E Diela V e Llukait, Dashuria e të pasurve & durimi i të varfërve, nga Mitropoliti i Beratit,
Vlorës & Kaninës Ignati. 31.10.2021
“O djalë, kujtohu, se ti i more të mirat e tua në jetën tënde, dhe Llazari gjithashtu të këqijat;
po tani ky prehet, e ti mundohesh.” (v.5)
Në pjesën e sotme të Ungjillit, Zoti, me shëmbëlltyrën e të pasurit dhe Llazarit, na paraqet jetën e këtushme, por edhe jetën pas vdekjes. Tha Zoti: Ishte një njeri i pasur, që vishej me rroba purpuri e liri të çmueshëm. Hante dhe pinte dhe ia kalonte mirë çdo ditë, brenda një luksi dhe shpërdorimi të madh.
Te dera e tij rrinte edhe një i varfër me emrin Llazar. Ai ishte i mbushur me plagë e dëshironte të ngopej me thërrimet që binin nga tryeza e pasanikut. Kaq i dërrmuar ishte sa nuk mundej të dëbonte as qentë, që vinin e lëpinin plagët e tij.
I ashpër ishte, i pasuri i shëmbëlltyrës. Vetëm për veten e tij kujdesej. Asnjë mendim për të tjerët, asnjë shikim ndaj Llazarit të plagosur, që torturohej jashtë pallatit të tij, asnjë pikë dashurie për të afërmin.
* * *
Kjo është jeta jonë. E përzier, e mira me të keqen, pasuria me varfërinë, sëmundja dhe shëndeti, lavdia dhe përbuzja, madhështia dhe poshtërimi, gëzimi dhe hidhërimi. Dhe Perëndia i shikon, i dëgjon dhe i duron. Por përse i duron? Që të provohen karakteret dhe të kultivohen shpirtrat. Sepse ekziston dita e gjykimit dhe e shpërblimit, dita e drejtësisë hyjnore, dhe kështu, secili do të gjykohet sipas veprave të tij dhe do të marrë shpërblimin e ligësisë apo të virtytit të tij. Dhe të gjitha këto, përjetësisht.
* * *
Por, jeta e njerëzve, me sado lumturi të jetë mbështjellë apo sado mjerim të mbyllë brenda saj, ka kufijtë e vetë. E përkohshme është jeta këtu mbi dhé. Kalimtare. Erdhi, pra, momenti i bekuar, që të prehet “Llazari i varfër” nga dhimbjet e jetës së tashme. Të shkretë dhe të përbuzur e gjeti vdekja. Por, çfarë ndryshimi! Kortezh nderues Engjëjsh të ndritshëm shoqërojnë shpirtin e tij. E drejtojnë për në pallatet e ndritshëm të qiellit. Në gjirin e Patrikut Abraham.
“Vdiq” pas pak kohësh, “edhe i pasuri, dhe u varros”. Asgjë nuk arriti ta mbante në jetë. Asgjë nuk e shoqëroi në jetën pas vdekjes. I zhveshur nga çdo mirësi dhe çdo virtyt. I vetëm. Pa asnjë person të dashur për ta pritur atje. Torturohet. Vërtitet në mosmikpritje, në errësirën e frikshme të Hadhit. Dhëmbët kërcasin. Përplasen fuqishëm nga tmerri dhe dhimbja. Zemra e tij digjet. Brejtjet e ndërgjegjes e rrahin pa pushim. E gllabërojnë.
Duke u torturuar në Hadh, pa nga larg të njohurin e tij, Llazarin, të dëfrejë në gjirin e Abrahamit, dhe thirri: “Atë Abraham, ki mëshirë për mua! Dërgoje Llazarin që të lyejë majën e gishtit të tij në ujë e të më ftohë gjuhën; sepse po mundohem në këtë flakë”. -“Biri im”, iu përgjigj Abrahami, “kujtohu, se ti i more të mirat e tua në jetën tënde, kurse Llazari vuante vazhdimisht. Por tani prehet si i drejtë, e ti mundohesh! Pastaj, midis jush e nesh është caktuar një hendek i madh, në mënyrë që, ata që do të donin të kalonin që këtej te ju, të mos munden dhe askush nuk mund të kalojë që andej te ne”.
* * *
Është ligj, dhe madje ligj hyjnor. U kujdese të jetosh me nder dhe moral në jetën mbi dhé? Do të shpërblehesh me të mira në qiej. Jetove këtu në tokë brenda paudhësisë, pa mëshirë dhe keqardhje për të afërmin tënd? Do të kesh në jetën tjetër, shoqërues të pandashëm, dhimbjen dhe mjerimin. Rrjedhimisht, përpara Perëndisë kanë vlerë vetëm veprat e virtytshme. Përkundrazi, veprat e paudhësisë janë të papranueshme dhe sjellin dënimin e përjetshëm. Me të vërtetë, sa i urtë dhe i drejtë është ky ligj! Ndërgjegjja e shëndoshë gjen kënaqësinë e saj të plotë.
