E Diela VI e Llukait (Luka 8:27-39)
Fuqia e djallit dhe tërëfuqia e Krishtit.
“I doli përpara një njeri prej qytetit,
që kishte djaj prej shumë vjetësh” (v.5)
Gabimi i madh i njerëzve të epokës sonë është se nuk pranojnë ekzistencën e djallit. Fryma e botës dhe mëkati i përhapur kudo, na i ka shndërruar aq shumë ndjenjat shpirtërore, sa të mos arrijmë të perceptojmë të vërteta thelbësore të besimit tonë dhe të kuptojmë situata dhe ngjarje të jetës së përditshme, që vijnë nga djalli. Me këtë mentalitet është e dyshimtë nëse do ta përballonim të demonizuarin e Ungjillit të sotëm, si Jisu Krishti, dhe nëse do të ndiqnim recetën e shërimit, të cilën e dha vetë Krishti: “Ky farë kombi s’mund të dalë me tjetër gjë, veçse me falje e me agjërim” (Marku 9:29).
* * *
E vërteta e Shkrimit të Shenjtë na thotë: Frymërat e liga janë qenie personale të botës shpirtërore, me vetëdijen, dëshirën dhe lirinë e tyre. Kur Kisha na paraqet veprën e fuqive demoniake, nuk na thotë teorira për të na trembur, por na përgatit dhe na mëson si të luftojmë kundër djallit. “Lufta jonë nuk është kundër gjaku dhe mishi, po kundër autoriteteve… kundër shpirtrave të së keqes në qielloret” (Efes. 6:12).
E pamëshirshme dhe e ashpër është dhe duhet të jetë lufta jonë kundër demonëve. Frymërat e liga na urrejnë me dashakeqësi, kërkojnë me zemërligësi të tepërt fatkeqësinë dhe tiranizimin tonë, dhe luftojnë me tërbim përpjekjet për shpëtimin tonë, duke na tërhequr në mëkatin shkatërrues.
Mashtrues e dinakë, që me metoda të shumëllojshme, ngrenë kurthet e tyre, herë duke ndezur prirjet tona mëkatare dhe herë të tjera duke përhapur mashtrime dhe besëtytni mjeshtërore, doktrina të rreme dhe synime të kota. Përpiqen me çdo mënyrë të skllavërojnë shpirtin tonë. Duan të sundojnë brenda nesh dhe ia arrijnë kur na ngatërrojnë në rrjetat e pështira të dinakërisë së tyre. Ndodh gjithashtu të shtrijnë veprimtarinë e tyre keqbërëse edhe në trupin tonë, duke krijuar kështu sëmundje të frikshme dhe të papërshkrueshme.
Shën Joan Gojarti vëren me të drejtë, se ekzistojnë edhe të demonizuarit e jetës shoqërore të përditshme dhe prej tyre përmend ata që janë shthurur në epshet trupore dhe pasionet e tyre; ata që janë të pushtuar nga demoni i argjendashjes dhe i lakmisë. Bën edhe arsyetimin e mëposhtëm, që ia vlen t’i kushtojmë vëmendje; se, të demonizuarit e këtij lloji, të mëkatarëve të mëdhenj në jetën e përditshme, janë më të mjerë nga të tjerët, të marrët dhe maniakët. Por, përse?
Sepse këta maniakë, ngaqë humbën logjikën, janë tashmë të papërgjegjshëm; kurse të tjerët, meqenëse e kanë logjikën dhe të menduarit e tyre, kanë përgjegjësi më të mëdha për pasionet e tyre demoniake. Por edhe se, maniakët mund të bëhen të padëmshëm dhe të parrezikshëm ndaj të tjerëve, kur mbahen nën ruajtje; ndërkohë që të shthururit dhe argjenddashësit, me qarkullim dhe veprimtari të lirë brenda shoqërisë, janë vazhdimisht keqbërës të përditshëm.
