Dëshmor i madh Artemi
Ishte shpallur nga Konstandini i Madh (21 maj) dukë dhe komandant për gjithë Afrikën. Dikur u thirr nga perandori Julian Shkelësi (361-363), për ta takuar në Antioki.
Kur ai u kthye nga Aleksandria, perandori torturonte me pesëqind goditje me shkopinj priftërinjtë Evgjen dhe Makario (19 shkurt), të cilët duronin pa rënkuar. Duke menduar se mos ndoshta heshtja e tij do të ishte e barazvlershme me dezertimin, nga njëra anë ai kontrolloi arrogancën e mbretit, që edhe ai ishte njeri si të tjerët, ndërsa nga ana tjetër shpalli Shpëtimtarin.
Mosbesuesi u shastis dhe pyeti kush ishte, sepse nuk e njihte personalisht. E informuan dhe u gëzua, sepse do të hakmerrej për vëllanë e vet, Galin, që kujtonte se e kishte ekzekutuar Artemi. Por atë e kishte vrarë në vitin 354 mbreti bamirës dhe kushëriri i tij, Konstandi (337-361), si njeri tinzar.
Prandaj atletin e tendosën dhe e fshikulluan egërsisht, pastaj e futën në burg. Më pas u thirr nga Julian Shkelësi për të bërë flijime, që të shpëtonte, edhe pse sipas mendimit të tij i kishte vrarë të vëllanë. Madje do ta shpallte mëkëmbës të tij dhe kryeprift të perëndive. Martiri i provoi se s’kishte marrë pjesë në ekzekutimin e të vëllait.
Në një diskutim theologjik e mundi renegatin, i cili urdhëroi t’i çirrnin kurrizin me rrodhe dhe t’i shponin brinjët dhe qepallat me ashkla të ndezura. Ai as nuk rënkoi dhe prandaj e rifutën në burg pa ushqim dhe pa ujë, por natën pa Krishtin, që e shëroi në çast.
Pas 15 ditësh Juliani shkoi në Dafni, rrethinë e Antiokisë, që ishte me famë për florën dhe ndërtimet e saj, në veçanti për tempullin me statujën e Apollonit, të dëgjuar në mbarë botën. Por demoni që ishte atje nuk i dha fjalën “hyjnore”, madje natën një zjarr dogji tempullin.
Tirani i zemëruar mbylli kishën e krishterë, sekuestroi enët e shenjta dhe i la të lirë idhujtarët kundër besimtarëve. Ata dogjën lipsanet e nderuara të Pararendësit (7 janar) dhe të shën Eliseut (14 qershor), shkatërruan shtatoren e Zotit, që ishte një kushtim i shën Veronikës (12 korrik). Gjithashtu, iu dha leje hebrenjve të rindërtonin tempullin e tyre, por ata i ndaluan fatkeqësi vdekjeprurëse.
Më pas Artemi (greqisht do të thotë: i shëndetshëm) u dërrmua sepse nga një lartësi i hodhën një gur të rëndë, por të nesërmen u ngrit më këmbë edhe pse i tretur dhe i verbër! Iu pre koka (ndoshta më 20.10.362), pasi më parë ishte lutur që përndjekja të ndërpritej dhe dëgjoi se qysh atë çast do të kishte veti shëruese. Lipsani i tij u dërgua në Bizant.
Shëron në mënyrë të habitshme herniet. P.sh. të sëmurë të ndryshëm e ëndërronin duke i operuar, duke u bërë kryqin ose thjesht, duke u thënë se ishin të shëruar. Njëri që tallej me mrekullitë e tij, pësoi vetë hernie!
Shën Artemi në kohën e perandorit Konstand dhe me kërkesën e tij kishte transferuar lipsanet e shën Andreas dhe shën Lukait në kishën e Apostujve të Shenjtë në Konstandinopol. Tani në fund, disa besojnë se tjetër ishte duka i Aleksandrisë, Artemi dhe tjetër shenjtori ynë.
* * * *
Oshënare Matrona në Hios
Shën Matrona jetoi rreth shekullit XV. Lindi në një fshat të ishullit Hio nga prindër besimtarë dhe të mirë. Që fëmijë, zelli hyjnor e digjte përbrenda dhe shpejt mësoi për gjërat e shenjta. Braktisi atdheun, prindërit, pasuritë dhe u bë e huaj për hir të dashurisë për Atë që u bë i huaj dhe banoi ndër ne për shpëtimin tonë.
Pasurinë që la në atdhe e dha për të varfrit dhe për ndërtimin e një kishe. Por gjatë punimeve për ndërtimin e saj, brenda në tokë u zbulua një thesar. Dyshoi se mund të ishte një kurth i të ligut, u lut dhe menjëherë ari u kthye në një grumbull qymyri. U lajmërua me një shenjë hyjnore që të mos ndërtonte kishë në atë vend, por një ndërtesë për të sëmurë e të huaj.
Puna e saj ishte lutja, himnimi, kreshma, punët asketike, lotët. Në të vërtetë, vetëm lotët shpirtërorë mund të freskojnë zemrën e përflakur nga dashuria për Perëndinë. Fryma e saj ishte bërë tashmë qiellore, e pastruar vazhdimisht në Perëndinë, madje i tërë trupi i shkëlqente.
