E Diela VIII e Llukait, Çelësi i jetës së amëshuar, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 14.11.2021

 

 

“Shko edhe ti dhe bëj të njëjtën” (Zoti) ( v. 37).

 

Shkak për të thënë Zoti paravolinë e mrekullueshme të Samaritanit të mirë, të cilën e përmban Ungjilli i sotëm, ishte një ligjtar, domethënë një mësues i ligjit të Moisiut, i cili pyeti Krishtin: “Mësues, çfarë të bëj që të fitoj jetën e përjetshme?” (v. 25). Dhe Zoti, pasi e provokoi që të thotë vetë përgjigjen, se dashuria për Perëndinë dhe të afërmin është çelësi i trashëgimit të jetës së përjetshme, tregon paravolinë e Samaritanit të mirë që të argumentojë cila është dashuria ndaj të afërmit, ndaj kujt duhet të tregohet dhe deri në çfarë pike mund të arrijë.

 

I

Grabitja e udhëtarit.

 

Dikur, thotë Zoti, një njeri “zbriste nga Jeruzalemi në Jeriko” (v. 30). Qytet i shenjtë ishte Jeruzalemi, me tempullin e shenjtë të Perëndisë, ku çdo njeri mund të dëgjonte fjalën e Perëndisë dhe të lutej, për të marrë fuqi dhe guxim. Por ky njeri la qytetin e Perëndisë dhe mori rrugën për në Jeriko. Në këtë udhëtim të tij, ra në duart e kusarëve. Asgjë nuk i respektuan; as pasurinë e tij, as jetën e tij. I rrëmbyen çdo të mirë që kishte me vete. Dhe, për më tepër, e goditën me egërsi, e plagosën dhe e lanë të zhveshur dhe gjysmë të vdekur. I mjeri! Si është e mundur të shpëtojë?

* * *

Indiferentizmi i priftit dhe i levitit.

 

Ja, për fatin e tij të mirë, kalojnë në atë orë, nga e njëjta rrugë, një prift dhe një levit. Prift dhe Levit, njerëz të fesë judaike, përfaqësues të Perëndisë, predikues të dashurisë për të afërmin. Pra, çfarë tjetër do të bëjnë, përveç asaj që ua imponon misioni dhe detyra e tyre? Por fatkeqësisht! Prifti hodhi një sy tek i plagosuri dhe shpejtoi të ikte! Të njëjtën gjë bëri edhe leviti, shpejtoi edhe ai të ikte, pa i thënë asnjë fjalë ngushëlluese. E lanë që të dy edhe ikën!

* * *

Por Perëndia nuk lë asnjë. Dërgon shpëtimin edhe prej andej ku askush nuk e pret. Dhe ja, mbas priftit dhe levitit, kalon nga ajo rrugë një Samaritan me kafshën e tij. Samaritanët i ndante me judenjtë një armiqësi e frikshme. Ishte, pra, e mundur të bënte ky Samaritan tek judeu atë që nuk bënë judenjtë e të njëjtit komb dhe madje prifti dhe leviti? Megjithatë, Samaritani ndalet përpara viktimës së kusarëve. Dëgjon psherëtimat e tij, vjen afër tij, shikon plagët e tij, ndien rrezikun e vdekjes që e kërcënon, i dhimbset nga thellësitë e shpirtit të tij dhe vendos ta shpëtojë. Nuk llogarit se edhe vetë ai rrezikohet nga kusarët. Zëri i detyrës, zëri imponues i dashurisë ndaj të afërmit, e detyron të mbetet atje dhe të ndihmojë atë që është gati për të vdekur. Qëndron pranë tij. Merr vaj dhe verë dhe lan dhe lidh plagët e tij. E ngjit në kafshën e tij dhe e çon në një han. Mbetet pranë tij tërë natën dhe i shërben. Paguan në mëngjes hanxhiun, i tërheq vëmendjen për të sëmurin dhe i thotë: “Kujdesu për të dhe çfarë do të shpenzosh më tepër, do të t’i jap” (v. 35). Bëj çfarë të mundesh që të shpëtojë i plagosuri dhe unë, kur të kthehem, do të të paguaj për të gjitha. Këto bëri Samaritani. Këtë dashuri tregoi për të afërmin e tij të panjohur dhe e shpëtoi. Kështu që Zoti me këtë paravoli dha përgjigjen tek ligjtari besëkeq dhe i tha: “Shko edhe ti dhe bëj të njëjtën” (v. 37). Shko bëj edhe ti çfarë bëri Samaritani i mirë.

