APOSTULLI – Efesianëve 4:17-25.
Them pra këtë, edhe dëshmoj në Zotin, të mos ecni më siç ecin edhe pjesa tjetër e kombeve në kotësinë e mendjes së tyre, me mendje të errësuar, duke qenë të tjetërsuar nga jeta e Perëndisë, prej padijes që është në ta, për shkak të ashpërsisë së zemrës së tyre. Këta duke u bërë të pandjeshëm e dhanë veten e tyre në fëlliqësi, që të bëjnë çdo papastërti me lakmi. Por ju nuk e keni mësuar kështu Krishtin.
Në qoftë se e keni dëgjuar atë dhe jeni mësuar në të, siç është e vërteta në Jisuin, hidhni tej njeriun e vjetër që është sipas jetesës së mëparshme, i cili prishet sipas dëshirimeve të mashtrimit, edhe përtërihuni në frymën e mendjes suaj, edhe vishni njeriun e ri, që është ndërtuar sipas Perëndisë me drejtësi e me shenjtëri të së vërtetës.
Prandaj, duke hedhur tej gënjeshtrën, “flisni të vërtetën secili me të afërmin e tij”, sepse jemi gjymtyrë të njëri-tjetrit.