur të smirës?
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin, le të ruajmë shpirtin tonë nga mëkati. Ky, kur mbizotëron dhe skllavëron njeriun, nuk e lë që të shohë dhe të pranojë të vërtetën. I shtrembëron gjërat dhe e bën njeriun vegël të smirës dhe të urrejtjes dhe të egoizmit dhe të lavdidashjes. Le të mësojmë nga përfundimet e hidhura që solli tek i pari i sinagogës dhe tek të ngjashmit e tij në të gjitha epokat. Le të ngjajmë me popullin besnik të Zotit, duke dëgjuar me vëmendje fjalën e Perëndisë dhe duke zbatuar atë, duke pranuar bekimet hyjnore të Zotit dhe “duke u gëzuar për të gjitha veprat e mrekullueshme që bënte Zoti”. U bëftë. Amin.
ME URIME TË PËRZEMËRTA DHE BEKIME TË SHUMTA:
MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS DHE KANINËS
† IGNATI