Dëshmor Longin kryeqindëshi dhe 2 ushtarët.

Shën Longini jetoi gjatë mbretërimit të perandorit Tiber (15-34 pas Krishtit). Vinte nga Kapadhokia dhe shërbente në ushtrinë romake si centurion nën urdhrat e Pilatit, qeveritar i Judesë. Atë e kishin caktuar për të ekzekutuar torturat e Krishtit, të ruante varrin. Kështu pra edhe Longini ishte dëshmitar i mrekullive të Krishtit.
Kur ai i pa të gjitha këto, sytë e zemrës së tij u hapën dhe ai tha: «Me të vërtetë, ky është Bir i Perëndisë!» (Matth. 27.54; Mark 15.39). Kur ushtarët panë varrin bosh shkuan tek Longini që t’i jepnin një shumë parash që të shpërndanin lajmin se dishepujt shkuan dhe e morën trupin e tij. I ndriçuar nga drita e besimit të Ngjalljes, ai nuk pranoi. E braktisi ushtrinë dhe u kthye në atdheun e tij, Kapadhokinë, që të shpallte Lajmin e mirë si apostujt.
Për t’u hakmarrë ndaj Longinit, judenjtë i dhanë para Pilatit dhe ky i fundit i shkroi një letër perandorit Tiber që ta denonconte Longinin. Një ditë, disa miq qëndruan në shtëpinë e Longinit dhe i kërkuan t’i strehonte. Shenjti i priti me tërë të mirat. Ata i treguan se kërkonin një farë Longini për ta vrarë. Natën shenjti shkoi dhe përgatiti varrin e tij bashkë me një shok, i cili ishte arratisur nga Palestina dhe kërkoi të martirizohej bashkë me Longinin.
Kur shenjti mbërriti në shtëpi, u zbuloi miqve se ai ishte Longini që ata kërkonin. U befasuan të dërguarit e perandorit dhe u ndjenë keq ta vrisnin Longinin, i cili i kishte pritur aq mirë. Shenjti u kërkoi të mos vononin, por të përmbushnin qëllimin për të cilin kishin ardhur. Ia prenë kokën Longinit dhe e dërguan në Jerusalem, që Pilati dhe judenjtë të siguroheshin që Longini ishte vrarë. Më pas e hodhën kokën e tij në një gropë me gaz përreth Jerusalemit.
Shumë vite më vonë, një zonjë e pasur nga Kapadhokia, e cila u sëmur rëndë dhe e humbi shikimin, bëri një pelegrinazh në vendet e shenjta e shoqëruar nga i biri. Por si hynë në qytet, djali i saj vdiq dhe pikëllimi iu shtua edhe më tepër. Një natë, Longini iu shfaq në ëndërr dhe i zbuloi vendin ku ishte fshehur koka e tij, dhe i premtoi se prej saj do të shërohej. Gruaja e hidhëruar kërkoi dhe e gjeti kokën e shenjtit, e cila e shëroi nga verbëria. Jo vetëm sytë e trupit iu hapën, por edhe ato të shpirtit. E ngushëlluar e mori kokën e Longinit dhe e vendosi në një arkë bashkë me trupin e birit të saj dhe i çoi në Kapadhoki, ku i vendosi në një kishë që u ndërtua për nder të shenjtit.

* * * * *

Oshënar Mali.

E braktisi botën, gjithë të mirat dhe prindërit, dhe u nis drejt shkretëtirës, në vende të pabanuara. U dha me zell në agjërim, lutje dhe çdo lloj pune tjetër asketike. Fytyra shkëlqente me gëzimin e Ngjalljes.
Kreu shumë mrekulli vetëm me thirrjen e emrit të Jisuit: shëronte të lebrosur, nxirrte demonë, u rikthente shikimin të verbërve dhe pas largimit të tij nga kjo botë u la besimtarëve trupin e tij, prej të cilit buron miro që shëron nga të këqijat.