– Zaharia, i ati i Joan Pagëzorit –

Zaharia ishte levit dhe pasardhës i priftit të madh, Abiatharit. Jetonte në Jerusalem me gruan e tij, Elisabetën, që vinte nga fisi i Aaronit. Që të dy ishin të drejtë. Zbatonin me dashuri urdhërimet e Zotit, por ishin pa fëmijë deri në moshë të madhe. Kur Zaharia kishte radhën si kryeprift, hyri në Tempull për të djegur temjan dhe pa në të djathtë të Shenjtërores Kryeengjëllin Gabriel. Tërë shkëlqim, ai e lajmëroi plakun se Perëndia e kishte dëgjuar lutjen e tyre dhe se në pleqëri do t’u dhuronte një bir, të cilin do ta quanin Joan. I dërguari i Zotit i tha: “Ai do të jetë i mbushur me Frymën e Shenjtë që në barkun e nënës dhe do të ecë përpara Zotit dhe shumë njerëz do t’i kthejë tek Ai” (Lluk. 1.16). Zaharia u çudit nga këto fjalë dhe hezitoi të besonte lajmin e kryeengjëllit, kështu iu lidh goja deri ditën kur lindi djali.
Pas lindjes së Krishtit, Zaharia nuk pati frikë të shpallte hapur virgjërinë e Marisë dhe të tregonte se ajo ishte me të vërtetë Nëna e Perëndisë. Judenjtë gjetën rastin për ta denoncuar te Herodi, i cili dha urdhër ta vrisnin atje ku do ta gjenin, në Tempull. Trupin ia morën priftërinjtë dhe e varrosën bashkë me etërit e tij. Që atëherë priftërinjtë nuk patën asnjë vizion prej engjëjve. Hiri i profecisë u hoq nga ata dhe nuk mundën më të bënin profeci dhe as ta ndriçonin popullin për çështje të vështira të Shkrimit të Shenjtë. Tregimi i vdekjes së Zaharisë që tregohet nga Sinaksarët bazohet në traditën apokrife dhe te dëshmia e disa Etërve të Kishës.

* * * * *

– Hierodëshmor Abdai në Persi –

Shën Abdai jetoi në Persi gjatë mbretërimit të Jazdergit I (399-420), kur Theodhosi II ishte perandori i romakëve (408- 450). Duke jetuar mes idhujtarëve, Abdai u përpoq me çdo mënyrë t’i bindte ata për kotësinë e adhurimit të idhujve. Një ditë, i mbushur plot me zell hyjnor, ai shkoi në tempullin ku mbreti e kishte zakon të ofronte blatimet e tij, e përmbysi zjarrin e shenjtë dhe i vuri flakën ndërtesës. Mbreti u inatos tej mase dhe i nxitur nga të tijtë dhe magjistarët, që ishin xhelozë për pushtetin që Perëndia u kishte dhënë të krishterëve, e ndaloi adhurimin e Perëndisë. Urdhëroi shkatërrimin e kishave dhe të manastireve, si dhe arrestimin e paditjen e priftërinjve dhe besimtarëve të tjerë në gjykatën e tij.
Kur Abdai dhe shokët e tij u shfaqën të lidhur me zinxhirë përpara tij, mbreti i pyeti: “Përse kundërshtoni urdhrin mbretëror dhe nuk i bindeni mësimit që ne kemi marrë prej etërve tanë?”. Rrëfyesit e besimit iu përgjigjën: “Ne nuk i ndjekim doktrinat e njerëzve që na thonë të adhurojmë shumë perëndi, elementët e dritës, ndërsa hedhin poshtë bërësin e tërë botës. Atë ne e adhurojmë dhe Atij ia dedikojmë të gjitha ato që i ka krijuar që ne t’i përdorim e t’i zotërojmë. Ne adhurojmë dhe nderojmë Krijuesin e gjithësisë, që të marrim nderim nga veprat e duarve të Tij”. I turbulluar nga këto fjalë, mbreti urdhëroi Abdain dhe shokët e tij për të ndërtuar altarin e zjarrit të shenjtë, përndryshe do të shkatërroheshin të gjitha kishat. Ata refuzuan dhe i vunë nën torturë. Katër ushtarë e kapën shën Abdain dhe e rrahën me shufra të nxehta hekuri. Kështu ai fitoi kurorën e martirit.
Kjo ngjarje shënoi fillimin e persekutimit të të krishterëve të Persisë që zgjati më shumë se tridhjetë vjet. Shumë veta i kishin duart, veshët dhe gjymtyrët e tjera të prera për hir të Krishtit. Të tjerëve u rropën lëkurën nga fytyra, u ngulën shkopinj në tërë pjesët e trupit dhe të tjerë, u hodhën nëpër puse të mbushur plot me minj e zvarranikë të ndryshëm. Shën Beniamini, dhjakon, dhe shoku i shën Abdait, u numërua me këta atletë të nderuar të Krishtit, bashkë me shën Hormizhdin dhe shën Suninin.
Hormizhdi, biri i guvernatorit të provincës së Ahmadanit, kishte besuar në Krishtin që në rininë e tij. Ai u denoncua te mbreti dhe kur premtimet dhe lajkatimet e tjera nuk patën efektin e kërkuar, ai u dënua të kulloste lakuriq devetë nëpër shkretëtirë. Pas shumë kohësh, Mbreti e njohu ndërsa po kalonte në ato vise, i dërgoi një tunikë të linjtë, bashkë me premtimin se do ta rivendoste në rangun e tij shoqëror nëse do të kthehej në fenë e stërgjyshërve të tij. Shenjtori e bëri tunikën copa dhe ia dërgoi mbretit, që urdhëroi ta ekzekutojnë.
Shën Sunini ishte zyrtar i lartë shtetëror dhe zotëronte mijëra skllevër, por preferoi më mirë të hiqte dorë nga të gjitha, me gjithë insistimin e gruas së tij për të bërë të kundërtën, sesa të tradhtonte Mbretin e tij qiellor.