Oshënar Grigori i Neoqesarisë.
Ati ynë i shenjtë Grigori lindi rreth vitit 214, në gjirin e një familjeje të ndritur pagane të Neoqesarisë, në Pont. E ëma e Grigorit, e vetmja përgjegjëse për kujdesin e tre fëmijëve të saj pas vdekjes së të shoqit, përpiqej t’u jepte një edukim të shëndoshë. Grigori, i cili atëherë quhej Theodhor, jo vetëm që tregoi dhunti të mëdha për studim dhe në veçanti për retorikën, por edhe mençuri të thellë dhe butësi të madhe.
Që nga mosha 14-vjeçare iu largua lojërave turbulluese të shokëve të tij, për t’u dhënë në soditjen e harmonisë së krijesës dhe duke shprehur mendime rreth ekzistencës së një Krijuesi të vetëm. Besimi i krishterë ishte pothuaj i panjohur në atë krahinë: në Neoqesari numëroheshin gjithsej vetëm 17 të krishterë. Shokët e tij, xhelozë për jetën e shenjtë dhe të pastër që bënte Grigori, paguan një ditë një prostitutë, që të hapte fjalë te njerëzit se Theodhori kishte rënë në shthurje me të. Kur i dëgjoi këto shpifje, i riu nuk kërkoi të justifikohej, as nuk u zemërua kundër tyre, por preferoi t’i jepte po aq para sa kishte marrë gruaja e përdalë për gënjeshtrat, që ta linte të qetë.
E ëma kishte vendosur t’i dërgonte të dy bijtë, Theodhorin dhe Athinodhorin, vëllanë e tij, të studionin për drejtësi në shkollën e famshme të Beritës (Bejrutit), por u kërkoi ta çonin më përpara motrën e tyre në Qesari të Palestinës, te bashkëshorti i saj. Atje vëllezërit njohën Origjenin e madh dhe, duke lënë pas çdo plan tjetër, ndoqën me etje mësimet e tij për 8 vjet. Ata u futën në theologjinë e krishterë nga mësuesi aleksandrin, por patën mjaftueshëm dallueshmëri që të mos binin në disa gabime të tij, të cilat erdhën si pasojë e disa spekullimeve tepër të guximshme për misteret hyjnore.
Kur u kthye në atdhe, shumë të pasur u turrën pas Grigorit, duke i propozuar privilegje për t’u bërë këshilltar i fëmijëve të tyre. Por i riu i hodhi poshtë tërë tërheqjet mashtruese të botës, për të shkuar në shkretëtirë, që të jetonte i vetëm para Perëndisë, në lutje dhe asketizëm. Kryepiskopi i Amasisë, Fajdimi, i cili kishte dëgjuar të flitej për virtytet e Grigorit dhe për dhuratat e tij në artin oratorik, u përpoq ta bindte të vinte në mitropoli, që ta hirotoniste episkop të Neoqesarisë. Por Grigori s’pranoi të linte shkretëtirën e tij e të kthehej në turbullimet e botës. Fajdimi bëri atëherë diçka të pazakontë të cilën e mundësoi vetëm sistemi kanonik jo i formuar mirë i një Kishe ende të re, e hirotonisi Grigorin në distancë, pa i vënë duart drejtpërdrejt, dhe i dërgoi një letër në të cilën vërtetonte se, donte apo jo, ai ishte zgjedhur tashmë episkop i qytetit të tij.
Grigori ishte rreth 30 vjeç dhe iu bind vullnetit të Perëndisë, por nuk e braktisi shkretëtirën, ku kishte kaluar shumë ditë e net në lutje, që Perëndia ta forconte në veprën e tij baritore.
Një natë, e Tërëshenjta dhe shën Joan Theologu iu shfaqën dhe i zbuluan qartazi misterin e unitetit të natyrës hyjnore dhe të dallimit midis tre Personave, me këto fjalë: “Ai është një Perëndi i vetëm, Atë i Fjalës së gjallë, i Urtësisë ekzistuese, i Fuqisë dhe i Vulës së përjetshme. Ai është Ati i përsosur i Birit të përsosur. Ka vetëm një Zot, i Vetëm prej të Vetmi, Perëndi prej Perëndie, vula dhe ikona e Hyjnisë, Fjalë e vërtetë.