Maninë e tyre “nuk e mbajnë as hekurat, as zinxhirët, as shumica e njerëzve, as nxitja, këshillimi, as frika, as kërcënimi, dhe asnjë tjetër nga këto”. – Shkrimi i Shenjtë thotë se, që nga fillimi i historisë, djalli është “njerivrasës” (Joani 8:44) dhe do të keqen tonë. Ai i tërhoqi të parëgatuarit në mëkat dhe u bë shkaku i gjithë vuajtjeve tona. Që nga ajo kohë nuk pushon asnjëherë. Nëse do të mundej, do të na përpinte të gjithë. Gjen njëmijenjë mënyra, për të na plagosur. Mbjell keqkuptime në punën tonë, që të trishtohemi. Shkakton grindje dhe zënka në familje, për të mos gjetur qetësi. Nxit urrejtjen midis nesh, që të drejton madje edhe në krime, duke vuajtur, kështu, ne vetë dhe të afërmit tanë. Në thelb ky është edhe burimi i luftërave, të cilat shkatërrojnë çdo gjë.
* * *
Pra, si do t’i përballojmë ashpërsitë dhe kurthet e djallit të lig? Zoti ynë na e jep përgjigjen e kësaj pyetjeje me fjalët e Tij hyjnore e frymëzuese: “Rini zgjuar dhe lutuni, që të mos hyni në ngasje” (Mat. 26:41). Kushti i parë për përballimin, si fitimtarë, të ngasjeve, të cilat djalli i sjell me pasionet tona, është kujdesi i ndërthurur gjithmonë me vigjilencën. Kur dikush është vigjilent dhe i kujdesshëm, nuk befasohet në momentin e vështirë të ngasjes. Mos ki frikë, pra, kur je vigjilent dhe lutesh. Nuk mund të na bëjnë keq demonët, kur kemi mendje të kthjellët dhe vigjilencë.
Në lidhje me këtë temë, shën Joan Gojarti, na këshillon: “Shiko mirë dhe mbikëqyr me vigjilencë cili demon i lig të lufton pa pushim, kur qëndron apo kur ecën, kur ulesh apo kur lëviz, kur punon, lutesh apo kur fle. Dinak është djalli, e pohoj edhe unë, por për veten e tij, jo për ne, nëse jemi të kujdesshëm”.
Arma e dytë është lutja e gjallë. Kur, në momentin e ngasjes, ngremë sytë dhe zemrën tonë drejt Qiellit dhe kërkojmë ndihmën e Jisu Krishtit, i fshikullojmë demonët dhe ata largohen. Vetë Zoti tha: “Gjithë sa të kërkoni në lutje, duke pasur besim, do t’i merrni” (Mat. 21:22).
Të lutemi me besë, me përulësi, me thjeshtësi dhe butësi. Të kërkojmë nga Perëndia të bëhet vullneti i Tij dhe t’ia dorëzojmë veten dashurisë së Tij. A është e mundur që Perëndia zemërgjerë të neglizhojë kërkesat tona?
Kryqi i Krishtit tonë është një armë e fuqishme, në duart tona, kundër djallit. Kisha jonë, me gojën e himnografit të frymëzuar, shën Joan Damaskinoit, psal: “O Zot, armë kundër djallit, Kryqin tënd na ke dhënë neve; se tmerrohet e dridhet, ngaqë s’duron të shikojë fuqinë e tij; se ngjall të vdekurit dhe shkatërron vdekjen”.
Dhe shën Kozmai i Etolisë shkruan në mënyrë karakteristike në porositë e tij: “Kryqi i dëbon demonët të largohen si prej një rrufeje… dhe kushdo që e bën, asnjëherë nuk do të pësojë gjë, përkundrazi e ruan nga çdo gjë e hidhur dhe çdo ngasje djallëzore”.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin! Të mos na frikësojë djalli. Nëse jemi brenda Kishës dhe përjetojmë misteret e saj, kur pendohemi sinqerisht, rrëfehemi me pastërti dhe kungohemi me Misteret e Kulluara, le të mos trembemi. Kemi Krishtin brenda nesh. Krishti është i Gjithëfuqishmi. Në ngrohtësinë jetëdhënëse të Kishës, me hirin e saktë të dashurisë hyjnore, njeriu e mposht djallin dhe i hedh tej veprat e tij, “mëkatin që na pushton lehtë” (Heb. 12:1). Dëgjoni një zë ngushëllues. Është i Ungjillor Joanit: “Ju bij, jeni nga Perëndia, dhe i keni mundur ata; sepse ai që është ndër ju është më i madh se ai që është në botë”. U bëftë!
ME URIME TË PËRZEMËRTA DHE BEKIME TË SHUMTA:
MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS DHE KANINËS
† IGNATI