Dëshmore Sebastiana / Sevastiania

U martirizua në kohën e Domitianit (81 – 96). Ishte nga Iraklia (ndoshta e Trakës, në brigjet e Propondidhës). Predikoi në Markinopol të Trakës, në jugperëndim të bregut të Varnës në Bullgarinë e sotme. Kishte marrë mësime dhe ishte pagëzuar nga Apostull Pavli.
U spiunua, u kap dhe e pranoi tërësisht akuzën dhe dëshmoi pa u tundur se do të martirizohej. E goditën të gjithën me sfera plumbi dhe e burgosën. Por iu shfaq Pavli, e përshëndeti dhe i paratha se do ta dëshmonte Jisuin dhe në vendin e saj. Për një javë pushtetari e hodhi në kaminë (furrë) për një kohë të gjatë, prej nga doli e padjegur, kështu që u habitën të gjithë. Kur po lutej, një erë e madhe me breshër të fortë, i shoi zjarret dhe shpërndau ata që ndodheshin së bashku me arkondin, të cilët u rrezikuan. I mahnitur e pyeti më pas për të dhënat e saj. Për arsye se ajo heshtte, ia treguan të tjerët.
Kështu e çoi tek sunduesi i Iraklias, ndërsa atëherë një engjëll e siguroi se do t’i ndodhej afër. Atje e varën në një rrotë që i shqyente mishrat, të cilat binin erë të mirë, ndërsa ajo falej pandërprerë. Thonin pra se dukej sikur vuante një qenie tjetër jonjerëzore. Kur u dha në kafshët e egra, një luan tejet i madh foli si njeri për ta lavdëruar atleten dhe për të sharë kriminelët, e rrethoi së bashku me një luaneshë duke e vënë në mes për ta nderuar. Tirani i mundur urdhëroi t’i pritej koka, ku në vend të gjakut buroi qumësht.
Kokën dhe trupin ia futën në një thes me një peshë të rëndë plumbi, dhe e hodhën në det, por engjëlli i nxori lipsanet e nderuara më në perëndim, në Redhesto, për t’i lyer me miro dhe për t’i varrosur me nderime të një aristokrate. Sipas të dhënave të ndryshme, ishte nga Sevastia e Frigjisë, në brendësinë perëndimore të Azisë së Vogël, dhe pasi u dëbua nga Markianopoli, arriti në Iraklia ku u var nga koka dhe u coptua me thonj të hekurt para se t’i pritej koka.
Sevastiania (Sebastiana), greqisht do të thotë e respektuar.

