APOSTULLI – 2 Korinthianëve 10:7-18.

Ju shihni ende ato që duken në sipërfaqe. Nëse ndonjë beson në vetvete se është i Krishtit, le ta mendojë këtë përsëri nga vetvetja, se, siç është ai i Krishtit, kështu edhe ne jemi të Krishtit. Sepse, edhe sikur të mburrem ca më tepër për pushtetin tonë, që na dha Zoti për ndërtim, e jo për rrëzimin tuaj, nuk do të turpërohem; që të mos dukem se dua t’ju frikësoj me anë të letrave. Sepse, thonë, letrat janë të rënda dhe të forta; po qenia e atij këtu me trup është e dobët, edhe fjala e tij e pavlerë. Ai që është i këtillë le të dijë këtë, se siç jemi në fjalët me letra, kur jemi larg, të tillë jemi edhe në veprat kur jemi afër.
Sepse nuk guxojmë të radhisim ose të krahasojmë veten tonë me disa nga ata që rekomandojnë veten e tyre; po vetë ata duke matur veten e tyre me veten e tyre, edhe duke krahasuar veten e tyre me veten e tyre nuk kuptojnë. Po ne nuk do të mburremi jashtë masës, por sipas masës së kufijve të zonës që na caktoi Perëndia, masë, sa të arrijmë edhe deri tek ju; sepse s’e shtrijmë tepër veten tonë, sikur nuk arritëm tek ju; sepse edhe deri tek ju arritëm me anë të ungjillit të Krishtit.
Edhe nuk mburremi jashtë masës për mundimet e të tjerëve, po kemi shpresë se, duke u shtuar besimi juaj, do të rritemi tek ju për së tepërmi, sipas kufijve të zonës tonë, aq sa të predikojmë ungjillin edhe në ato vende që janë përtej jush, që të mos mburremi për ato që janë të përgatitura në vend të huaj. Por ai që mburret, në Zotin le të mburret; sepse nuk është i sprovuar ai që rekomandon veten e tij, po ai që Zoti rekomandon.