UNGJILLI – Llukai 8:5-15.
Doli mbjellësi të mbillte farën e tij; dhe ndërsa ai po mbillte, ca farë ra pranë udhës, edhe u shkel, edhe zogjtë e qiellit e hëngrën. Edhe tjetër ra mbi gur, edhe si mbiu u tha, sepse nuk kishte lagështirë. Edhe tjetër ra në mes të gjembave, edhe si mbinë gjembat bashkë me atë, e mbytën. Edhe tjetër ra në dhe të mirë, edhe si mbiu, dha fryt njëqind fish. Duke thënë këto, thërriste: Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.
Edhe nxënësit e tij e pyetnin, duke thënë: Ç’të jetë kjo paravoli? Edhe ai tha: Juve ju është dhënë të njihni misteret e mbretërisë së Perëndisë; ndërsa të tjerëve me paravoli, që duke parë të mos shohin dhe duke dëgjuar të mos kuptojnë. Edhe kjo paravoli është:
Fara është fjala e Perëndisë. Ato pranë udhës janë ata që dëgjojnë; pastaj vjen djalli dhe ngre fjalën prej zemrës së tyre, që të mos besojnë e të shpëtojnë. Edhe ato mbi gur janë ata, të cilët, kur dëgjojnë, me gëzim e pranojnë fjalën; po këta s’kanë rrënjë; ata besojnë për ca kohë, po në kohë ngasjeje largohen. Edhe ajo që ra tek gjembat, këta janë ata që dëgjuan, po nga kujdesjet e nga pasuria dhe nga kënaqësitë e kësaj jete shkojnë e mbyten, e nuk japin fryte. Edhe ajo në dhe të mirë, këta janë ata që dëgjuan fjalën dhe e mbajnë në zemër të mirë e të pastër, dhe bëjnë fryte me durim.