Omologjet Stefani i ri.
Lindi në Konstandinopojë nga prindër të shquar dhe të perëndishëm, të cilët për një kohë të gjatë nuk kishin pasur fëmijë. Patën fëmijë kur Nëna e Zotit, e Tërëshenjta Mari, iu shfaq dhe ata premtuan se fëmijën do t’ia kushtonin shërbimit hyjnor. E pagëzuan nga patriarku Gjerman (12 maj) dhe i dha emrin e martirit të parë Stefan. Kur erdhi koha që prindërit ta kushtonin fëmijën tek Perëndia, perandori Leoni III Izauriani (717-741) filloi të merrte masa për ndalimin e nderimit të ikonave të shenjta dhe filloi të persekutonte mbrojtësit e orthodhoksisë.
Atëherë, ata menduan të largoheshin nga kryeqyteti dhe ta besonin djalin tek murgjit, pranë Nikomedisë. Djali, ende 16 vjeç, u prit me gëzim nga murgjit dhe veshi skimën engjëllore. U bë dishepull i Joanit, pasuesit të pestë të shën Afksentit. Disa vite më vonë, i ati i Stefanit vdiq dhe ai u kthye në Konstandinopojë që të rregullonte pasuritë dhe t’ua shpërndante të varfërve. Mori me vete nënën e tij dhe një nga të motrat, të cilat u bënë murgesha në një manastir afër tij, ndërsa motrën tjetër e la të hynte në një manastir të kryeqytetit.
Joani, ati i tij shpirtëror, pak përpara se të ndërronte jetë, e caktoi Stefanin pasues të tij. Nën drejtimin e tij manastiri u zgjerua, numri i murgjve u rrit. E organizoi jetën në manastir dhe për vete u tërhoq diku më larg që t’i jepej lutjes së pandërprerë, ndërsa në manastir si igumen la një nga nxënësit e tij Marinin.
Kur Leoni vdiq (741), djali i tij Konstandini V u kurorëzua perandor. Ai shpalli një persekutim të egër kundër ikonave. Shkatërroi kisha, i zbardhi muret që zbukuroheshin më përpara me afreske, dogji ikonat, i pikturoi kishat me imazhe profane dhe dekorative. Të gjithë që dilnin kundër kësaj vale, ndëshkoheshin, torturoheshin dhe dëboheshin. Shumë u larguan për në Detin e Zi, në Gjirin Persik, në Qipro, në Siri dhe veçanërisht në Italinë e Jugut ku dhe shumë murgj gjetën strehë atje. Më 754, tirani mblodhi një pseudokëshill në pallatin e Hierasë, përbërë nga 300 episkopë, dhe shpalli zyrtarisht zhdukjen e kultit të ikonave. Shkatërruan edhe shumë lipsane shenjtorësh. Rrëfyesit e besimit digjeshin, rriheshin dhe burgoseshin. U ndoq një persekutim sistematik kundër murgjërisë; shumë manastire u mbyllën, i shndërruan në kazerma, banja apo ndërtesa publike. Murgjit i kthyen në laikë të thjeshtë, madje nën kërcënim i detyronin të martoheshin. Ata që kundërshtonin, ua prisnin hundën dhe gjuhën.
Sa për kapjen e shenjtit, shpifën se kishte një lidhje me një nga murgeshat në një manastir pranë tij. E kapën edhe atë edhe murgeshën Ana, të cilën e çuan në Konstandinopojë para perandorit, ku e torturuan. Vuajtjet e shenjtit nuk mbaruan. E akuzuan se kishte imponuar një të ri të bëhej murg. E ndaluan dhe e mbyllën në një manastir të Konstandinopojës, ndërsa manastirin e tij e dogjën dhe dishepujt u shpërndanë. E nxorrën përpara teologëve, por me oratorinë e tij brilante mbrojti traditën e Etërve të shenjtë. E dënuan me internim në ishullin e Prekonisë në Propontidë (755). Përfitoi nga kjo kohë që të qëndronte në qeli dhe të asketizonte.
Kreu mrekulli të ndryshme, dhe kjo bëri që fama e tij të përhapej kudo. Por për t’i dhënë fund prestigjit të tij, perandori e transferoi shën Stefanin në Konstandinopojë, në burgun e pretorit. Atje gjeti edhe 342 murgj të tjerë, rrëfyes të besimit; të gjithë me nga një shenjë të betejave të tyre të lavdishme: një me hundë të prerë, një tjetër me vesh apo gjuhë të prerë. Pas 11 muaj burgim, shenjti e ndjeu vdekjen të afrohej. E tërhoqën zvarrë dhe e mbuluan me sharje dhe goditje. Kur turma e njerëzve arriti në kishën e Shën Theodhorit, një nga persekutuesit e tij e qëlloi në kokë me një shkop dhe ia dërrmoi kokën. Trupin e shenjtit e copëtuan dhe e hodhën në një gropë që ruhej për idhujtarët, më 28 nëntor 766, kur ishte në moshën 53 vjet.
* * * * *
Dëshmor Irinarku.
Gjatë persekutimit të Maksimianit, shtatë gra të qytetit të Sebastës u nxorën para qeveritarit, i cili i kishte kritikuar që kishin tërhequr bashkëshortët e tyre në besimin e të krishterëve. Kur pa qëndresën dhe vendosmërinë e tyre para kërcënimeve, një nga xhelatët, i quajtur Irinark, i ndriçuar nga hiri hyjnor, rrëfeu Krishtin dhe deklaroi se ishte gati për martirizim.
7 gratë i sollën në brigjet e liqenit ku u martirizuan 40 martirët (9 mars), por ato nuk pranuan t’u sakrifikonin idhujve dhe ua rrëzuan statujat në ujë. Qeveritari i torturoi mizorisht dhe dha urdhër t’u prisnin kokat. Një grua kishte me vete dy fëmijët e saj, të cilët i kërkuan t’i dorëzonte në duart e shën Irinarkut, para se t’i ofroheshin vdekjes.
Pas vrasjes së grave të shenjta edhe Irinarkut i kërkuan që t’u sakrifikonte idhujve.
Meqë ai po tallej me pafuqinë e tiranit, e hodhën në liqen. Por uji u ngurtësua menjëherë dhe 68 ushtarë, që shkuan ta kapnin në mes të liqenit, u përpinë nga ujërat. Me nxitjen e një engjëlli, Irinarku u kthye në breg, ku u pagëzua nga prifti Akak. U kap përsëri dhe, pasi dëboi demonët që banonin në një tempull pagan, shenjtin e dënuan të vdiste në zjarr. Ai hyri vetë në furrën e zjarrtë bashkë me prift Akakin, kur erdhën me gatishmëri edhe të dy fëmijët, që t’ia ofronin jetën e tyre Krishtit.
Në mes të furrës, Irinarku dhe Akaki iu lutën Zotit për besimtarët që do të nderonin kujtimin e tyre. Më pas xhelatët i nxorën dhe u prenë kokat. Një grua e shenjtë mblodhi lipsanet e tyre dhe i varrosi pranë liqenit. Më vonë në atë vend u ndërtua një kishë për nder të tyre.