Apostull Thomai 

Apostulli i shenjtë Thoma, i quajtuar gjithashtu Binjak, lindi në Jude nga prindër të varfër, por i transmetuan një përkushtim të madh për Ligjin e Moisiut. Që i ri, u largua nga lojërat ngatërrestare të shokëve për t’iu kushtuar leximit dhe meditimit të Shkrimeve. Njohja e Fjalës së Perëndisë, gjithashtu edhe predispozitat e mira të ndërgjegjes së tij, i lejuan të njihte pa hezitim që Krishti ishte Mesia i lajmëruar nga profetët, i Cili iu shfaq dhe e ftoi apostullin për ta ndjekur. La varkën dhe rrjetat dhe u bë një nga të dymbëdhjetët. U persekutua, u dëbua, u qëllua me gurë nga judenjtë, e ndoqi kudo Zotin me zell të zjarrtë dhe madje, ishte ai, Thomai që, kur Krishti mori rrugën e Jerusalemit për t’u dhënë në duart e atyre që do ta vrisnin, u tha dishepujve të tjerë: “Le të shkojmë dhe ne që të vdesim bashkë me të!” (Jn. 11.16).
Kur Shpëtimtari i botës mundi vdekjen me ngjalljen e Tij nga varri, iu shfaq dishepujve që ishin mbledhur kur dyert ishin të mbyllura nga frika e judenjve. Ai i mbushi ata me gëzim, duke u treguar trupin dhe shenjat e pësimit. Zoti u përkujdes që Thomai të mos ishte bashkë me ta dhe, kur të tjerët i treguan se kishin parë Zotin e ngjallur prej së vdekurish, nuk donte ta besonte. Në durimin dhe zemërgjerësinë e tij, Zoti u shfaq përsëri, një javë më vonë, para dishepujve dhe e ftoi Thomain që të kuptonte se ishte ngjallur së vdekurish, duke e ftuar të vinte gishtin në brinjë dhe dorën në plagën e gozhdëve. Kështu e qortoi Thomain për mosbesimin dhe na mësoi se që të gjithë jemi të thirrur për të vënë, jo fizikisht, por shpirtërisht, duart në brinjën e tij për të pirë nga burimet e Hirit (Jn. 20.19-29).
Ditën e Pentikostisë Thomai ishte bashkë me apostujt e tjerë kur Shpirti i Shenjtë zbriti mbi kokat e tyre në formë gjuhësh zjarri. Atëherë ai u mbush me fuqi hyjnore për të lëçitur në botë shpëtimin dhe për të ungjillëzuar në krahina të largëta të Medesë, të Parthës (Irani i sotëm) dhe në Indi.
Ndodhej në Jerusalem atëherë kur njëfarë Ambanis u dërgua nga mbreti i Indisë që të gjente një arkitekt të aftë për të ndërtuar një pallat, i cili do t’ua kalonte në bukuri dhe pasuri të gjithë paraardhësve. Duke e ditur se ky mund të ishte fillimi i misionit të tij, Thomai doli para Ambanisit si një skllav ekspert për ndërtimin e shtëpive. U nis kështu për në Indi dhe arriti përpara mbretit Gundafar. I premtoi se do t’i ndërtonte një pallat të mrekullueshëm në vendin që ai kishte zgjedhur. Mbreti u entuziazmua dhe i dha apostullit një shumë të madhe parash për ndërtimin, para se të largohej në provincat e largëta për një periudhë trevjeçare. Që nga çasti kur Thomai mori në zotërim pronat e tij, ia shpërndau shumë të varfërve dhe të uriturve. Lëmoshën e shoqëronin mrekulli dhe shpallja e Ungjillit.
Shumë paganë u kthyen në besimin e krishterë. Kur mbreti e pyeti se deri ku ishte me punimet, ai i kërkoi më tepër ar, gjoja për çatinë. Mbreti i dërgoi gjithçka, pa dyshuar se apostulli ia shpërndante të vobektëve, por zemërimi i tij ishte i tmerrshëm kur mësoi se Thomai ua kishte shpërndarë paratë të varfërve, ndaj dha urdhër ta mbyllnin në një gropë të thellë duke i rezervuar tortura çnjerëzore. Por atë natë, vëllai i mbretit, i cili ishte i sëmurë, pati një vizion nga një engjëll, i cili i tregoi një pallat të mrekullueshëm në mbretërinë e përjetshme të të drejtëve. Engjëlli i tha: “Ja, ky është pallati që është përgatitur për vëllain tënd dhe apostulli Thoma e ka ndërtuar për të”. Kur erdhi në vete, i vëllai ia tregoi mbretit atë që kishte parë dhe i përshkroi se sa shumë herë më i bukur ishte pallati që Thomai kishte ndërtuar në qiell. I çuditur, mbreti u pendua, e nxori apostullin nga burgu dhe i kërkoi ta pagëzonte bashkë me të vëllain.
Shën Thomai u nis në një tjetër mbretëri ku mbretëronin më dhunshëm barbaria dhe mizoria. Falë fuqisë që kishte nga Shpirti i Shenjtë, arriti ta kthente në besim gruan e mbretit Tertian, birin e saj, Azanis dhe dy bijat, Migdonia e Marka. Si i pagëzoi, u mësoi se si të ecnin në udhën e përsosmërisë, në asketizëm dhe dëlirësi. Kjo mënyrë jete e çuditshme dhe e pakuptueshme për zakonet e tij pagane, e tërboi sovranin e paturpshëm. E kapi Thomain dhe urdhëroi pesë ushtarë ta nxirrnin mbi një mal jashtë qytetit dhe ta shponin me heshta. Kështu apostulli u bashkua me Zotin për t’u gëzuar me praninë e Tij në përjetësi. Nderohet si themeluesi i Kishës në Indi.