UNGJILLI – Llukai 16:15-18, 17:1-4.

 

Edhe u tha atyre: Ju jeni ata që nxirrni veten tuaj të drejtë përpara njerëzve, po Perëndia i njeh zemrat tuaja; sepse ajo që është e lartë për njerëzit, neveri është përpara Perëndisë. Ligji dhe profetët kanë qenë deri te Joani; që nga atëherë jepet lajmi i mirë për mbretërinë e Perëndisë, dhe gjithësecili përpiqet të hyjë në të.

Edhe më lehtë është që qielli e dheu të shkojnë, se të bjerë një pikë nga ligji. Kushdo që lë gruan e tij dhe martohet me tjetër, shkel kurorën; edhe kushdo që martohet me grua të lënë prej burrit, shkel kurorën.

Edhe u thoshte nxënësve të tij: Eshtë e pamundur të mos vijnë skandalet; po mjerë ai, me anë të të cilit vijnë. Më mirë është për atë t’i varet një gur mulliri rreth qafës së tij dhe të hidhet në det, se të skandalizojë një nga këta të vegjlit. Vini re veten tuaj.

Edhe në të bëftë mëkat yt vëlla, qortoje; edhe në u pendoftë, falja. Edhe në bëftë mëkat shtatë herë në ditë, edhe të kthehet shtatë herë në ditë tek ti e të thotë: Pendohem, t’ia falësh.