E Diela V e Llukait, Më jep një shenjë o Zot, nga Mitropoliti i Apollonisë & Fierit, Nikolla, 31.10.2021 

 

 

“ Më jep një shenjë o Zot.”

Këtë lutje, të dashur besimtarë, të cilën ne shpesh herë ia drejtojmë Zotit, e dëgjuam që u bë dhe nga i pasuri, në paravolinë, në pjesën e Ungjillit që u lexua në ditën e sotme, që i referohet pjesës së Ungjillit që quhet “ I pasuri dhe Llazari”.

I pasuri i cili ishte në vendin e mundimeve dhe atje duke vuajtur në atë vend shikon Llazarin e varfër që ishte në gji të Abrahamit dhe i kërkon Abrahamit: “ Të paktën, mirë unë që po vuaj në këtë vend të mundimeve, të paktën nise Llazarin tek vëllezërit e mi, se kam pesë vëllezër, nise t’u japësh atyre një shenjë që dhe ata mos të vijnë në këtë vend të mundimeve që jam unë.”

Izraelitët vazhdimisht ishin mësuar që të kërkonin një shenjë nga Perëndia. Tregojnë në kohën e gjyqtarëve të popullit të Izraelit, kur izraelitët ishin pushtuar nga midianët dhe rënkonin për shkak të nënshtrimit të tyre, një ëngjëll i shfaqet Gedeonit dhe i thotë: “ Shko, përgatit popullin që të dalës kundër armiqve që ta çlirosh popullin tënd.” Gedeoni i thotë: “ Më jep një shenjë që të di që Perëndia është me mua.” Ëngjëlli i thotë: “ Kërko çfarë do?” Gedeoni përgjigjet: “ Dua që ky gëzofi, nesër në mëngjes të jetë i lagur, por dua që vendi ane përqark tij të jetë i lagët.” Të nesërmen në mëngjes kur zgjohet Gedeoni e gjen gëzofin e lagur dhe vendin ane përqark të thatë. “Më fal,- i thotë ëngjëllit,- dua dhe një shenjë tjetër.” “Çfarë do?” “ Dua që vendi të jetë i lagur dhe gëzofi të jetë i thatë.” Të nesërmen kur zgjohet Gedeoni dhe shikon që kishte ndodhur vërtet ashtu siç kishte kërkuar.

Edhe më parë izraelitët ishin mësuar që të kishin një shenjë nga Perëndia. Kujtojmë gjithë udhëtimi i tyre nga skllavëria e Egjiptit për në Tokën e Premtuar, ishte i udhëhequr nga një shenjë. Shenjë e përherëshme, për 40-vjet ata kishin këtë shenjë, e cila gjatë ditës ishte si një re e bardhë, kurse gjatë natës si një kollonë e zjarrtë.

Edhe në kohën e Krishtit akoma, judenjtë i kërkojnë Krishtit një shenjë: “ Na jep një shenjë që ti je i dërguari i Perëndisë. Ti je Mesia që ne presim, na jep një shenjë.” Edhe Zoti u thotë: “ Nuk do të jepet asnjë shenjë, veç shenjës së profetit Jona, që qendroi tre ditë në barkun e balenës, ashtu dhe Biri i njeriut do të qendroi tre ditë në varr dhe ditën e tretë do të ngjallet.”

Na siguron akoma dhe apostull Pavli dhe na thotë: “Judenjtë kërkojnë një shenjë dhe grekët kërkojnë urtësi, por ne i`u shpallim të gjithëve Krishtin e kryqëzuar dhe të ngjallur, i cili është skandal për judenjtë dhe marrëzi për grekërit.”

Këtë gjë bëjmë dhe ne shpesh herë në jetën tonë. Kur ne jemi në vështirësi, kur ne jemi në dilema, kur ne kemi një problem, kur ne nuk dimë se çfarë të bëjmë në jetën tonë, ne vazhdimisht i kërkojmë Zotit një shenjë. “ Na jep një shenjë o Zot.” Zoti i dëgjon lutjet tona. Në një formë ose në një tjetër Zoti na e jep atë shenjë. Mund të na e jap duke na ndriçuar mendjen tonë. Mund të na e jap me një këshillë që mund të bëjmë me mikun tonë të ngushtë e të dashur. Mund të na e bëj me një bised të rastësishme që kemi me dikë.

Mund të na e jap me diçka që dëgjojmë papritur ose shikojmë diçka dhe themi kjo është shenja që më jep Zoti. Kjo është ajo që unë duhet të bej. Na jep vazhdimisht Zoti, në një mënyrë ose në një mënyrë tjetër atë shenjë që ne i kërkojmë.

Problemi nuk qëndron tek dhënia e shenjës. Problemi qëndron tek ajo se çfarë bejmë pasi Zoti na jep këtë shenjë? Gedeonit i`u dha shenja e gëzofit me një arsye. Kush ishte arsyeja? Që ai të organizonte popullin dhe ushtrinë dhe të luftonte armikun, gjë të cilën ai e bëri. Shenjat që na jep Zoti vazhdimisht ndodhin që të shtojmë besimin tonë tek Zoti dhe me këtë fuqi që marim nga kjo shenjë ne të vazhdojmë udhëtimin tonë. Të vazhdojmë udhëtimin tonë që ta përfundojmë atë udhëtim, që ta përmbushim udhëtimin tonë dhe të shkojmë në banesën tonë të përjetëshme. Të shkojmë dhe ne atje ku ishte ai Llazari i varfër. Të shkojmë dhe ne në gji të Abrahamit. Në dëfrimin dhe në Mbretërinë e Perëndisë.

Kështu që vazhdimisht, të dashur besimtarë, le ti kërkojmë Zotit shenjë, por vazhdimisht këto shenja që na ka dhënë dhe na jep vazhdimisht Zoti, të jenë atë shenja të cilat na sigurojnë që ne do të udhëtojmë në rrugën e Perëndisë dhe do të përjetojmë gëzimin e Zotit në Mbretërinë e përjetëshme. Amin!

Nga predikimi i Mitropolitit të Apollonisë & Fierit, +Nikolla, E Diela e V e Lukait dt. 31/10/2021