Dëshmore e madhe Ekaterina e 150 oratorët.
Lindi në Aleksandri, kryeqytet i Egjiptit dhe metropoli i shkencave dhe arteve. Ishte bija e një zotërie të pasur e të fuqishëm, Konstus (ose Cestus). Përveç fisnikërisë, Perëndia e kishte pajisur me bukuri të rrallë, që të gjithë e admironin dhe i kishte dhënë zgjuarsi të jashtëzakonshme. Vajza e re ndoqi mësimet e mësuesve më të mirë dhe të filozofëve më të ndritur: arriti të kapte arsyetimet më të ndërlikuara dhe të zotëronte me të njëjtin sukses sistemet filozofike të Aristotelit, të Platonit dhe të nxënësve të tyre më të rinj. Shkëlqeu gjithashtu edhe në artin e gjuhës, njihte poetët më të mëdhenj, nga Homeri deri te Virgjili dhe mund të bisedonte për çdo temë në shumë gjuhë, të cilat i kishte mësuar pranë dijetarëve dhe nga udhëtarët që vinin e qëndronin në atë qytet kozmopolit. Zotëronte të gjitha shkencat natyrore, veçanërisht mjekësinë dhe asnjë fushë tjetër e urtësisë njerëzore s’mund t’i shpëtonte frymës së saj depërtuese dhe të etur për dije.
Në moshën 18-vjeçare kishte arritur një nivel kaq të rrallë të shkencës, sa e admironin edhe të urtët më të sprovuar. Ky reputacion, kjo fisnikëri e origjinës së saj, bukuria dhe pasuria e bënë të lakmohej nga shumë, dhe pretenduesit për martesë vinin dhe e kërkonin për grua. Por Ekaterina, ngaqë parandjeu shkëlqimin e dëlirësisë, refuzonte tërë kërkesat dhe u kishte vënë si kusht prindërve të gjenin një njeri, i cili do të ishte i barabartë me të në fisnikëri, pasuri, bukuri dhe dije.
E ëma, e dëshpëruar ngaqë s’mund të gjente një rast të tillë, e dërgoi të bijën të këshillohej me një asket të shenjtë të krishterë, i cili jetonte diku jashtë qytetit. Ai i tha Ekaterinës se njihte një njeri që kishte urtësi edhe më të lartë se ajo, parimin e vetë qenieve të dukshme e të padukshme. Kjo urtësi është gjithashtu superiore nga ç’mund të imagjinohet, sepse posedon pushtet mbi mbarë universin dhe e krijoi botën me fuqinë e tij. Zoti i botëve, parimi i çdo urtësie dhe i çdo shkence, tha ai, është edhe më i bukuri nga të gjithë bijtë e njerëzve, sepse është Perëndia i mishëruar: Biri dhe Fjala e përjetshme e Atit, që u bë njeri për shpëtimin tonë dhe që dëshiron të bashkohet me çdo shpirt të dëlirë. Asketi i dha një ikonë të Hyjlindëses që mbante në krahët e saj fëmijën-Perëndi. Natën që pasoi, Ekaterinës iu shfaq Hyjlindësja, por Krishti kthehej prapa dhe nuk pranonte ta shikonte, duke thënë se ishte e shëmtuar dhe e ndotur, sepse ende i nënshtrohej vdekjes dhe mëkatit.
E shqetësuar, Ekaterina shkoi prapë tek asketi dhe ai i mësoi misteret e besimit dhe e bëri të rilindte për në jetën e përjetshme me anë të pagëzimit. Hyjlindësja iu shfaq përsëri atëherë, duke mbajtur në duar Krishtin që rrezatonte gëzim: “Ja tek e shikoj të shndritshme dhe të bukur, të pasur e vërtet të urtë tha Krishti tani e pranoj si të fejuarën time shumë të pastër!”. Për të vulosur këtë fejesë qiellore, Hyjlindësja i kaloi në gisht një unazë dhe e bëri të premtonte se nuk do të pranonte asnjë bashkëshort në tokë.
Në këtë periudhë, perandor Maksimini (305-311), pas Dioklecianit, donte të detyronte tërë qytetarët, me kërcënimin se ndryshe do të dënoheshin, që të merrnin pjesë në sakrifikimin për idhujt, si shenjë e nënshtrimit ndaj fuqisë së vet. Ndërsa në Aleksandri zhvilloheshin rite të tilla të pabesa, Ekaterina u paraqit para perandorit në tempull, e nderoi si sovran, por dënoi ashpër adhurimin e krijesave.
Ky u mahnit nga bukuria shkëlqyese e virgjëreshës së re dhe nga guximi i saj, ndaj i dëgjoi arsyetimet e saj dhe u bind nga mençuria që vajza kishte. Ekaterina i propozoi që të ballafaqohej në një diskutim publik me të urtët dhe oratorët më të shquar. Sovrani pranoi dhe dërgoi lajmëtarë në tërë skajet e perandorisë, për të mbledhur të diturit, filozofët, oratorët dhe dialektikët. Erdhën rreth 150 në Aleksandri dhe dolën para perandorit dhe turmës që ishte mbledhur në amfiteatër. Përballë kishin vajzën e brishtë, e vetme, por që shndriste nga hiri i Shpirtit të Shenjtë. Nuk iu druhej, pasi kryeengjëlli i shenjtë Mihail iu shfaq dhe e siguroi që Zoti do t’i fliste me gojën e tij dhe do të mundte urtësinë e botës me Urtësinë që vjen nga lart. E siguruar, Ekaterina dëfteu gabimet dhe kontradiktat e orakujve, të poetëve dhe filozofëve. Ajo tregoi se vetë ata kishin njohur se të ashtuquajturit perëndi të paganëve janë demonët dhe shprehja e pasioneve njerëzore. Për të mbështetur argumentet e saj, kujtoi disa orakuj të Sibilës dhe të Apolonit, të cilët njoftonin në mënyrë të turbullt Mishërimin Hyjnor dhe Pësimin shpëtimtar të Birit të Perëndisë.