Përderisa në këtë botë nuk ekziston drejtësi e përsosur, duhet të ekzistojë ndonjë mbretëri tjetër, në të cilën drejtësia të gjejë shpërblimin e saj të plotë. Dhe kjo mbretëri është jeta tjetër. Kështu rivendoset ekuilibri i plotë, të cilin e trazon paudhësia njerëzore, kur vjen në kundërshtim me vullnetin hyjnor.
Jeta nuk është, vazhdimisht, ashtu siç duket zakonisht. Njeriu, kur vdes, nuk zhduket krejtësisht. Sigurisht trupi shpërbëhet “në lëndën prej së cilës u mor”. Në dhé dhe në ujë, domethënë, në baltën nëpërmjet së cilës Perëndia e gatoi. Por shpirti mbetet në jetë të jetëve, i pavdekshëm dhe i pandryshueshëm, duke pasqyruar të shkuarën tonë edhe këtu edhe në Qiej. Dhe, nëse jeta mbi tokë është e mbushur me virtyt, jemi mirë. Lavdi dhe nder do të jetë shpërblimi. Por, nëse është e mbushur me paudhësi, mjerë. Poshtërsi, pandershmëri dhe turp do të jetë shpagimi. Përjetësia është jehona e jetës sonë mbi tokë. Në jetën tonë mbi tokë, dhe të pasurit dhe të varfrit, provohemi. Japim provime, që të arrijmë të hyjmë në jetën e lumur të Parajsës.
Mendoni, se i pasuri shkoi në ferr vetëm e vetëm se ishte i pasur? I pasur ishte edhe Abrahami dhe e shikojmë të parin dhe më të mirin midis të drejtëve. Nuk e kanë fajin gjërat, por njerëzit. Nuk e ka fajin argjendi, por argjendashja. Pasuria në vetvete nuk është as e mirë as e keqe; në duart e njerëzve bëhet e mirë apo e keqe. I pasuri nuk shkoi në torturat e Hadhit, vetëm e vetëm se ishte i pasur, por ngaqë ishte i pasur i lig, njeri i pamëshirshëm dhe zemërgur. Do të mundej që, me pasurinë e tij, të kishte blerë Parajsën, nëpërmjet bamirësisë dhe njeridashjes; por për shkak të pasurisë, me argjendashjen dhe lakminë e tij, ra në ferr.
Po Llazari, si mendoni, shkoi pranë Abrahamit, vetëm e vetëm se ishte i varfër? Nëse do të ishte kështu, do të duhej të shkonte pranë ndonjë të varfri dhe jo pranë Abrahamit të pasur. Dhe atëherë do të duhej të ishte i ndarë vendi i njerëzve, në jetën tjetër; të pasurit në ferr dhe të varfrit në Parajsë. Sepse, nëse është dikush i pasur, nuk do të thotë se është edhe i keq, dhe nuk mjafton të jesh i varfër për të qenë edhe i drejtë.
Shenjtorët dëshirojnë të jenë të varfër dhe e ngrenë me durim dhe krenari varfërinë e tyre. Po ti, nuk dëshiron të jesh i varfër dhe i trembesh varfërisë? Puno me ndershmëri dhe bëj ekonomi, që të jesh i vetëmjaftueshëm; ki edhe shpresëtari, dhe me të vërtetë do të jesh i pasur. I pasur është ai që mjaftohet me të pakta dhe i varfër ai që i nevojiten shumë.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur!
Krishti, për të pasurit dhe të ngopurit tha: “Mjerë ju të ngopurit”, duke nënkuptuar zemërgurët, të pasurin e shëmbëlltyrës. Dhe tha përsëri: “Lum ju të varfrit”, duke nënkuptuar të varfrit si Llazari; që nuk janë të varfër nga kokëfortësia dhe se varfërinë e ngrenë me durim. Të jemi të pasur në virtyte dhe të varfër në ligësi. “Teprica e të pasurit tek mungesa e të varfrit”, thotë apostull Pavli. Të pasur dhe të varfër le të jemi këtu vëllezër, që të jemi edhe në jetën tjetër bashkë në Parajsë. U bëftë!
ME URIME TË PËRZEMËRTA DHE BEKIME TË SHUMTA:
MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS DHE KANINËS
† IGNATI