APOSTULLI – 1 Thesalonikasve 4:18-5:10
Ngushëlloni pra me këto fjalë njëri-tjetrin. Edhe për vitet e për kohët, o vëllezër, nuk keni nevojë t’ju shkruaj; sepse ju e dini mirë, se dita e Zotit, posi vjedhësi natën, kështu vjen.
Sepse kur thonë: Paqe edhe siguri, atëherë vjen mbi ata shkatërrim i papandehur, posi dhimbjet e gruas me barrë; edhe nuk do të shpëtojnë. Po ju, o vëllezër, nuk jeni në errësirë, që t’ju arrijë ajo ditë si vjedhës. Të gjithë ju jeni bij drite e bij dite; nuk jemi të natës, as të errësirës. Le të mos flemë pra sikurse edhe të tjerët, po le të rrimë zgjuar dhe le të jemi të përmbajtur.
Sepse ata që flenë, natën flenë; edhe ata që dehen, natën dehen; Por ne, pasi jemi të ditës, le të përmbajmë veten, duke veshur parzmoren e besimit e të dashurisë, edhe për përkrenare shpresën e shpëtimit. Sepse Perëndia nuk na ka urdhëruar për zemërim, po për trashëgim shpëtimi, me anë të Zotit tonë Jisu Krisht, që vdiq për ne, që, qoftë zgjuar, qoftë fjetur, të rrojmë bashkë me atë.