* * * *

Dëshmor Arethai

Gjatë mbretërimit të perandorit të perëndishëm të Bizantit Justin (518-527), mbreti i shenjtë Elesbaan mbretëronte në Aksiom, në mbretërinë e Etiopisë. Mbretëria fqinje e Homeritit, në Arabi (në Sabën e vjetër dhe Jemenin e sotëm) ishte në duart e një hebreu mizor e luftëdashës, Dhu-Novas, që qe bërë jude me emrin Jusuf, i cili nuk reshti së skllavëruari mbretërinë e krishterë të Etiopisë.
Pas fitoreve të lavdishme, Elesbaan kishte arritur ta nënshtronte, të depërtonte deri në mbretërinë e tij dhe e kishte detyruar të paguante haraç (518). Pas disa kohësh, Dhu-Novas arriti të ngrinte një ushtri të fuqishme dhe sulmoi tërë qytetet e krishtera të mbretërisë së tij, që të vriste të gjithë ata që nuk mohonin Krishtin dhe Kryqin e Tij.
Atëherë u drejtua për në qytetin e Nazhranit (në Jemenin e Veriut), qytet i pasur dhe mjaft i populluar, i krishterë që në kohën e Konstancit, birit të shën Konstandinit të Madh (337-360). Qyteti dhe gjithë krahina kryesohej nga një plak i urtë, i nderuar e mjekërbardhë që quhej Aretha. Ky ishte i respektuar nga të gjithë. Dhu-Novas filloi të provokonte mbrojtësit e qytetit që rrinin poshtë mureve të tij, duke i kërcënuar se të gjithë do të kalonin nga shpata, nëse nuk hiqnin dorë dhe nuk mohonin besimin e tyre.
Duke menduar se këto kërcënime mund ta përforconin edhe më tepër zjarrin e tyre për të derdhur gjakun për Krishtin, mendoi se kjo taktikë mund t’i kushtonte humbje të mëdha, ndaj përdori si strategji dredhinë. Me lajka dhe premtime të gënjeshtërta, i marri arriti t’i bindë disa besnikë ta lejonin të hynte me shpurën e tij të vogël në qytet, për një vizitë protokollare, si sovran i krahinës.
Atëherë ia hapën dyert, duke iu besuar premtimeve të tij. Gjoja shumë i dashur dhe i qeshur, Dhu-Novas tregoi një dashamirësi, pak e pazakontë për të, dhe lavdëroi qytetin për pasurinë e monumenteve, për lulëzimin dhe mirëkuptimin që ekzistonte mes banorëve. Duke ecur edhe më tej, i ftoi krerët dhe fisnikët e krahinës që të vizitonin kampin e tij të nesërmen. Në mëngjes, kur krerët e kryesuar nga shën Arethai dolën nga qyteti që të vizitonin kampin e tiranit, Dhu-Novas dha urdhër t’i zinin rob. Nga kaosi që u krijua, ushtarët depërtuan në qytet dhe e sulmuan.
Si fillim, mizori kërkoi episkopin Pavël, i cili tashmë kishte fjetur dy vjet më parë. Megjithatë hapi varrin e tij dhe dha urdhër t’ia digjnin lipsanet, të cilat nderoheshin me devotshmëri nga besimtarët atje. I dogji të gjallë të gjithë priftërinjtë, murgjit dhe murgeshat e qytetit, rreth 477 veta. 127 laikëve të perëndishëm ua preu kokat. U përpoq me premtime të bindte një vejushë të pasur, por më kot. Edhe atë e torturoi. Kur e bija e vejushës pa nënën e saj të keqtrajtohej nga ushtarët në atë mënyrë, shpejtoi para Dhu-Novas dhe e pështyhu në fytyrë. Ky i fundit, i xhindosur nga turpi, ia preu kokën vajzës 12-vjeçare, dhe e detyroi të ëmën e vajzës të pinte gjakun e së bijës para se vetë asaj t’ia prisnin kokën.
Të nesërmen, kur u ul në fron, nxori përpara shën Arethain dhe 340 shokët e tij. Me gjithë pleqërinë tij, shenjti tregoi guximin e një luftëtari të ri. Tirani urdhëroi t’ua prisnin kokat pranë një lumi. Si u lutën dhe përshëndetën njëri-tjetrin për herë të fundit, u përgatitën për sprovën e fundit. Arethait ia prenë kokën të parit. Me gjakun e tij u mirosën shokët dhe me gëzim e ofruan veten te vdekja.
Pas ekzekutimit, një grua erdhi bashkë me djalin e saj 3-vjeçar dhe u lye me gjakun e martirëve. Por ushtarët e kapën edhe atë dhe me urdhër të perandorit e dogjën të gjallë. Kur i biri bërtiste për të ëmën, mbreti e mori në prehër për ta ngushëlluar. U habit së tepërmi se kur e pyeti fëmijën çfarë i pëlqente, dëgjoi se dhe ai dëshironte të martirizohej bashkë me të ëmën. – “Ç’do të thotë martirizim?” – e pyeti ai. – “Do të thotë të vdesësh për Krishtin, që të fitosh jetën”, – u përgjigj i mituri. – “Po ti e di kush është Krishti?” – “Eja në kishë dhe do ta tregoj”, – përsëriti i mituri plot siguri. Por, kur e pa nënën ta hidhnin në zjarr, u shkëput nga krahët e mbretit dhe vrapoi drejt zjarrit për t’u bashkuar me të.
Buja e këtyre masakrave arriti deri në veshët e të perëndishmit Justin në Konstandinopojë. Ai i shkroi patriarkut të Aleksandrisë, Asterit, që të caktonte mbretin e Etiopisë, Elesbaanin, të dërgonte një ekspeditë për të ndëshkuar Dhu- Novas. Asteri mblodhi murgjit e Nitrisë dhe të shkretëtirave të tjera që të luteshin për çlirimin e të krishterëve. Elesbaan kishte frikë se mos humbiste, ndaj i kërkoi Perëndisë një shenjë. Vizitoi një eremit me zë në mbretëri, i cili e siguroi se lotët e perandorit Justin, të patriarkut të Aleksandrisë, të murgjve, si dhe të tijat do ta çlironin nga duart e tij në një mënyrë të sigurt.
Ushtria e krishterë luftoi me trimëri dhe shumë shpejt, me ndihmën e Perëndisë, e pushtoi qytetin Nazhran dhe krahinën e Homeritit (525). Duke u bërë instrument i zemërimit të Perëndisë për judenjtë dhe armiqtë e të krishterëve, mbreti Elesbaan caktoi një episkop të ri në qytet (shën Grigjentin 19 dhjetor) dhe, me të ardhurat që kishte mbledhur shën Arethai, ndërtoi kisha të tjera, pastaj u kthye në paqe në mbretërinë e tij.