APOSTULLI – Efesianëve 3:8-21.
Mua më të voglit nga të gjithë shenjtët m’u dha ky hir t’u ungjillëzoj kombeve pasurinë e pagjurmueshme të Krishtit, edhe t’i ndriçoj të gjithë, që të dinë ç’është pjesëmarrja në misterin e fshehur që prej jetëve tek Perëndia që i krijoi të gjitha me anë të Jisu Krishtit, që t’u bëhet e njohur tani me anë të kishës dituria e shumanshme e Perëndisë kryesive e pushteteve në vendet qiellore, sipas qëllimit të përjetshëm që bëri në Krishtin Jisu, Zotin tonë, në të cilin kemi guximin dhe qasjen tek Perëndia me bindje me anë të besimit në të. Prandaj ju lutem të mos ligështoheni për shkak të mundimeve të mia për ju, gjë që është lavdia juaj.
Prandaj ul gjunjët e mi përpara Atit të Zotit tonë Jisu Krisht, prej të cilit quhet çdo familje në qiejt e mbi dhe, që t’ju japë juve sipas pasurisë së lavdisë së tij të forcoheni në fuqi me anë të Frymës së tij në njeriun e brendshëm; që të banojë Krishti në zemrat tuaja me anë të besimit, që të rrënjosur e të themelosur në dashuri të mund të kuptoni bashkë me gjithë shenjtorët, ç’është gjerësia dhe gjatësia dhe thellësia e lartësia, edhe të njihni dashurinë e Krishtit, e cila kapërcen çdo dituri, që të mbusheni me tërë plotësinë e Perëndisë.
Edhe atij që sipas fuqisë që veprohet tek ne mund të bëjë shumë më tepër nga gjithë sa kërkojmë ose mendojmë, atij i qoftë lavdia në kishë me anë të Krishtit Jisu në gjithë brezat në jetë të jetëve. Amin.