Në këtë periudhë barbarët kishin pushtuar ishullin Hios dhe po mbillnin kudo terror e fatkeqësi. Një prej tyre hyri një ditë në manastirin ku Matrona jetonte bashkë me nxënëset e saj dhe tentoi të sulmonte një nga murgeshat, po zemërimi i Perëndisë nuk vonoi, e goditi barbarin, i cili ra përdhe i vdekur. Kur shenjtorja e pa se si u katandis, i erdhi keq dhe iu lut Zotit ta ngjallte e t’i jepte rast për pendim. I vdekuri u ngrit sikur të flinte dhe erdhi në vete për atë që bëri. Kjo mrekulli u përhap në tërë ishullin, madje kur barbarët e dëgjuan, i zuri frika dhe i lanë të qetë të krishterët.
Pasi kaloi jetën tokësore, shën Matrona fjeti në paqe dhe u la besnikëve orthodhoksë trupin e saj të çmuar si thesar dhe si burim shërimesh e mrekullish për ata që i afrohen me besë.
* * * *
Oshënar Gjerasaimi në Kefaloni
Shën Gjerasimi ishte nga Peloponezi. Prindërit e lejuan që të ri të studionte Shkrimet e Shenjta, në të cilat shkëlqeu. Pas disa vjetësh, la atdheun dhe shkoi në ishullin e Zakinthit. Që andej përshkoi tërë Greqinë. Nga Thesalia u nis për në Detin e Zi, Konstandinopojë, Propontidë dhe
Kalqedoni. Kudo që shkonte, kërkonte njerëz që kishin shkëlqyer në jetën asketike, që të mund t’i mësonin artin e arteve dhe shkencën e shkencave. Porsi bletë e zellshme shkoi edhe në Malin e Shenjtë, ku thithi nektarin e luleve të ndryshme të virtytit që vuri re tek asketët. Për një periudhë të gjatë qëndroi në shkollën e shërbëtorëve të Hyjlindëses në Athos. Mori Skimën e Madhe murgërore dhe u ushtrua në virtytet e jetës monakale, si kreshma e vazhdueshme, agripnitë gjatë natës, lotët, lartësimi i mendjes drejt Perëndisë në qetësinë absolute dhe pastërtinë e zemrës. Pas
disa vitesh, u nis për të nderuar Vendet e Shenjta. Në Jerusalem u dorëzua nëndhjak, më pas dhjak dhe prift për patriarkun Gjermani I (1537-1579). Pasi shërbeu për një vit në Varrin e Shenjtë, qëndroi 12 vjet në shërbim të patriarkut.
Një herë, u largua për në shkretëtirën e Jordanit dhe kaloi 40 ditë në kreshmë e lutje, ashtu si Zoti (Matth. 4.1; Mark. 1.12; Lluk. 4.1), pastaj u kthye sërish në patriarkanë për të vazhduar shërbimin e tij. E braktisi Jerusalemin për të vijuar pelegrinazhet e tij. Qëndroi për pak kohë në Malin Sina, pastaj u nis për në Aleksandri. Përshkoi tërë Egjiptin, kaloi në Antioki, në Damask, pastaj lundroi për në Kretë dhe në fund u kthye në Zakinth. Atje u mbyll në një shpellë të largët dhe jetoi për pesë vjet me perime, pa bukë dhe kripë. Megjithëse ishte kaq i izoluar, u zbulua nga besimtarë që kërkonin bekimin dhe këshillat e tij. Por, duke kujtuar zërin e etërve se “s’ka gjë më të rrezikshme për murgun sesa lëvdatat dhe fama e mirë”, vendosi të largohej. Qëndroi për gjashtë vjet në një shpellë të vogël, në ishullin e Kefalonisë. Siç nuk është e mundur për llambën e ndezur ta fshehësh, kështu edhe virtyti i të lumurit nuk mund të mos zbulohej prej besëmirëve. Providenca e udhëhoqi drejt ishullit Omala, pranë një kishëze mrekullibërëse. Atëherë mori nga Perëndia sigurinë se tashmë kishte ardhur koha të pranonte dishepuj. Pranë tij erdhën 25 vajza të reja, të cilat i kërkuan t’i drejtonte në jetën shpirtërore dhe kishëzën ta shndërronte në manastir. Pranoi t’u komunikonte dishepujve të tij hiret dhe përvojën shpirtërore që Perëndia i kishte dhënë me mbushulli.
Manastiri u quajt “Jerusalemi i Ri” dhe dukej se banohej nga engjëj me trup. Arriti në moshë të madhe dhe paratha ditën e vdekjes. Mblodhi bijat e tij shpirtërore dhe u dha këshillat e fundit. Fjeti më 15 gusht 1579. Duke qenë se kjo datë përkon me festën e Fjetjes së Hyjlindëses, kujtimin e tij e kremtojmë më 20 tetor, ditën e transferimit të lipsanit të tij, i cili deri më sot ka mbetur i paprishur dhe ngjan sikur është duke fjetur. Nga ai buron erë e mirë dhe kryen mrekulli. Shën Gjerasimi u bë mbrojtësi i banorëve të ishullit të Kefalonisë. Tregoi në mënyrë të veçantë pushtet për të çliruar të demonizuarit. Përveç kësaj, falë tij Orthodhoksia u ruajt në Kefaloni, përgjatë shekujve të pushtimit venedikas.