E Diela XIII e Llukait, Manngësia jonë, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 28.11.2021 (Tekst)

“Edhe diçka të mungon” (v. 22)

Prijësi i Ungjillit të sotëm, që iu afrua Zotit, siguron me mburrje, se gjithë porositë hyjnore, “mos shkel kurorën, mos vrit, mos vidh, mos jep dëshmi të rreme, ndero atin tënd dhe nënën tënde”, i ka ruajtur me përpikmëri “që në rininë” e tij, madje që në fëmijërinë e tij. E megjithatë, ndjen brenda tij një boshllëk të madh. I mungon siguria. Kupton se nuk është aspak i sigurt. Mbetet i pakënaqur nga gjithë përpjekjet, që bën për sigurimin e përjetësisë, për arritjen e dëshirës së tij, që nuk është gjë tjetër veçse garantimi i Mbretërisë së Qiejve. E di shumë mirë se jemi të përkohshëm këtu!…

I

Kur dëgjon këto, Zoti, i tha: -Atëherë, përderisa dëshiron të bëhesh i përkryer, të mungon edhe diçka. Shit gjithë ç’ke, gjithë pasurinë tënde dhe ndajua të varfërve, dhe do të kesh thesar në qiej; dhe eja, i çliruar nga gjithë këto ngarkesa, prona, pasuri dhe të mira, ndiqmë dhe bëhu nxënësi im. Kështu do të bëhesh trashëgimtar i sigurt i jetës së përjetshme.

Në atë moment, kur Krishti i thoshte këto, atij njeriu i ishin hapur dyert e qiellit. Por, çfarë i mbeti që të hyjë brenda dhe të bëhet trashëgimtar i mbretërisë dhe jetës hyjnore? Zbatimi besnik i asaj që i thoshte Krishti. Dhe, kush do të imagjinonte të kundërtën! Përderisa kishte kaq zell, kaq entuziazëm, duke qenë se shpirti i tij fluturonte në qiell, si të mos bënte atë që i tha Krishti, për t’i garantuar qiellin e dëshiruar? E megjithatë nuk e bëri!

Sapo dëgjoi fjalën dhe propozimin e Zotit, u vrenjt, u brengos dhe u kthye për të ikur! Por, përse? Sepse ishte shumë i pasur. Kishte shumë pasuri. Dhe, si t’i mohojë dhe t’i ndajë pasuritë e tij për të mirat qiellore? Ai i donte që të dyja. Dhe qielloret dhe tokësoret. Dhe të Krishtit dhe të arit. Dhe Perëndinë dhe mamonain. Donte t’i bashkonte, të pajtonte të papajtueshmet, dhe kur pa se kjo nuk bëhet, u hidhërua shumë dhe iku. Zoti, kur e pa aq të brengosur, tha ato fjalë të frikshme: “Sa me vështirësi do të hyjë një njeri me shumë para në Mbretërinë e Perëndisë”. Dhe shtoi, “më kollaj është të hyjë gamilja nëpër vrimën e gjilpërës, se një i pasur të hyjë në mbretërinë e Perëndisë”.

Dhe sigurisht, kështu është, përderisa kanë mjetet të bëjnë të mirat e botës . Dhe, duke qenë se kërkojnë Mbretërinë e Perëndisë, t’i bëjnë ato të mira me pasuritë që kanë, për të siguruar Mbretërinë Hyjnore. Nëse nuk bëjnë të mira, do të thotë se shpirti i tyre është ngjitur pas parasë dhe pasurisë, pas mamonait, perëndisë së këtij shekulli. Kështu që bëhet e pamundur kjo gjë. Ata që e dëgjuan atëherë këtë gjë u trembën dhe thanë me shumë dyshim: vallë, kush do të shpëtojë? Nëse ata që kanë pasuri dhe mund të bëjnë të mira, nuk mund të shpëtojnë, ne të varfrit që nuk kemi të bëjmë të mira, si do të shpëtojmë? Dhe Zoti iu përgjigj: “Të pamundurat për njerëzit janë të mundura për Perëndinë”. Ato që njeriu nuk mund t’i arrijë vetë, e mbështet Perëndia dhe i arrin. Mjafton ta dojë, ta kërkojë dhe të luftojë për ta arritur.

