APOSTULLI – 1 Thesalonikasve 2:14-20
Sepse ju, o vëllezër, bëtë sikundër bënë kishat e Perëndisë, që janë në Jude në Krishtin Jisu, se edhe ju pësuat po ato prej bashkëkombasve tuaj, sikurse edhe ata prej Judenjve, të cilët edhe Zotin Jisu e vranë edhe profetët e tyre, edhe ne na përndoqën, edhe Perëndisë s’i pëlqejnë, edhe gjithë njerëzve u janë kundër; të cilët na ndalojnë t’u flasim kombeve që të shpëtojnë, për të mbushur përherë mëkatet e tyre; por zemërimi arriti mbi ata përfundimisht.
Po ne, o vëllezër, të mbetur pa ju për pak kohë larg syve, po jo zemrës, më tepër u përpoqëm me shumë mall të shohim fytyrën tuaj. Prandaj deshëm të vijmë tek ju, më fort unë Pavli, edhe një edhe dy herë, po na ndaloi Satanai. Sepse cila është shpresa jonë, a gëzimi, a kurora e mburrjes përpara Zotit tonë Jisu Krisht në ardhjen e tij në mos qofshi edhe ju? Sepse ju jeni lavdia jonë dhe gëzimi.