Dëshmorët Markiani e Martiri, noterë.

Shën Markiani dhe Martiri jetuan në Konstandinopojë nën mbretërimin e perandorit arian, Konstancit (337-361). Ishin me prejardhje aristokrate dhe të gjithë i vlerësonin për diturinë, moralin, përkushtimin që kishin. U bënë sekretarë të patriarkut Pavël Rrëfyesi (6 nëntor), i cili u vra nga arianët gjatë internimit të tij në Armeni (344). Duke mos iu frikësuar as martirizimit, as internimit, martirët e shenjtë Markiani dhe Martiri vazhduan të shpallnin besën e krishterë para popullit.
Këto fjalë: “Biri i Perëndisë është i bashkësubstancshëm me Atin dhe është Perëndi nga natyra”, ishin më të vyera se vetë jeta e tyre, dhe i mbajtën ato si koracë kundër sulmeve të djallit dhe heretikëve. I vranë me shpatë dhe u varrosën para portës së quajtur Melandisia. Me kthimin e paqes në Kishë, shën Joan Gojarti ndërtoi mbi varrin e këtyre martirëve një kishë në kujtim të tyre.

* * * * *

Dëshmor Anastasi.

U paraqit vetë përpara persekutorëve tiranë (në një datë që nuk njihet), për të rrëfyer pa frikë besimin se Krishti është Perëndia i vërtetë, Krijuesi i gjithësisë dhe ripërtëritësi i gjindjes njerëzore nëpërmjet Mishërimit të Tij. Veprimi i guximshëm i shenjtit dhe qëndrueshmëria e fjalëve i bindën paganët për pafuqinë e tyre.
Ia prenë kokën dhe trupin e hodhën në det. Një grua besëmirë e gjeti trupin e tij në breg. E balsamosi dhe e vendosi në një kuti, pastaj e varrosi plot nderim.
Më pas u kujdes që të ndërtohej një kishë kushtuar shën Anastasit mbi varr. Lipsani i shenjtë kryen mrekulli të shumta.