Shen Joan Kukuzeli dhe dita ndërkombëtare e muzikës.
Në datën 1 tetor 2021, në ditën kur në Kishë kujtohet shën Joan Kukuzeli, datë e cila përkon edhe me ditën ndërkombëtare të muzikës, u zhvillua një veprimtari kushtuar figurës së Joan Kukuzelit dhe trashëgimisë jomateriale të muzikës bizantine në hapësirën shqiptare.
Veprimtaria u organizua nga Akademia e të Rinjve dhe Komisioni i Përhershëm i Artit dhe i Trashëgimisë Kulturore i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit të Akademisë së Studimeve Albanologjike.
Veprimtaria u moderua nga Andrea Rëmbeci, Bashkëkryetar i Akademisë së të Rinjve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, i cili u dha fjalën folësve, duke u ndalur edhe në rëndësinë e trashëgimisë bizantine në kulturën tonë.
Në kuadrin e kësaj veprimtarie, u mbajtën katër ligjërata të hapura për publikun nga:
1. z. Vasil Tole – Akademia e Shkencave të Shqipërisë
2. znj. Meri Kumbe – zv.ministre e Kulturës
3. z. Theodhor Peci – Drejtues i Korit Bizantin të Katedrales “Ngjallja e Krishtit” Tiranë.
4. znj. Mikaela Minga – Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimeve të Artit.
Në fund pati edhe disa përshëndetje muzikore nga kori i muzikës bizantine “Shën Joan Kukuzeli”, i Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, nën drejtimin e z. Theodhor Peci dhe nga kuinteti i Shkollës së Mesme Artistike “Jan Kukuzeli” të qytetit të Durrësit, nën drejtimin e artistit Pirro Sota, di dhe dy pjesë në piano, në Kuadrin e Ditës Botërore të Muzikës.
Veprimtaria u moderua nga Andrea Rëmbeci, Bashkëkryetar i Akademisë së të Rinjve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Ishte i pranishëm kryetari i Akademisë së Shkencave z. Skënder Gjinushi, zv. Ministrja e Kulturës znj. Meri Kumbe si edhe përfaqësuesi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë Mitropoliti i Amantias Hirësi Nathanaili.
Salla e Akademisë së Shkencave “Aleks Buda” ishte e mbushur plot për plot me pjesëmarrës të cilët kishin interes të madh të mësonin më tepër mbi veprën e himnografit dhe kompozitorit Joan Kukuzeli.
Muzika bizantine përfaqëson një nga aspektet më të rëndësishme dhe interesante të trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të Perandorisë Bizantine. Kjo kulturë e shkruar muzikore mbi 1000 vjeçare, mbërriti deri në ditët tona, e evoluuar dhe e interpretuar pareshtur prej mësuesve të mëdhenj nga brezi në brez, përmes kodikëve të dorëshkruar muzikorë. Kodikët muzikorë të Shqipërisë datojnë nga shek. XIII deri në shek. XIX dhe, megjithëse të pakët në numër, përbëjnë një dëshmi të vyer për njohjen e traditës së artit muzikor në viset shqiptare. Kodiku më i vjetër muzikor i ruajtur në vendin tonë është kodiku i Beratit nr. 23, i shkruar në vitin 1292. Ky kodik i përket periudhës kukuzeliane, d.m.th. periudhës gjatë së cilës jetoi dhe veproi një nga personalitetet më të shquara të muzikës bizantine, Joan Kukuzeli nga Durrësi. Krijimtaria e pasur e Joan Kukuzelit karakterizohet nga vlera të jashtëzakonshme monumentale dhe të përmasave epokale, duke iu shtuar thesarit të paçmuar të inteligjencës muzikore të historisë së njerëzimit.
Personalitete të shquara të fushës së artit dhe kulturës, si Kostandin Kristoforidhi, Fan S. Noli etj., e kanë sjellë në shqip këtë literaturë muzikore, duke e bërë pjesë të natyrshme të artit në vendin tonë.
Foto Album:
Për të ndjekur të plotë këtë event, vizitoni linkun: