APOSTULLI – Kolosianëve 4:5-11, 14-18.
Ecni me urtësi para atyre që janë jashtë, duke fituar kohën. Fjala juaj le të jetë përherë me hir, e ndrequr me kripë, që të dini si duhet t’i përgjigjeni gjithësecilit.
Gjithë punët e mia do t’jua tregojë Tihiku, vëllai i dashur, edhe punëtor besnik e shërbëtor bashkë me mua në Zotin, të cilin e dërgova tek ju pikërisht për këtë, që të marrë vesh punët tuaja dhe të ngushëllojë zemrat tuaja; bashkë me Onisimin, vëllain besnik e të dashur, i cili është prej jush. Ata do t’ju rrëfejnë të gjitha të këtushmet.
Ju përshëndet Aristarku, shoku im i burgut, edhe Marku, i nipi i Barnabës, për të cilin morët porosi; në ardhtë tek ju, mirëpriteni; edhe Jisui i quajtur Just, të cilët janë nga rrethprerja. Vetëm këta janë bashkëpunëtorë të mi në mbretërinë e Perëndisë, të cilët u bënë tek unë ngushëllim.
Ju përshëndet Llukai, mjeku i dashur, edhe Dhimai.
Përshëndetni vëllezërit që janë në Laodiki, edhe Nimfain dhe kishën që është në shtëpinë e tij. Edhe si të lexohet letra tek ju, bëni që të lexohet edhe në kishën e Laodikeasve, që të lexoni edhe ju atë që do t’ju dërgohet nga Laodikia. Edhe thuajini Arkipit: Ki kujdes në shërbesën që more në Zotin, që ta përmbushësh atë.
Përshëndetja u shkrua me dorën time, të Pavlit. Kujtoni vargonjtë e mi. Hiri qoftë bashkë me ju. Amin.