I demaskoi fabulat dhe mitet e tyre dhe shpalli se bota është krijuar nga asgjëja nga i vetmi Perëndi i vërtetë dhe i përjetshëm dhe që njeriu u çlirua nga vdekja nëpërmjet mishërimit të Birit unik të Atit. Dijetarët heshtën, s’kishin më argumente, oratorët njohën fajin e tyre dhe i kërkuan shenjtores pagëzimin e shenjtë. Perandori, i tërbuar nga ky dështim, i kapi 150 të diturit dhe i dënoi të vdisnin në zjarr, më 17 nëntor. Pasi u mundua më kot të bindte Ekaterinën me lajka, e torturoi dhe e burgosi, duke menduar një mjet të frikshëm torture, përbërë nga katër rrota ku ishin ngulur gozhdë dhe i kishin lidhur përmes një aksi. Kur mjeti ishte gati, e lidhën në të shenjtoren, por një engjëll erdhi dhe e çliroi dhe rrota mori tatëpjetën, duke vrarë shumë paganë gjatë rrugës.
Gruaja e Maksiminit u kthye në besim kur pa këtë shfaqje të vajzës së re dhe e vizitoi në burg, e shoqëruar nga gjeneral Porfiri, një mik i afërt i sovranit dhe nga 200 ushtarë, të cilët edhe këta u bënë nxënës të Krishtit. Shën Ekaterina i priti me gëzim dhe u paratha se do të merrnin lavdinë e atletëve të denjë të besimit. Perandori harroi çdo ndjenjë njerëzore kur mësoi dezertimin e të afërmve të tij. E torturoi mizorisht të shoqen dhe ia preu kokën më 23 nëntor. Të nesërmen i sollën përpara Porfirin dhe ushtarët dhe urdhëroi t’u prisnin kokat.
Më 25, Ekaterina u nxor nga qelia dhe doli para gjykatës më e bukur dhe rrezatuese nga gëzimi qiellor, sepse pa se dita e martesës së saj me Krishtin kishte mbërritur. E çuan jashtë qytetit dhe, pas një lutjeje të fundit drejtuar Krishtit, i Cili i kishte zbuluar thesare të pashtershme të urtësisë së vërtetë, shenjtores i prenë kokën.
Dy engjëj u shfaqën dhe e trasferuan trupin e saj nga Aleksandria për në Malin Sina. U zbulua në shekullin e 8-të nga një asket që banonte jo larg nga aty dhe u transferua në manastirin e themeluar në shekullin e 6-të nga perandori Justinian. Dhe gjendet edhe sot e kësaj dite atje dhe buron erë qiellore dhe kryen shumë mrekulli.
* * * * *
Dëshmor Mërkuri.
Vinte nga provinca e Azisë (në perëndim të Azisë së Vogël) dhe ishte i biri i një skithi, që u bë fshehurazi i krishterë, me emrin Gordian. Shën Mërkuri shërbeu në ushtritë perandorake në kohën e Deciusit (251) dhe të Valerianit (253-260). Një ditë, kur ishte në fushatë kundër barbarëve, një engjëll drite iu shfaq dhe i dha një shpatë me urdhrin për të luftuar me besimin dhe ndihmën e Krishtit Perëndi. I mbushur me guxim nga ky vegim, i riu vrapoi në përleshje dhe depërtoi në mes të armiqve, duke iu futur frikën me shpatën qiellore dhe arriti deri te gjenerali i barbarëve, Riga, të cilin e vrau në dyluftim. Kur morën lajmin e vrasjes së kryetarit të tyre, trupat barbare i zuri paniku dhe u shpërndanë.
Kur perandori mësoi aktin e trimërisë së Mërkurit, e ftoi pranë tij, e vuri të ulej në të njëjtën tryezë dhe, pavarësisht moshës së re, e nderoi me gradën gjeneral. I joshur nga nderet dhe kënaqësitë e oborrit, i riu i krishterë i harroi detyrat ndaj Mbretit të vërtetë. Atëherë një engjëll iu shfaq natën dhe i kujtoi se atë shpatë, me të cilën kishte korrur fitore, ia kishte dhënë Krishti, si shenjë e martirizimit që do të kishte. Mërkuri u zgjua nga gjumi i neglizhencës dhe të nesërmen, teksa perandori e kishte ftuar t’i sakrifikonte Artemidës, ai nuk pranoi të shkonte. U thirr nga sovrani, rrëfeu se ishte i krishterë dhe hodhi përdhé shenjat dalluese ushtarake, për të treguar se ishte i vendosur të braktiste lavdinë tokësore dhe të ballafaqohej me vdekjen për Krishtin.
Menjëherë e burgosën dhe e munduan, por çdo gjë e duroi, sepse i njëjti engjëll i Perëndisë që i ishte shfaqur më përpara, iu rishfaq në qeli për t’i dhënë zemër dhe shpresë. I plagosur nga të gjitha anët me goditje shpate dhe i varur mbi një furrë të zjarrtë, gjaku i rrodhi lumë, aq sa shoi edhe zjarrin. E varën me kokën poshtë dhe e kamxhikuan me rripa bronzi. Më në fund, e çuan në Qesari të Kapadokisë, i prenë kokën me urdhër të perandorit. Ishte 25 vjeç, por trashëgoi lavdi të përjetshme në ushtrinë qiellore.