II

Kjo, fatkeqësisht, ndodh në shumë njerëz. I kanë frikë Perëndisë. E duan përjetësinë, u shmangen mëkateve të rënda, shkojnë në kishë, kreshmojnë paksa, kungohen rrallë herë, e ndezin kandilin në shtëpi dhe djegin temjam. Studiojnë libra fetarë dhe bëjnë kryqin me shprestari… Asnjë nuk i akuzon. Por, këto -megjithëse, jo shumë të vështira- a janë të vetmet që duhet të zbatojnë?

A e kontrolluan jetën e tyre mos ekzistojnë dobësi të brendshme, nga të cilat nuk duan të çlirohen? Mos ekzistojnë lidhje mëkatare me persona dhe sende, nga të cilët nuk duan të heqin dorë? E pyetën mirë ndërgjegjen e tyre që t’i informojë, nëse e duan Zotin me gjithë zemër, dhe të afërmin si veten e tyre? Janë të gatshëm të mohojnë disa nga dëshirat e tyre, disa lehtësi dhe plane personale për hir të Zotit dhe për t’i shërbyer të afërmit? Çfarë duhet të bëhet pra?

Të luftojmë pasionet tona. Pa e shtytur për më vonë. Që në moshë fëminore ato zhvillohen dhe rrënjosen. Nëse i lëmë, do të na zotërojnë dhe do të na hedhin në hadh. Domethënë, do të bëhet ajo që ndodhi me të pasurin e sotëm dhe ajo që tha Zoti për të pasurit: Më kollaj është të hyj gamilja nëpër vrimën e gjilpërës, se një i pasur lakmitar dhe argjenddashës të hyjë në mbretërinë e Perëndisë. Që në moshë të re, luftë kundër pasioneve. Cili pasion na pushton? Zemërim apo inat? Lakmi apo argjenddashje? Egoizëm apo lavdidashje? Lavdi e kotë apo luks? Imoralitet apo dehje? Kumar apo plangprishje? Le t’i luftojmë; le t’i mposhtim pa humbur kohë.

“Të pamundurat për njerëzit janë të mundura për Perëndinë”, do të thotë se Perëndia do të mbështesë me hirin e tij, njeriun, që të mund të shpëtohet nga ajo, e cila e robëron dhe e drejton në humbje; do të realizohet edhe në shpirtin e tij kjo mrekulli. Ajo që mendon se nuk mund të bëhet nga ana e njerëzve, do ta bëjë Perëndia dhe do të hapë rrugën për jetën e përjetshme, Mbretërinë e përjetshme, për të cilën pyeti i riu i pjesës së sotme të Ungjillit.

Dëshira e mirë nuk është e mjaftueshme për të shpëtuar. Ai që mjaftohet me dëshirën e mirë, nuk përpiqet me zell dhe vendosmëri për shpëtimin e tij, vë në rrezik të madh të ardhmen e përjetshme, veprën e tij kryesore: shpëtimin e shpirtit të tij të pavdekshëm. Sepse pas dëshirës së mirë mund të fshihen pasionet më të këqija. Mos vallë janë të ekzagjeruara këto?

Le të sjellim ndërmend sa njerëz të mirë, me dëshirë të kulluar, vërtiten rreth nesh. Dhe pikërisht për arsye të kësaj zemre dhe prirjeje të mirë, nuk duan ta prishin me asnjërin. Janë të mefshët e rëndomtë, që pajtohen me të gjithë dhe me të gjitha. Kështu, dëshira e mirë katandiset në një përikje ofruar dembelizmit të tyre dhe mungesës së përpjekjeve nga ana e tyre. E bën njeriun dezertor të luftës për t’u bërë të ngjashëm me Perëndinë, mohues të sakrificës për hir të vëllezërve të tij. Madje, shumë herë, nxirret përpara prija dhe dëshira e mirë, që të justifikohet kjo apo ajo shthurje…

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Kjo çështje duhet të na shqetësojë seriozisht. Me bazë pjesën e sotme të Ungjillit, le të rishqyrtojmë rrënjësisht mendimet tona për sa i përket dëshirës së mirë. Është sigurisht një mjet i çmuar dhe shumë i fortë. Por nevojitet diçka më shumë. Nevojitet luftë e vazhdueshme dhe vetëmohim, që arrin deri në flijim. Kur dëshira e mirë shoqërohet me shfaqje të tilla, atëherë, me siguri, gjendemi në rrugën e saktë për suksesin në qëllimet tona të mëdha, arritjen e përjetësisë. U Bëftë!

ME URIME TË PËRZEMËRTA DHE BEKIME TË SHUMTA:
MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS DHE KANINËS
† IGNATI