– Çudia e Kryeengjëllit Mihail –
Shumë kohë para Mishërimit të Krishtit, Kryeengjëlli i madh Mihail tregoi shumë herë dashamirësinë dhe kujdesin e tij vigjilues për njerëzit.
Kur kaloi nga Frigjia për të shpallur Ungjillin, apostull Joani profetizoi një vizitë të ardhshme të princit të Kryeengjëjve, Mihailit, në një vend të quajtur Keretopa. Shumë kohë më pas, në këtë vend buroi në mënyrë të çuditshme një burim që shëronte çdo sëmundje. Një nga besimtarët, vajza e të cilit ishte shëruar nga ky ujë, në shenjë mirënjohjeje ndërtoi një kishë të bukur kushtuar Kryeengjëllit Mihail.
Nëntëdhjetë vjet më vonë, vendoset në këtë kishë për t’u ushtruar një djalosh me emrin Arkip nga Hierapolisi. Dashuria dhe zelli i tij për Perëndinë ishin kaq të mëdha sa filloi të bënte mrekulli. Por djalli ziliqar e nxiti xhelozinë e paganëve përreth vendit, të cilët si e kishin rrahur disa herë Arkipin, u përpoqën një natë ta bllokonin burimin; por më kot, sepse Kryeengjëlli ishte i pranishëm atje, por i padukshëm, dhe i pengonte. Por përsëri ata nuk hoqën dorë, madje tentuan t’ia ndryshonin rrjedhën lumit që ai ta përmbytte kishën dhe besimtarët që shkonin atje. Por nuk arritën dot. Një herë tjetër, ata ndryshuan rrjedhat e dy lumenjve që rridhnin më lart se kisha, por Kryeengjëlli Mihail iu shfaq të lumurit Arkip, e qetësoi dhe si një shtyllë zjarri qëndroi para ujërave të vrullshme që ishin gati të gëlltitnin kodrën. Me shkopin e tij goditi kodrën dhe shkëmbi u ça duke hapur një grykë ku kaloi uji. Që nga kjo kohë, lumi u thith nga shkëmbi dhe vendi quhet Chonae (hon), për lavdi të Perëndisë dhe të mbrojtësit tonë Mihail.
* * * * *
– Dëshmorët Romuli, Evdhoksi, Zenon dhe Makari –
Shën Romuli ishte oficer i shtëpisë së perandorit Trajan (98-117) dhe shoqëroi zotërinë në një fushatë në Anatoli. Kur ishin në Galati, perandori vendosi të bëjë ushtarët e tij të krishterë sakrificë për idhujt dhe urdhëroi Romulin të përkujdesej që urdhri i tij të zbatohej. Ishin 11 000 të krishterë në ushtri, si Romuli, që preferuan martirizimin mbi çdo gjë tjetër në këtë botë, për të trashëguar në këtë mënyrë Mbretërinë e Krishtit. Romuli e qortoi perandorin që po e pakësonte pa kurrfarë kuptimi ushtrinë e tij, madje në kohë lufte, por tirani nuk donte të arsyetonte në asnjë mënyrë. Ushtarët e krishterë u dërguan në Armeni, pranë Melitinit ku pësuan vdekje mizore. Atje iu pre koka dhe shën Romulit.
Dy shekuj më vonë, në mbretërimin e perandorit Dioklecian (308) të krishterët u persekutuan edhe një herë tjetër në qytetin e Melitinit. Midis tyre ishte edhe Evdhoksi, një zyrtar i lartë i rangut të kontit, i cili nuk kishte turp të pranonte se ishte i krishterë. Kur ushtarët shkuan për ta arrestuar, ai në fillim e fshehu emrin e tij dhe iu ofroi mikpritje, por pasi u lut dhe mori siguri nga Perëndia se koha e martirizimit të tij kishte mbërritur, ai e dorëzoi veten te ushtarët. Këtyre u kishte bërë përshtypje të madhe qëndrimi dhe sjellja e tij fisnike, prandaj donin ta linin që të arratisej, por shenjtori nuk e donte një gjë të tillë dhe insistoi të shkonte bashkë me ta. Ai i dha gruas së tij këshilla si të drejtonte pronën, i dha lamtumirën dhe e la me gëzim shtëpinë e tij, duke braktisur prona, shëndet e lavdi, për t’u paraqitur përpara guvernatorit.
Evdhoksi e rrëfeu pa frikë emrin e Krishtit. Kur u dënua, ai ia hodhi në fytyrë guvernatorit rripin e tij të zyrtarit, e në ato çaste 1014 ushtarë i hoqën emblemat e rangut të tyre, sepse ishin të gatshëm të rezistonin për të pohuar emrin e Jisu Krishtit dhe të jepnin edhe jetën. Guvernatori që në këtë moment u zu ngushtë, i shkroi Dioklecianit për të marrë udhëzime. Perandori urdhëroi që të ndëshkohej vetëm komandanti i ushtarëve.
Ndërsa po e çonin në vendin e ekzekutimit, Evdhoksi pa mikun e tij të shtrenjtë, Zenonin dhe e inkurajoi të ndiqte rrugën mbretërore që ishte çelur përpara tyre, duke i kujtuar dashurinë e tyre për Perëndinë. Në ato çaste, Zenoni pohoi publikisht emrin e Shpëtimtarit dhe iu pre koka bashkë me mikun e tij në Krishtin pas torturave të frikshme. Shtatë ditë më vonë, Evdhoksi iu shfaq gruas së tij në ëndërr, duke e udhëzuar që t’i thoshte mikut të tij, Makari, kujdestarit të shtëpisë, se për të kishte ardhur koha të paraqiste veten përpara pretoriumit të guvernatorit. Makari iu bind atij vegimi, rrëfeu besimin e vërtetë përpara gjykatësit dhe mori kurorën e martirit me anë të prerjes së kokës.