Dëshmor Paramoni.

Akilini, guvernator i Lindjes gjatë mbretërimit të perandor Deciusit (rreth 250), u nis një ditë për t’u kuruar në ujërat termale të Bisaltias. Urdhëroi që me këtë rast të merrnin edhe 370 të krishterë të Nikomedisë, të cilët i kishin burgosur me urdhër të tij, që t’i detyronin të sakrifikonin në tempullin e perëndeshës Isis. Por ata refuzuan, prandaj dhe ua prenë kokat.

Gjatë martirizimit të tyre, Paramoni i drejtë i thirri qeveritarit: “Ç’mizori po shoh! Një masakër e poshtër ndaj këtyre të drejtëve, si të ishin bagëti!”.

Kur Akilini i dëgjoi këto fjalë urdhëroi ta arrestonin Paramonin. Përgjatë udhës, ushtarët e ekskortës së tij e keqtrajtuan shenjtin në mënyra të ndryshme: disa e godisnin me heshtë, të tjerë ia prenë gjuhën dhe të tjerë gjymtyrët. Në fund, e vranë para qeveritarit.

* * * * *

Dëshmor Filumeni.

Ishte nga Likaonia dhe ishte bukëpjekës. Jetoi nën mbretërimin e perandorit Aurelian (270-275), dhe furnizonte me bukë lokalitete të ndryshme të Galatisë. U akuzua para perandorit të Ansirisë, Feliksit, dhe para atij shpalli hapur se ishte i krishterë. Ia lidhën duart dhe këmbët me zinxhirë prej hekuri, e varën dhe e godisnin me shpatë.

E hodhën në një furrë të nxehtë, por u ruajt mrekullisht nga hiri i Perëndisë. Ia lidhën edhe kokën me duart e këmbët dhe e tërhoqën zvarrë 600 metra, derisa dha frymën e tij tek Perëndia.