II

Interesimi i Samaritanit të mire

 

Dhe pikërisht të njëjtën gjë na imponon të gjithëve ne dashuria. Nuk bën dallime dhe nuk tërhiqet para rrezikut. Patjetër, në personin e të vuajturit, nuk pretendon të shohë vetëm të njohurin, mikun apo vëllain; as njeriun e së njëjtës fe, as të të njëjtit komb, ky sheh njeriun, të afërmin e tij, edhe pse është i huaj e i një fisi tjetër dhe shpejton t’i shërbejë dhe ta shpëtojë. Nëse ka uri, ta ushqejë; nëse ka etje, t’i japë të pijë. Ka dhimbje dhe bashkëvuan e i drejtohet me fjalë ngushëllimi të krishterë dhe shpresë që ta qetësojë. Vrapon, mundohet dhe lodhet, që ta mbrojë nga çdo peripeci, ta shpëtojë nga një rrezik, siç bëri Samaritani i mirë i paravolisë. Kujdeset akoma për dobinë e tij shpirtërore, për korrigjimin e tij, për kthimin e tij në rrugën e virtytit. Ndoshta, kur ndihmon të afërmin dhe të sëmurin, kur mbron njeriun që i është mohuar e drejta, kur nxit dhe këshillon, ndoshta keqkuptohet, që mund të rrezikohet, të mundohet dhe t’i duhet të bëjë ndonjë sakrificë. Por dashuria, nuk llogarit rreziqe, nuk tërhiqet. Dashuria është sakrificë. Sakrifikon rehatin dhe qetësinë. Vihet në mundime, lodhje dhe rreziqe.

Këtë dashuri e frymëzon tek njerëzit dhe e bën realitet vetëm Krishti. Dhe pse jo? Krishti është Perëndia e dashurisë dhe Samaritani i mirë i paravolisë, i cili, për hir të të rënit në kusarët e padukshëm të shpirtit, domethënë për hir të njeriut mëkatar, jo vetëm mori përsipër natyrën njerëzore, por sakrifikoi dhe veten e Tij dhe themeloi Kishën e shenjtë, këtë han shpirtëror që shpëton botën, për shpëtimin e njeriut mohues. Tregoi Ai dashurinë më të lartë dhe më të përsosur. Pra, të njëjtën dashuri kanë dhe tregojnë pasuesit e tij, sa frymëzohen dhe udhëhiqen nga Krishti. Sa nuk janë të krishterë dhe nuk kanë brenda tyre Krishtin, nuk kanë dashuri; dhe mirësi të vërtetë nuk njohin. Njerëzit e këtij lloji, njerëzit e pabesisë dhe të materializmit, janë të pushtuar nga vetëdashja dhe egoizmi. Vetëm një njeri njohin këta, veten e tyre. Të tjerët i harrojnë. Prandaj dhe nuk i ndihmojnë, nuk i përkrahin, nuk u shërbejnë përveç rastit kur kanë përfitim ose do të bëhen të famshëm. Në të gjitha rastet e tjera largohen, kur takojnë njeriun në nevojë. Kanë frikë se mos ndodh të kenë uri edhe ata, uri kur t’i ndihmojnë. Kanë frikë se mos mundohen, lodhen, rrezikohen dhe largohen, duke lënë tjetrin nën peshën e fatkeqësisë së tij. Meqenëse nuk njohin Krishtin, nuk njohin as dashurinë që tregoi Krishti. Të huaj për Kishën, të huaj edhe për shoqërinë, indiferentë edhe të padhembshur për të vuajturit.

Por, nuk është i tillë Samaritani i paravolisë së sotme, dhe prandaj nxitoi të shpëtojë njeriun e tij të afërm e të plagosur. Dhe, sa janë me të vërtetë të krishterë, nxënës të Krishtit, imitues të Samaritanit të mirë, të mbushur me dashuri, vrapojnë kudo dhe mundohen dhe veprojnë atë që kërkon dashuria ndaj të afërmit tonë. Duan Perëndinë me gjithë shpirt dhe zemër, duan edhe të afërmin e tyre si veten e tyre. Vallë, a e kemi ne këtë dashuri?

 

ME URIME TË PËRZEMËRTA DHE BEKIME TË SHUMTA:
MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS DHE KANINËS
† IGNATI