UGJILLI – Llukai 9:44-50.

Ju vini në veshët tuaj këto fjalë; sepse i Biri i njeriut do të jepet në duart e njerëzve. Po ata nuk e kuptonin këtë fjalë, dhe ishte e fshehur prej tyre që të mos e kuptonin; dhe kishin frikë ta pyetnin për këtë fjalë.
Edhe hyri një mendim tek ata: Cili vallë nga ata ishte më i madh. Edhe Jisui, kur pa mendimin e zemrës së tyre, mori një fëmijë, edhe e vuri pranë vetes. Edhe u tha atyre: Ai që të presë këtë fëmijë në emrin tim, më pret mua; edhe ai që të më presë mua, pret atë që më dërgoi mua; sepse ai që është më i vogël ndër gjithë ju, ky është më i madh.
Edhe Joani u përgjigj e tha: Mjeshtër, pamë një njeri që nxirrte demonë në emrin tënd; dhe e ndaluam, sepse nuk vjen pas bashkë me ne. Edhe Jisui i tha: Mos e ndaloni, sepse ai që s’është kundër nesh, është me ne.