E Diela VII e Llukait, Krishti përikja dhe fuqia jonë, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 07.11.2021

 

“Guxim, bijë, besimi yt të shpëtoi” (v.48)
“Mos ki frikë; veç beso, dhe do të shpëtojë” (v.50)

Ungjillori i hirshëm Lluka paraqet dy ngjarje didaktike, për ne të krishterët e sotëm, veçanërisht në çështjen e besimit që duhet të kemi ndaj Perëndisë, dhe guximit që duhet të na karakterizojë. Ndaj gruas me hemorragji, e cila u shërua sapo preku me besë rrobën e Krishtit, Zoti tha: “Guxim, bijë, besimi yt të shpëtoi; shko në paqe”. Dhe, ndaj kryetarit shpresëtarë të sinagogës, të cilin e lajmëruan se vajza e tij kishte vdekur, për shërimin e së cilës i ishte lutur Zotit, Çlirimtari Perëndi-njeri tha: “Mos ki frikë; veç beso”.

* * *

E para, gruaja me hemorragji, vuante nga një gjakrrjedhje e vazhdueshme, për dymbëdhjetë vite të tëra. E mjera! Rrezikonte të vdiste! Ku nuk vrapoi! Në sa mjekë u vizitua! Sa ilaçe përdori! Shpenzoi gjithë pasurinë e saj tek ata, por asnjë përmirësim. Gjithandej dëshpërim dhe zhgënjim. Vetëm një gjë i mbeti për t’i dhënë fund mundimeve të saj; vdekja, vetëm ajo!

Atje ku po ecte, Krishti qëndroi dhe tha: -Kush qe ai që më preku? Ajo ishte një pyetje e papritur. Prandaj edhe Pjetri, spontan si gjithmonë, duke shpjeguar edhe habinë e të tjerëve, tha: -Mësues, turmat po të rrethojnë e po të shtyjnë, dhe ti thua: “Kush qe ai që më preku? Kjo ishte përgjigjja më e natyrshme, por jo shpjegimi për atë çfarë po ndodhte. Prandaj edhe Jisui përsërit: -Dikush më preku, sepse unë mora vesh se një fuqi doli prej meje. Fjala e Jisuit ishte e qartë dhe e padiskutueshme. Dhe gruaja pa se nuk mund të fshihej. Erdhi, pra, duke u dridhur, dhe i ra ndër këmbë, e i rrëfeu para gjithë popullit për çfarë pune e preku, dhe si u shërua menjëherë. Atëherë Jisui i tha: -Guxim, bijë, besimi yt të shpëtoi; shko në paqe.

* * *

Shumë vërtiten rreth Krishtit, por jo të gjithë përfitojnë, sepse nuk i afrohen të gjithë si gruaja me hemorragji. Nuk i afrohen me besë dhe përulësi. Disa i afrohen Krishtit për interesin e tyre material, tregtar, profesional, politik apo të ngjashëm me këto. Të tjerë i afrohen nga zakoni, sepse kështu u thanë prindërit dhe mësuesit e tyre. Ndjekin masat e njerëzve, pa asnjë ndjenjë përgjegjësie. Ku shkojnë të tjerët shkojnë edhe ata. Disa të tjerë i afrohen Krishtit me thellësi, me fuqi, me besë, me ndërgjegjen e ecjes për tu kryqëzuar. I afrohen me vendimin për të sakrifikuar, madje, edhe jetën e tyre për Krishtin. Dhe të fundit janë të krishterët e ndërgjegjshëm, të cilët marrin fuqinë, që del nga Trupi dhe Gjaku i tërëshenjtë i Krishtit. Ata kanë lidhje të sakta me Krishtin.

Nëse besojmë në fuqinë e lidhjeve tona me Krishtin, që shprehen nëpërmjet mistereve të Kishës sonë, do të kishim një përballim krejtësisht të ndryshëm të sëmundjeve dhe vdekjes sonë. Krishti është jeta jonë dhe ngjallja jonë. Krishti nuk është teori, është vepër. Prandaj duhet që, në çdo vështirësi, të kërkojmë nxehtësisht ndihmën e tij. Do të na e japë. Ai vazhdimisht dëshiron të na ndihmojë. Ashtu siç ishte i gatshëm për t’iu përgjigjur kërkesës së kryetarit shpresëtarë të sinagogës, Jairit.

