Hyrja e Hylindëses në Tempull, predikim nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjith Myzeqesë, H. Ignati, 21.11.2021 

 

 

Hyrja në Kishë e së Përbishenjtës Zonës sonë Hyjlindëse dhe gjithmon – Virgjër Mari.
(Hebrenjve 9:1-7)

“Kishte pra, edhe tenda e parë rregulla adhurimi…” (v. 1).

Sot Kisha jonë kremton hyrjen në tempull të Hyjlindëses. Historiku i së kremtes në fjalë është si më poshtë: Ana, nëna e Hyjlindëses, meqenëse kaloi pothuajse gjithë jetën e saj shterpë, pa lindur fëmijë, iu lut Perëndisë, bashkë me burrin e saj Joakim, t’u dhurojë fëmijë. Dhe, nëse do të bëhej kjo, menjëherë, do t’ia kushtonin Perëndisë. Dhe me të vërtetë, Perëndia e mirëpëlqeu, dhe Ana lindi të Përmbishenjtën, Hyjlindësen Mari. Kur ajo u bë 3 vjeç, prindërit e saj e morën dhe ia ofruan Perëndisë, duke e çuar në tempullin e Perëndisë, në Jerusalem. Ia dorëzuan kryepriftit Zaharia, i cili e futi në të Shenjtat e të Shenjtave, ku vetëm kryeprifti hynte një herë në vit; por Zaharia njihte, nëpërmjet një zbulese, çfarë do të ndodhte me këtë vajzë. Atje, Virgjëresha, qëndroi 12 vjet dhe doli kur erdhi momenti të kontribuojë në mishërimin e Shpëtimtarit Jisu Krisht, “i cili na deshi e na dha ngushëllim të përjetshëm dhe shpresë të mirë me anë të hirit” (II Tim. 2:16).

Pjesa e Apostullit të shenjtë që dëgjuam, me përmbajtjen dhe simbolet që përmend, na shpjegon se gjithë simbolet e Tendës së Dëshmisë realizohen dhe përmbushen, -dhe sipas profetëve të tjerë-, në personin e së Përmbishenjtës Hyjlindëse, Nënës së Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht.

Le t’i vëmë re, se do të na ofrojnë shumë dobi shpirtërore.

* * *

“Tenda e Dëshmisë”, domethënë vendi ku adhurohej Perëndia nga izraelitët, kur ndodheshin në ecje, me synim tokën e premtuar, pra në një farë mënyre, si tempull i lëvizshëm, para se të ndërtohej tempulli i madh në Jerusalem; ishte ndërtuar sipas urdhërimit të vetë Perëndisë, që të ketë populli i tij i zgjedhur një vend shfaqjeje të lavdisë së Perëndisë dhe ndjenje të prezencës së Tij midis popullit të Tij.

Kjo Tendë e Shenjtë ndahej në tri pjesë. Së pari, në oborrin ku qëndronte populli. Atje ndodhej therorja me djegie të plotë dhe lanjtoria ku priftërinjtë lanin duart dhe këmbët, para ceremonive të shenjta. Së dyti, në Shenjtëroren dhe së treti në Shenjtëroren e Shenjtëroreve, që ishte simbol i qiellit dhe vendeve të shenjta të adhurimit hyjnor; diçka e barabartë, me tempujt e Kishës sonë të shenjtë, që ndahen në Narteks për katikumenët, Tempull Kryesor për të krishterët laikë dhe Ajodhimë për priftërinjtë.

Shenjtërorja, ku lejohej të qëndronin gjithë priftërinjtë, duke kryer detyrat e tyre, simbolizonte tokësoret, kurse Shenjtërorja e Shenjtëroreve ishte simbol i të përmbidheshmeve, të qielloreve. Në Shenjtërore, që ndahej nga Shenjtërorja e Shenjtëroreve me perde, ndodheshin Enët e Shenjta: Kandili i Artë me shtatë drita, për të ndriçuar, pasi Shenjtërorja e Shenjtëroreve nuk kishte dritare apo ndriçues të tjerë dhe rrjedhimisht mbizotëronte errësira. Dhe kjo ishte një simbol, që u përmendte judenjve se natyra e Testamentit të tyre ishte fantastik dhe mistik. Drita që derdhej prej saj ishte drita e një kandili të dobët, në krahasim me dritën e pasur dhe të bollshme që dilte nga Dielli i drejtësisë, që është Jisu Krishti dhe Testamenti i Tij i Ri.

Ena e dytë e hirshme në Shenjtërore ishte Tryeza. Ajo ishte prej druri akacie të veshur me ar; dhe shërbente për vendosjen e bukëve në të.

Këto bukë ishin pa brumë dhe rinovoheshin çdo javë. Këto dymbëdhjetë bukë i blatoheshin Perëndisë nga dymbëdhjetë fiset e Izraelit, si ushqim kushtuar Perëndisë, të cilat i hanin priftërinjtë si përfaqësues të Tij. Ky ushqim është simbol i furnizimit që do të bëhej nga Zoti Krisht në pallatin e Perëndisë, që është Kisha, nëpërmjet Falënderimit Hyjnor, domethënë Kungatës së Shenjtë; me pjesëmarrjen në të, jo vetëm të priftërinjve, por edhe e të gjithë popullit të krishterë të rilindur me banjën e pagëzimit; kjo ishte e mjaftueshme për të plotësuar nevojat shpirtërore të të gjithëve.

