Doli në qarkullim vëllimi i dytë i librit muzikor
“Liturgjia Hyjnore”.
Ky botim i ri i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, i përshtatur dhe kompozuar nga z.Theodhor Peci, është një libër liturgjik muzikor. Ai përmban himnet e Liturgjisë së Shën Vasilit të Madh, të Liturgjisë së Dhuratave të Parashenjtëruara dhe kungatoret e javës, të të dielave, të të kremteve zotërore dhe hyjlindësore të të gjithë vitit liturgjik, kungatoret e të kremteve të palëvizshme, të Triodit dhe të Pesëdhjetores, në të tetë tingujt.
Për botën artistike në përgjithësi, por edhe për artin muzikor bizantin të Kishës sonë Orthodhokse në veçanti, ky libër, së bashku me vëllimin e parë, plotëson dhe pasuron repertorin muzikor të Liturgjisë Hyjnore, duke u bërë manuali themelor për kryerjen e shërbesës së Liturgjisë Hyjnore gjatë javës, të dielave dhe në ato raste kur kërkohet një shërbesë pak më kremtuese apo më panegjirike.
Pjesët muzikore janë përshtatur dhe kompozuar për herë të parë në gjuhën shqipe sipas rregullave shkencore të kompozicionit dhe të morfologjisë së Artit Psaltik.
Himnet janë përzgjedhur nga melodibërës që i përkasin të katër periudhave të Artit Psaltik, duke nisur nga shek. XI e deri në ditët tona. Duhet theksuar se libri në fjalë përmban edhe kompozime të reja, posaçërisht për gjuhën shqipe.
Një risi e këtij botimi është risjellja e traditës së lashtë të kungatoreve andifonike të shkurtra, së bashku me vargjet përkatëse, për të gjitha të kremtet që përmendëm më lart.
Për realizimin e këtij botimi falënderojmë në radhë të parë Perëndinë dhe bashkëpunëtorët e Tij. Një falënderim dhe një mirënjohje e veçantë i takon Kryepiskopit tonë Anastas, që ka frymëzuar, nxitur dhe mbështetur punën, për ringjalljen e traditës psaltike shqiptare.
Gjithashtu falënderojmë bashkëpunëtorët e këtij botimi dhe të gjithë sa e kanë mbështetur shpirtërisht e financiarisht në vend dhe nga komunitetet apo besimtarët jashtë Shqipërisë.
Ky libër të jetë një ndihmë për psaltët e kishave, por edhe për besimtarët që i dëgjojnë këto himne, mjet bashkimi me Perëndinë dhe përjetim i botës qiellore.
Foto Album: