Kontributi i Kishës në arsim.
Këtë vit shkollat e Fondacionit “Fryma e Dashurisë” janë plot premtime e shpresa për fillimin e ri. 2,700 nxënës janë regjistruar në shkollat dhe kopshtet e Fondacionit të Kishës sonë. Edhe këtë vit do të vazhdojmë me program normal, pa shkurtim orësh mësimore ose turne. Më 1 tetor, Ministria e Arsimit njoftoi se meqenëse pjesa më e madhe e mësuesve janë vaksinuar dhe numri i infeksioneve është ulur, nuk do të kërkohet distancë sociale prej 1.5 m, e cila do të bënte që si shkollat shtetërore dhe ato private të shkurtonin programin mësimor dhe të zhvillonin mësimin me dy turne. Ky ishte një vendim i drejtë dhe i dobishëm për të gjithë por, që të vazhdojmë mësimin normal, nevojitet mbajtja e maskës nga personeli, vaksinimi ose testet për Covid dhe ruajtja e masave të higjienës.
Fondacioni ynë është themeluar në vitin 1998 si degë jofitimprurëse e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Dashuria dhe përkushtimi i Kryepiskopit, Prof. Dr. Anastasit, për arsimin e frymëzoi atë të themelojë Fondacionin “Fryma e Dashurisë”, pjesë e të cilit janë shkollat dhe kopshtet që funksionojnë në mbarë vendin. Që shkollat e kopshtet të zhvillojnë aktivitetin e tyre, janë siguruar ndërtesa përkatëse nga Fortlumturia.
Kisha filloi hapjen e kopshteve në vitin 1994 në Tiranë e Durrës, dhe më pas në vitin 2002 u hap shkolla 9-vjeçare shqiptaro-amerikane “Protagonistët”, me 15 nxënës, në mjediset pranë kishës së Shën Prokopit, ku zhvillohet edhe sot mësim. Tashmë kjo shkollë ka më shumë se 1000 nxënës në ciklin 9-vjeçar dhe në vitin 2012 hapi edhe shkollën e mesme të përgjithshme.
Qëllimi i shkollës ishte dhe është rritja e personave përgjegjës për të ardhmen e Shqipërisë me vlera të forta morale dhe standarde të larta akademike. Që atëherë e në vazhdim janë hapur shkolla të tjera, si shkolla shqiptaro-greke 9-vjeçare në Durrës, e cila filloi në vitin 2005, dhe në vitin 2015 u hap shkolla e mesme e për-gjithshme. Pranë Katedrales së bu-kur të Ngjalljes së Krishtit në Gjirokastër, në vitin 2015 u hap shkolla 9-vjeçare, ndërsa në vitin 2017 u hap edhe shkolla e mesme. Të dyja këto shkolla dallohen për përfshirjen e komunitetit dhe stafin e përkushtuar.
Në vitin 2008 në Mesopotam, afër Delvinës, u hap shkolla profesionale dhe më pas edhe shkolla e mesme e përgjithshme, ndërsa në Korçë, në vitin 2015, u hap Kolegji “Platon”, i cili renditet i pari për nivel akademik në qytet.
Fondacioni ka hapur edhe kopshte në zona të ndryshme të vendit. Disa prej tyre festuan 25-vjetorin e shërbimit në komunitet. Kopshtet “Frymë Dashurie” funksionojnë në Tiranë dhe Durrës prej vitit 1994, Korçë dhe Kavajë (1995), Lushnje dhe “11 Janari”, Gjirokastër (1998), Pogradec e Sarandë (1999), Elbasan, pranë kishës së Shën Nikollës (2000), Vlorë e Përmet (2001), Shkodër (2002), Dervician, Gjirokastër (2006), Granicë, Gjirokastër (2008), Cërrik (2009), Elbasan, pranë kishës së Shën Athanasit dhe Thavor, Tiranë (2014).
Ajo që i dallon shkollat e Kishës sonë dhe i bën ato shumë të kërkuara është përkushtimi për arritje akademike, zhvillim karakteri dhe metodologji bashkëkohore të mësimdhënies. Këto shkolla karakterizohen nga përkushtimi dhe angazhimi i mësuesve dhe i të gjithë stafit, i cili krijon një mjedis të dashur e miqësor për të mësuar. Ato ofrojnë ndihmë financiare e bursa, të cilat u shërbejnë një numri të konsiderueshëm nxënësish dhe rrisin përvojën arsimore të tyre.
Shkollat e Kishës sonë janë të licensuara nga Ministria e Arsimit dhe përdorin të njëjtën kurrikul dhe program mësimor si shkollat publike. Të gjitha lëndët mësimore jepen në gjuhën shqipe, me përjashtim të orëve të gjuhëve të huaja. Në to theksohet dhe nxitet mësimi i gjuhëve të huaja. Meqë kërkohet që çdo shkollë e vendit të ofrojë programe për dy gjuhë të huaja, duke filluar në klasën e parë me anglisht dhe më pas, nga klasa e 3-të, një gjuhë të huaj të dytë (zakonisht një gjuhë evropiane si greqisht, frëngjisht, italisht ose gjermanisht), shkollat tona kanë zgjedhur greqishten si gjuhë të dytë të huaj, për shkak të afërsisë së fqinjëve dhe bashkëveprimit tonë të shpeshtë.
Foto Album: