E Diela XIII e Llukait, kujdes nga rreziku i madh i narcizmit, nga Mitropolitit të Apollonisë & Fierit, H.Nikolla, 28.11.2021 (Tekst)
Një shkrimtar amerikan thekson se dembelizmi dhe narcizmi janë dy rreziqe të mëdha për njeriun dhe për shoqërinë njerëzore.
Ka shumë të drejtë të dashur besimtarë. Unë sot do të ndalem pak në pikën e dytë, përsa i përket narcizmit. Çdo të thotë të jesh narcist? Narcist do të thotë të jesh i dashuruar me veten tënde. Të duash vetëm veten tënde dhe interesin tënd.
Ishte kjo arsyeja që thellë-thellë fshihej tek ai i pasuri që dëgjuam në pjesën e Ungjillit të sotëm. Ai e pyeti Zotin: “ Çfarë duhet të bëj që të fitoj jetën e përjetëshme?” Zoti i tha: “ Nëse do me të vërete të bëhesh i përsosur dhe të fitosh jetën e përjetëshme, shit pasurinë tënde dhe ndaje më të varfërit dhe më ndiq Mua.” Por djali iku i hidhëruar. Brenda këtij hidhërimi fshihej narcizmi i tij. Nuk donte që ato që ishin të tijat t’i merte dikush tjetër, t’i ndante me të tjerët. Në momentin që i tha Zoti që t’i duhet të ruash porositë, mos vidh, mos vrit, mos bëj dëshmi të rreme, ndero atin dhe nënën tende, ai mendonte dhe pohonte se i kishte ruajtur, por edhe brenda kësaj fshihen elementët narcist. Nuk i kushtonte asgjë atij që të jepte diçka nga vetja e tij, nuk e privonte nga dashuria për veten e tij, nuk cënohej asgjë nga vetja e tij kur ai ruante porositë, “mos vidh, mos vrit, mos bëj dëshmi të rreme, ndero atin dhe nënën tende”.
Sapo u cënua interesi i tij, kur Zoti i tha jep nga pasuria jote, atëherë ai iku i hidhëruar. Narcizmi fshihet pak a shumë në shkallë të vogël ose të madhe tek secili prej nesh. Secili nga ne është pak narcist, por është shumë i rrezikshëm për jetën tonë. Jo më kot po të shikojmë, dy porositë më të mëdha që na ka dhënë Zoti, janë ato që luftojnë rrënjën e së keqes, luftojnë narcizmin tonë, luftojnë dashurinë për veten tonë. Çfarë thotë Zoti? “ Të duam Perëndinë me gjithë fuqinë tënde, me gjithë mendjen tënde, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd” dhe “ Duaj të afërmin si veten tënde.” Godet Zoti narcizmin tonë, atë që është e fshehur brenda thellë në zemrën tonë.
Ky nracizëm mund të jetë në shumë mënyra. Mund të jetë narcizëm gjinorë, farefisnorë, kulturorë, fetarë, kombëtarë etj. Ja sot neve festojmë Festën e Pavarësisë dhe një rrezik shumë i madh është narcizmi nacionalist. Shumë i rrezikshëm. Ishte pikërisht ky narcizëm nacionalist që nxiti Hitleri brenda kombit Gjerman dhe ne dimë pasojat e Luftës së Dytë Botërore, me miliona hebrenj të vrarë dhe miliona të tjerë të vrarë.
Kur dëgjuam Ungjillin e sotëm, ne shpesh herë mund të keqkuptohemi, që pasuria është e keqe. Jo nuk është pasuria e keqe, edhe i pasuri nuk është i keq, narcizmi është i keq, dashuria për veten tonë, dashuria për të pasur gjithçka për veten tonë është e keqe. Kemi plot histori që tregohen të Bibël dhe në jetën tonë për jerëz që kanë qënë të pasur por e kanë fituar Mbretërinë e Perëndisë. Abrahami ishte i pasur, por ai ishte shumë mikpritës, bamirës, aq sa Zoti e quan vetë Abrahamin si mik të Perëndisë. Askush tjetër në Bibël nuk quhet mik i Perëndisë si Abrahami. Jobi ishte shumë i pasur, por ai ishte shumë bamirës. Si na thuhet, nuk kishte njerëz të varfër, nuk kishte jetim, nuk kishte të veja që nuk gjenin ngushëllim tek Jobi, nuk gjendej njeri që ai nuk e kishte ndihmuar. Perëndia nuk lavdëron askënd tjetër si Jobi dhe i thotë: “ Nuk ka njeri me besë aq të fortë sa ka Jobi.”
Le të bëjmë kujdes të dashur besimtarë nga ky rrezik i madh i narcizmit. Në një mënyre, me dashje ose pa dashje, ne mund të ngulim thellë rrënjët tek kjo ide dhe kjo do të jetë e dëmshme për veten tonë, për shoqërinë tonë.
Le të heqim dorë nga kjo ide dhe le të ndjekim ato që thotë Zoti: “ Nëse duam me të vërtetë që të fitojmë jetën e përjetëshme, rruga është të duam Perëndinë dhe të duam të afërmin tonë. Le ti lutemi Zotit, që të na bëj me të vërtet pjesëtarë të Mbretërisë së Tij. Amin!