Hyrja e Hyjlindëses Mari në Tempull.
Kur fëmija e shenjtë dhe e dëlirë, që u dha nga Perëndia për gjininë njerëzore që mbeti shterpë për shkak të mëkatit, të pasioneve dhe vdekjes, arriti moshën 2-vjeçare, i ati, Joakimi, i tha së shoqes: “Le ta çojmë në tempullin e Zotit, që të përmbushet premtimi që bëmë, për ta dedikuar që në moshë të re tek i Tërëfuqishmi”. Por Ana u përgjigj: “Le të presim deri në tre vjet, se ndoshta kërkon të atin e të ëmën dhe s’qëndron në tempullin e Zotit.”
Kur u mbushën tre vjet, të dy bashkëshortët donin të plotësohej dëshira e tyre dhe e ofruan fëmijën në Tempull. Joakimi thirri atëherë vajzat e reja të hebrenjve nga fisi i pastër, që ta shoqëronin me pishtarë deri në tempull në mënyrë që, e tërhequr nga drita, fëmija të mos tundohej e të kthehej prapa drejt prindërve të vet.
Por Virgjëresha e shenjtë, e tërëpastër dhe e rritur nga Perëndia që në lindjen e saj në virtyt e dashuri për gjërat e larta qiellore, shkoi me vrap në Tempull. Parakaloi virgjëreshat që e shoqëronin, pa hedhur vështrim mbi botën dhe u hodh në krahët e kryepriftit Zaharia, i cili e priste para me pleqtë e tjerë. Zaharia e bekoi, duke thënë: “Zoti e lavdëroi emrin tënd në gjithë gjeneratat. Në ty ditët e fundit zbuloi Çlirimin që Zoti përgatiti për popullin e vet”.
Me këto fjalë të padëgjuara për burrat e Dhiatës së Vjetër, ai e futi në të Shenjtat e të Shenjtave, ku vetëm kryeprifti mund të hynte një herë në vit, për faljen e mëkateve të popullit. E uli në hapin e tretë të Shenjtërores, dhe Zoti zbriti hirin e Tij mbi të. Ajo u ngrit dhe kërceu duke shprehur gëzimin e saj. Të gjithë të pranishmit u ngazëlluan duke soditur këtë spektakël që lajmëronte mrekullitë e mëdha që Perëndia do të përmbushte në të.
Duke braktisur kështu botën, prindërit, lidhjet me gjërat e ndjeshme, Virgjëresha e shenjtë qëndroi në tempull deri në moshën 12-vjeçare. Por, kur arriti në moshë për t’u martuar, priftërinjtë dhe pleqtë patën frikë se mos ndotte Shenjtëroren, dhe kështu ia besuan Josifit të urtë, që të ishte kujdestar i virgjërisë së saj, duke u shtirur sikur qe i fejuari.
Përgjatë këtyre 9 viteve, e Tërëshenjta u ushqye me ushqim shpirtëror që ia sillte një engjëll i Perëndisë. Atje bëri jetë të pastër, më të lartë se ajo e të parëgatuarve në Parajsë. Pa asnjë shqetësim, pa pasion, i kishte kapërcyer nevojat e natyrës dhe tiraninë e kënaqësive të shqisave, jetonte vetëm për Perëndinë, me mendje të përqendruar në soditjen e bukurisë së Tij. Me lutjen e vazhdueshme dhe vigjilencën mbi veten, fëmija i shenjtë arriti gjatë këtij qëndrimi në Tempull të pastronte zemrën, që të bëhej pasqyrë e pastër ku reflekton lavdia e Perëndisë. U zbukurua me stolinë e shkëlqyer të virtyteve, si një e fejuar, që të ishte gati për ardhjen e Dhëndrit hyjnor, Krishtit. Arriti një përsosmëri të tillë, sa në të përmblidhej shenjtëria e botës, dhe u bë e ngjashme me Perëndinë nga virtyti, tërhoqi Perëndinë që të bëhej i ngjashëm me njerëzit përmes mishërimit të tij.
Kur hyri në Tempull, në moshën kur fëmijët e tjerë fillojnë të mësojnë, e Tërëshenjta, thellë atje dëgjonte çdo të shtunë leximet e Ligjit dhe të Profetëve që i bëheshin popullit në pjesën publike të Tempullit. Me mendje të mprehtë nga vetmia dhe lutja, ajo arriti në njohjen e kuptimit të thellë të mistereve të Shkrimit.
Duke jetuar në mes të gjërave të shenjta dhe duke medituar pastërtinë e saj, kuptoi se ishte plani i Perëndisë përgjatë historisë së popullit të tij të zgjedhur. Kuptoi se gjatë kësaj kohe ishte e nevojshme që Perëndia të përgatiste një nënë nga njerëzimi rebel, dhe si fëmijë i pastër, i zgjedhur nga Perëndia, ajo duhet të bëhej Tempulli i vërtetë, i gjallë i Hyjnisë. E vendosur në vend shumë të shenjtë ku ruheshin dëshmitë e premtimit të Perëndisë, Virgjëresha zbuloi se në personin e saj duhet të përmbusheshin simbolet dhe figurat. Ajo është Shenjtërorja, Tabernakulli i Fjalës së Perëndisë, Arka e Dhiatës së Re, Ena që përmban manën qiellore, Shkopi i Aaronit, Tryeza e Ligjit të Hirit.
Në të u zbuluan profecitë e errëta: ajo është Shkalla që lidh tokën me qiellin, të cilën pa në ëndërr patriark Jakovi, Shtylla me re që shfaqte lavdinë e Perëndisë, Reja e lehtë e profetit Isaia, Mali i palatuar i Danielit, Porta e mbyllur, prej së cilës kaloi Perëndia për të vizituar njerëzit, Burimi i gjallë dhe i vulosur që buron brenda nesh ujërat e Jetës së përjetshme. Duke soditur shpirtërisht këto mrekulli që duhet të përmbusheshin në të, pa kuptuar ende se si do të ndodhnin qartësisht, e Tërëshenjta drejtoi lutje tek Perëndia me më shumë zjarr, që Zoti të shpejtonte për të plotësuar premtimet e Tij, që të shpëtonte gjininë njerëzore nga vdekja, duke ardhur e duke banuar mes njerëzve.
Kur Hyjlindësja hyri në të Shenjtat e të Shenjtëve, koha e përgatitjes dhe e sprovës së Dhiatës së Vjetër mori fund, dhe sot kremtohet fejesa e Perëndisë me natyrën njerëzore. Ja përse Kisha gëzohet dhe i nxit miqtë e Perëndisë të tërhiqen edhe ata në tempullin e zemrës së tyre, për të përgatitur ardhjen e Zotit, me heshtje dhe lutje, duke u larguar nga kënaqësitë dhe përkujdesjet e kësaj bote.