Biri i vërtetë i Atit të vërtetë, i padukur prej të padukuri, i përjetshëm prej të Përjetshmi.
Dhe ka një Shpirt të Shenjtë që buron prej Perëndisë (Atë) dhe vjen nëpërmjet Birit. Ai është shkaku i jetës, burim i shenjtë dhe burim shenjtërimi. Në të dëftehet Perëndia Atë, që është mbi gjithçka dhe në çdo gjë, dhe Perëndia Bir, që është përtej çdo gjëje.
Trini e përsosur. Në Trini nuk ka asgjë të krijuar, as skllavëri, as diçka që do të kishte qenë më përpara, dhe që do të ishte futur më pas. Kështu, as Biri nuk i ka munguar Atit, as Shpirti Birit.”
I fuqizuar nga Shpirti i Shenjtë, ai u bë i denjë, si një Moisi tjetër, të merrte zbulimin e Mistereve drejtpërdrejt nga Perëndia. Grigori u tregua apostull i palodhur i besimit të vërtetë në tërë krahinën e Neoqesarisë. Kthente shumë si me fjalën, ashtu edhe me mrekullitë: dëshmi shpërthyese se fuqia e Perëndisë ishte me të dhe jo me demonët e pafuqishëm të paganëve; ndaj edhe mori epitetin Çudibërës.
Më 250, gjatë persekutimit të egër të Deciusit, Grigori me një numër të madh besimtarësh preferuan më shumë të largoheshin nëpër malet afër Neoqesarisë, sesa të jepeshin kot në vdekje. Në realitet, sa për vete, ai tashmë kishte vdekur prej kohësh për botën, si apostull Pavli (Fil. 1.24), por dashuria për grigjën e tij dhe meraku për të ruajtur Kishën, duke fuqizuar besimin e më të dobtëve, e kishte bindur për largimin. Në vendin ku u vendosën, ai lutej për martirët që dhanë gjakun dhe u përshkruante shokëve të vet betejat e tyre, sikur t’i kishte para syve. Në fund të persekutimit, u mblodhi lipsanet dhe porositi të kremtoheshin festa të mëdha për nder të tyre në të njëjtat ditë kur paganët e kishin zakon të shkonin në festimet e tyre, në mënyrë që e gjithë krahina të bëhej rrënjësisht e krishterë dhe shumë shpejt, zakonet e saj pagane u shndërruan në dëfrime shpirtërore.
Grigori vazhdoi të shkëlqente me çuditë e tij dhe me predikimin e besës orthodhokse për shumë vjet. Rreth vitit 275, disa ditë para se të nisej në qiej, u kërkoi të afërmve se sa paganë kishin mbetur në dioqezë. Mësoi se nuk ishin më shumë se 17, pikërisht i njëjti numër si ai i të krishterëve kur mori detyrën. Kështu fjeti me paqen dhe me gëzimin e shërbëtorit, që kreu besnikërisht detyrën që i ngarkoi Zoti i tij.
* * * * *
Oshënar Genadi i Konstandinopojës.
Shën Genadi ishte prift në Kishën e Konstandinopojës. Më 458, pas vdekjes së patriarkut Anatol (3 korrik), u zgjodh në fronin patriarkal, për shkak të përkushtimit dhe integritetit të sjelljeve.
U tregua ruajtës mjaft besnik i traditave apostolike dhe e drejtoi grigjën e tij shpirtërore me urtësi të madhe baritore. Vuri rregulla te kleri i prishur nga simonia (tregti me pushtetin fetar), caktoi pushim të detyrueshëm për të dielat dhe ruajti harmoninë e marrëdhënieve të Kishës me pushtetin civil. Mbrojti me zell besimin orthodhoks dhe përdori ndikimin e tij pranë perandorit për të dënuar patriarkun heretik të Antiokisë, Petro Fuloni. Shkëlqeu me shumë mrekulli që Perëndia i dha të bënte për përforcimin e Kishës. Një ditë, ai paralizoi dorën e një ikonografi, që kishte paraqitur Krishtin në formën e perëndisë pagan, Zeus.
