Apostull Kleopa.
Shën Kleopa bënte pjesë në grupin e 70 apostujve të Zotit. Vetë atij dhe Llukait iu shfaq Krishti ditën e Ngjalljes, kur shkonin nga Jerusalemi për në Emaus. Teksa flisnin për ngjarjet e Pësimit, Krishti iu shfaq, por ata nuk e shikonin. Ata i treguan komplotin e kryepriftërinjve dhe krerëve të judenjve kundër atij që e besonin se ishte Mesia, që duhet të çlironte Izraelin. Rrëfyen se kishin dëgjuar miroprurëset të flisnin për Ngjalljen e Tij, por nuk besonin. “O të marrë dhe të vonuar në zemër për të besuar gjithë ato që folën profetët. A nuk duhej t’i pësonte këto Krishti, dhe të hynte në lavdinë e tij?” (Lluk. 24.25,26).
Atëherë ai u shpjegoi profecitë që përmbante Shkrimi lidhur me veprën e shpëtimit. Kur erdhi mbrëmja dhe si mbërritën në Emaus, u ulën së bashku për të ngrënë. Edhe ashtu si në Darkën Mistike, Zoti mori bukë, e bekoi dhe ua dha. Në atë kohë atyre iu hapën sytë dhe e njohën. Por iu zhduk prej syve, duke vërtetuar kështu për brezat e ardhshëm se prania e Tij në Eukaristinë e shenjtë është shenja e vërtetë e Ngjalljes së Tij.
Llukai dhe Kleopa e kuptuan atëherë se përse u digjeshin zemrat teksa u shpjegonte Shkrimet dhe u nisën më pas për të gjetur apostujt në Jerusalem.
* * * * *
Dëshmorët Zinovi e Zinovia.
Shën Zinovi dhe motra e tij, Zinovia, vinin nga qyteti i Egjeit, në Kiliki. U rritën me mësimet ungjillore nga prindër të perëndishëm dhe kur këta vdiqën, të tërë pasurinë e shpërndanë te të varfrit. Zinovi, i cili kishte mësuar shkencën e mjekësisë, shëronte falas të gjithë ata që vinin pranë tij, duke përdorur shumë pak ilaçe dhe këshillonte të thoshin në lutje emrin e Jisuit, i Cili është i vetmi që mund të të shpëtojë në këtë jetë dhe në tjetrën.
Rreth vitit 290, perandori i pamëshirshëm Dioklecian dërgoi në Kiliki Lisian, një prefekt të urryer dhe të papajtueshëm për të persekutuar të krishterët. Kur Lisia dëgjoi për çuditë e Zinovit, i cili për hir të dashurisë dhe dhembshurisë që kishte për të gjithë, ishte zgjedhur episkop i Egjeit, e thirri përpara gjykatës që të mohonte Krishtin, me mendimin se kështu do të vepronte e tërë dioqeza e tij. Shenjtori nuk iu frikësua torturave, madje pohoi Krishtin dhe se dëshira e tij e vetme ishte të vdiste për Të, që të fitonte jetën e përjetshme. E shtrinë në një trekëmbësh dhe ia shqyen tërë gjymtyrët e trupit.
Kur motra e tij, Zinovia, mësoi për arrestimin e të vëllait, vrapoi në vendin e torturave dhe kur pa ato skena nuk mundi dot ta përmbante zemërimin kundër qeveritarit. Ky i fundit u përpoq ta zbuste, por pastaj e kërcënoi se do ta keqtrajtonte dhe do ta shndërronte në turp para njerëzve. Asgjë nuk e bindi. E morën edhe atë dhe bashkë me vëllain i shtrinë në dy shtretër hekuri mbuluar me thëngjij. Mbetën të paprekur, sepse një vesë hyjnore i freskonte. I hodhën në një kazan me ujë që vlonte. Pastaj i nxorën jashtë qytetit dhe ia prenë kokën, duke iu vënë kështu kurorën e martirëve.