APOSTULLI – Hebrenjve 2:2-10.

 

Sepse nëse doli e vërtetë fjala që u fol me anë të engjëjve, edhe çdo shkelje e mosdëgjim mori shpagim të drejtë, atëherë si do të shpëtojmë ne, në e lëmë pas dore një shpëtim kaq të madh? i cili, pasi zuri të flitet prej Zotit, u vërtetua ndër ne prej atyre që e dëgjuan.

Edhe Perëndia dëshmonte me shenja e me çudira, e me çdo lloj fuqish, edhe me ndarje dhuratash të Frymës së Shenjtë, sipas vullnetit të tij.

Sepse nuk e vuri nën pushtetin e engjëjve botën që ka për të ardhur, për të cilën po flasim. Edhe dikush dëshmoi diku, duke thënë: “Ç’është njeriu, që ta kujtosh? Apo i biri i njeriut që ta vështrosh? E bëre pakgjë më të ulët nga engjëjt; me lavdi e me nder e kurorëzove atë, dhe e vure përmbi punët e duarve të tua. Të gjitha i vure nën këmbët e tij”, sepse pasi i vuri të gjitha nën pushtetin e tij, nuk la asgjë pa vënë nën pushtetin e tij.

Po tani nuk i shohim ende të gjitha të jenë vënë nën pushtetin e tij.Por e shohim Jisuin që qe bërë pakgjë më i ulët nga engjëjt, për shkak të pësimit të vdekjes, të kurorëzuar me lavdi e me nder, që me hirin e Perëndisë të provonte vdekjen për çdo njeri.

Sepse i duhej atij, për të cilin janë të gjitha dhe me anë të të cilit janë të gjitha, duke prurë shumë bij në lavdi, të bëjë të përsosur me anë të pësimeve kryetarin e shpëtimit të tyre.