* * *

Gruaja, si çmim të besës së saj te Krishti, mori shërimin. Pushoi hemorragjia e saj dhe shkoi me paqe. Kurse Jairi, kryetari i sinagogës, në të njëjtën pjesë ungjillore, shqetësohet. Në momentin kur Zoti bashkëbisedon me të mjerën, dhe e shëron më pas atë grua, vajza e tij dha shpirt. Sa ishte gati për të vdekur, Zoti ndoshta do të mundte ta shëronte. Tani që vdiq, kush mund ta ngallë? Por, nëse nuk kryhet më parë mrekullia e besimit brenda në shpirt, nuk pason ngjallja. Kryetari i sinagogës, Jairi, ka nevojë për t’u forcuar në besë. Megjithatë, njerëzit rreth tij nuk besojnë aspak. Ironizojnë, dyshojnë dhe përqeshin Zotin, kur u tha se vajza po fle. Thonë se të vdekurit janë të vdekur dhe asnjë nuk kthen përsëri në jetë!

Kështu, të gjithë ata mbeten jashtë mrekullisë. Zoti i nxori jashtë dhomës së vajzës së vdekur. Dhe ato që pasojnë janë të njohura nga pjesa që dëgjuam sot. Zoti e kapi vajzën e vdekur prej dore dhe i dha jetë. E vdekura ngjallet dhe prindërit e kanë para tyre të gjallë! Mrekulli e madhe! I detyrohet besës! Besës së prindërve të vajzës.

* * *

Njerëzit, meqenëse ndihen të pafuqishëm, kërkojnë mrekulli. Prandaj edhe shumë prej tyre rendin pas çdo lloj mrekullibërësi. Por, dëgjojmë mrekullinë e madhe, nga e cila varet besimi dhe lutja jonë tek personi i Krishtit Perëndi-njeri. Besën te Zoti Perëndi-njeri e ushqen dhe e kultivon misteri i hirshëm. Misteri i shndërrimit hyjnor. Atje ku kthehet buka në Trup të tërëshenjtë të Krishtit, vera në Gjakun e nderuar të Krishtit dhe mëkatarët e penduar shndërrohen në shenjtorë. Besa tek Krishti është fuqi reformuese, krijuese. Prandaj dhe aq njerëz të pafuqishëm, të sëmurë, të gjymtuar, duke ndierë atë fuqi krijuese të besës, ashtu si gruaja e sëmurë dhe kryetari i sinagogës, Jairi, vrapuan të mbushur me shpresë në burimin mistik të fuqisë bamirëse, Zoti Krisht, ashtu siç përmend në mënyrë karakteristike Ungjillori: “gjithë turma kërkonin ta preknin; sepse dilte fuqi prej tij, dhe i shëronte të gjithë” (Lluka 6:19).

* * *

Krishti, me fuqinë e tij krijuese, nuk formoi dhe ndriçoi errësirën dhe kaosin e botës natyrore, por me fuqinë e Tij reformuese, ndriçoi edhe kaosin moral dhe errësirën shpirtërore, që zotëronte pas shkeljes, në shpirtrat e njerëzve. Me fuqinë e tij realizoi një krijesë të dytë, rikrijimin e njerëzimit. Tek njerëzit “që rrinin në errësirë” (Mateu 4:16), solli në epokë të re. Epokën e së vërtetës dhe të hirit.

Dhe, me të vërtetë. Fuqia e së vërtetës -fjala e Perëndisë- dhe e hirit -misteret e Kishës- ripërtërin dhe transformon gjithë qenien e njeriut. Hyn në thellësinë e tij, thërrmon zinxhirët e pasioneve dhe çliron mëkatarin e lidhur. Është ajo mënyrë mistike, me të cilën fuqia e Krishtit bën mrekullitë e mëdha dhe të jashtëzakonshme të ripërtëritjes morale dhe transformimit të njerëzve. Kështu robërit e mëkatit çlirohen. Taksambledhësit dhe mëkatarët bëhen shenjtorë. Përndjekësit dhe xhelatët, martirë të besës. Dhe të gjithë ata dëshmojnë se transformimin e tyre ia detyrojnë Atij që tha: “Ja, të gjitha po i bëj të reja” (Zbulesa 21:5).

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin.

Pikëllimet, sëmundjet dhe vdekja, sigurisht, nuk janë të kënaqshme. Por tregohen të dobishme, nëse i pranojmë me durim, me përulësi dhe me prirje mirënjohëse. Që ta arrijmë këtë, le ta kthejmë shikimin tonë, me besë të nxehtë, drejt Zotit tonë të Kryqëzuar dhe të Ngjallur. Le të marrim mësime nga Ai, i cili, megjithëse ishte i pamëkatshëm, u mundua dhe vuajti kaq shumë për ne. Nga Zoti i Kryqëzuar dhe i Ngjallur, do të marrim fuqi dhe ndihmë: Kryqi i pikëllimeve tona do të bëhet më i lehtë dhe dhimbja jonë më e butë. Dhe, atëherë, frytet do të jenë të shumta! U Bëftë!

ME URIME TË PËRZEMËRTA DHE BEKIME TË SHUMTA:
MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS DHE KANINËS
† IGNATI