Zoti është Buka e Jetës, që zbriti prej qiellit dhe jep jetë në tërë botën. Në shtëpinë e Atit tonë kemi bukë të tepërta (Luka 15:17). Mund ta marrim Bukën e Jetës nga duart e Zotit, nëpërmjet klerikëve, gjithmonë të freskët dhe madje çdo të diel, të rinovuar, me parapërgatitjen e duhur, ashtu si rinovoheshin bukët e tryezës çdo javë, dhe të bëhemi pjesëmarrës, me parapërgatitjen e duhur, në Kungatën e Shenjtë. Në këtë vend, -në Shenjtërore- ishte edhe therorja e temjanit, prej druri akacie, mbi të cilin priftërinjtë ofronin tamjanë çdo mëngjes dhe mbrëmje.

* * *

“Edhe pas kurtinës së dytë ishte vendi që quhet Shenjtërore e Shenjtëroreve” (v. 3).

Kurtinë e dytë, e quan këtë, sepse ndante Shenjtëroren nga Shenjtërorja e Shenjtëroreve, që do të thotë vend shumë i shenjtë. Kurse kurtina e parë ndante oborrin nga Shenjtërorja dhe e cila hapej dhe mbyllej. Ndërsa kurtina e dytë që ndante Shenjtëroren nga Shenjtërorja e Shenjtëroreve, në vend të derës, varej mbi pesë shtylla prej druri që nuk kalbet dhe të veshur me ar. Në Shenjtëroren e Shenjtëroreve ishin Enët e Shenjta si më poshtë:

1 Temjanica e artë me të cilën kryeprifti temjaniste Arkën përgjatë ditës së larjes së mëkateve, që bëhej një herë në vit.

2 Një arkë e tëra në ar, që quhej Arka e Testamentit. Ajo ishte dy kut e gjysmë gjatësi, 1 gjerësi dhe 1 lartësi. Kjo arkë konsiderohej si shtesa më e shenjtë e gjithë tendës sepse përmbante pllakat mbi të cilat ishin shkruar 10 Urdhrat e Dhiatës së Vjetër dhe simbolet e tjera të saj. Një shtambë e artë me pak nga Mana, me të cilën Perëndia ushqente izraelitët në shkretëtirë dhe shkopin e Aaronit që, megjithëse ishte i thatë, lulëzoi çuditërisht për të treguar fuqinë dhe mbrojtjen e Perëndisë. Mbi Arkë ishin dy Keruvime të arta, që hidhnin hijen e krahëve të tyre në “vendin e larjes së mëkateve”. Ato ishin si kapak të Arkës dhe mbulonin përmbajtjen e saj së hirshme.

Mbi “vendin e larjes së mëkateve” shfaqte veten dhe lavdinë e Tij Perëndia dhe fliste tek populli nëpërmjet Moisiut. Sigurisht të gjitha këto ishin simbolike. Simbol dhe hije të atyre që do të vazhdonin në periudhën e Dhiatës së Re. “Vendi i larjes së mëkateve” simbolizonte Krishtin “të cilin, -siç dëshmon apostull Pavli-, Perëndia e vuri që përpara, që të jetë mjet shpërblimi (faljeje, pajtimi) me anë të besimit në Gjakun e Tij, që të tregojë drejtësinë e Tij, për ndjesën e mëkateve që qenë bërë përpara, me anë të durimit të Perëndisë” (Rom. 3:25)

* * *

Tenda ishte simbol i Kishës dhe veçanërisht i së Tërëshenjtës. E Tërëshenjta u tregua “Arka e Gjallë”, “Tenda e vërtetë” –vendbanimi i Fjalës dhe Perëndi. Nëpërmjet saj u shfaq Perëndia në botë, “në personin e Jisu Krishtit”, dhe jo vetëm lavdia e Tij, siç bëhej në Tendën e Dhiatës së Vjetër, por Personi i dytë i Trinisë së Shenjtë.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Çfarë thonë të gjitha këto për ne? Do të thotë se kemi Hyjlindësen tek e cila mundemi të përikim që të ndihmohemi dhe të tërheqim përdëllimin e Perëndisë. Mjafton të mendojmë se natyra njerëzore e Zotit Krisht, që mori prej Hyjlindëses, solli në kontakt tërë njerëzimin – dhe secilin prej nesh veçanërisht- me Shpëtimtarin Krisht; “u bëmë pjesëtarë të natyrës hyjnore të Perëndisë” (II Pjetri 1:4).

Hiri hyjnor na shpëton nga armiqësia dhe vdekja e mëkatit. Por këto dhurata të Hirit Hyjnor kërkojnë disa kushte. Kryesisht pendimin dhe përpjekjen shpirtërore për ndërtim shpirtëror.

Shën Simeoni, teologu i ri, në himnin shumë shprehës të Kungatës Hyjnore, thotë: “Më ngazëllove me mallin tënd, o Krisht, dhe më ndryshove me dashurinë tënde hyjnore; po digji me zjarr të palëndshëm mëkatet e mia dhe bëmë të denjë të nginjem me ëmbëlsinë tënde, që duke kërcyer të të madhëroj, o i Mirë, të dyja ardhjet e tua”.

Drejt këtyre synimeve të larta, na orienton e Tërëshenjta jonë; do t’i ndjekim? Lum, me hirin e Zotit dhe ndërmjetimet e Hyjlindëses, t’i arrijmë. U bëftë.

ME URIME TË PËRZEMËRTA:
MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS, KANINËS DHE GJITHË MYZEQESË
† IGNATI