Tregohet se në fund të jetës, duke mos dashur të drejtonte Kishën e nënshtruar ndaj perandorit heretik Leoni I (457-474), shën Genadi dha dorëheqjen dhe u nis në pelegrinazh për në Vendet e Shenjta, i veshur si murg i thjeshtë. Në kthim, ndaloi në Qipro që të nderonte vendet e shenjtëruara nga shën Ilarioni (21 tetor). Por gjatë rrugës, humbi dhe arriti në një qytezë me emrin Kisopetra. Një stuhi bore e bllokoi dhe shkoi e trokiti në derën e një vejushe, e cila nuk denjoi ta pranonte këtë të huaj dhe të nesërmen patriarkun e shenjtë e gjetën të vdekur nga të ftohtët në pragun e derës.
* * * * *
Oshënare Hilda.
Shën Hilda ishte e afërme e mbretit të Northumbrisë, një nga shtatë mbretëritë mes të cilave ishte ndarë Anglia e shekullit VII, në epokën kur kishte filluar të dilte nga paganizmi.
Falë predikimit të shën Paulinit, një nga misionarët e ardhur nga Roma, ajo kishte marrë pagëzimin e shenjtë dhe për 30 vjet u ushtrua në botë në virtytet ungjillore, deri ditën kur ndjeu thirrjen e Perëndisë dhe mori vendimin për ta braktisur botën, familjen dhe vendin e saj. Shkoi në mbretërinë e Anglisë Lindore, ku mbreti i atjeshëm ishte martuar me motrën e saj, me qëllim që të kalonte në Francë, për t’u bërë murgeshë në manastirin e famshëm të Qeleve, pranë Parisit, që varej nga Manastiri i Lukseilit (shih shën Kolombani, 21 nëntor), ku shkonin në atë epokë shumë virgjëresha të pasura saksone. Por shën Aidani (+651, shih 31 gusht), episkop i ishullit murgëror të Lindisfarnës, qendër e jetës së krishterë të asaj kohe në ishujt britanikë, e thirri në Northumbri dhe i dha një strehë të vogël, ku jetoi për një vit jetën murgërore në krye të një grupi të vogël virgjëreshash.
Aty dolën në pah menjëherë dhuntitë e saj shpirtërore dhe si drejtuese, ndaj u caktua si igumene në manastirin e Hartlepulit, duke kryesuar një komunitet të madh, dhe pas 9 vjetësh, më 657, ajo themeloi manastirin e Vitbit.
Për 30 vjet shën Hilda qëndroi në krye të këtyre dy manastireve dhe tregoi aftësi të jashtëzakonshme për drejtimin e murgeshave drejt Perëndisë, duke siguruar me dije
rregullin e bamirësitë, në atë pikë sa thoshin se manastiri i Vitbit ishte një ikonë e përsosur e Kishës së hershme, ku të gjithë, të pasur e të varfër, ndanin ç’kishin të përbashkët dhe ishin të bashkuar në të njëjtën dashuri. Ajo qeveriste gjithashtu edhe një manastir burrash, i cili ishte shtuar, siç ishte zakoni në ato kohë. Falë saj, ai u bë një qendër e vërtetë formimi për shumë misionarë dhe episkopë të shenjtë.
Mbretërit, princat e vendeve fqinje, episkopi Aidan dhe tërë popullata vraponin te shën Hilda për të marrë këshillat dhe mësimet e saj shpirtërore. E konsideronin që të gjithë si nënën e vërtetë shpirtërore të vendit. Pasi solli shumë shpirtra te Zoti për vite me radhë, ajo u sprovua për 6 vjet nga një sëmundje e rëndë, por që nuk e pengonte të vazhdonte drejtimin shpirtëror. Vitin e shtatë të këtij martirizimi, më 17 nëntor 680, në moshën 66-vjeçare, mblodhi bijat shpirtërore, u dha porositë e saj mbi dashurinë dhe fjeti në paqe. Një tjetër shenjtore e asaj kohe, shën Begji, pa shpirtin e saj të ngrihej në qiell.
Shën Hilda ishte me shën Ebën e Koldingamit (25 gusht), një nga figurat e mëdha femërore të Krishterimit të ri anglosakson dhe dha një nga shembujt e rrallë të një nëne shpirtërore që mori nga Perëndia dhuratën të drejtojë jo vetëm murgesha, por edhe murgj, madje dhe episkopë; sepse “nuk ka më mashkull e femër; sepse ju të gjithë jeni në Jisu Krishtin” (Gal. 3.28).