– Dëshmor Mamasi (Mamai/Mamanti) –
Shën Mamasi vinte nga Gangra e Panflagonisë (Azi e Vogël). Prindërit e tij Theodhoti dhe Rufina ishin të krishterë. U zunë robër nga paganët dhe u burgosën, sepse nuk e mohuan Krishtin. Madje shenjti u lind në burg, por prindërit i vdiqën atje, dhe fëmija i vogël u adoptua nga një grua e perëndishme me emrin Amiana (sipas të tjerëve Matrona). Qysh në belbëzimet e para nëna që e kishte adoptuar e thërriste Mamas.
Në moshën 15-vjeçare, u zu rob nga një grup perandorak, sepse kishte refuzuar të sakrifikonte para idhujve. E nxorën para Demokritit, qeveritarit të Qesarisë në Kapadoki, dhe më pas para perandorit Aurelian. Tirani u përpoq ta detyronte djaloshin, por shpirtin e Mamasit e gjeti më të fortë se diamanti dhe, për nga zelli hyjnor, më të zjarrtë se furra që kishin ndezur. Aureliani u zemërua dhe urdhëroi t’i bënin tortura nga më mizoret: rrahje, shkelma, goditje me shkopinj. Mendoi se vuajtja e kishte mundur Mamasin, dhe i tha: “Vetëm thuaj se ke sakrifikuar para idhujve dhe kjo mjafton që të lirohesh”. Mamasi u përgjigj: “As zemra, as buzët nuk do ta mohojnë Zotin tim Jisu Krisht, o perandor; të falënderoj, se nëpërmjet këtyre vuajtjeve po më lejon të bashkohem më shumë me Mbretin tim, që hoqi për shpëtimin tim”. Ia dogjën trupin me pishtarë të ndezur dhe e goditën me gurë. I lidhën në qafë një gur dhe e hodhën në det. Shpëtoi për mrekulli nga një engjëll i Perëndisë, me ndihmën e të cilit u gjend në një mal të qytetit të Qesarisë. Jetoi atje me lutje të pandërprerë dhe me falënderime. Shoqëri i bënin kafshët e egra, të cilat i jepnin qumështin e tyre si ushqim.
Pak kohë më pas, zbriti në qytet që t’i dorëzohej vetë qeveritarit të ri të Kapadokisë, Aleksandrit. Iu nënshtrua torturave. E hodhën në furrë të zjarrtë dhe ashtu si tre djemtë e Danielit në furrën e Babilonës, mbeti i paprekur duke himnuar Perëndinë. Përfundimisht, ushtarët ia shpuan brinjët me një sfurk. Mamasi gjeti fuqi të dilte nga qyteti para se të jepte frymën e fundit. Dëgjoi një zë nga lart ta ftonte të vinte për t’u prehur në banesat qiellore.
* * * *
– Eleazari dhe i biri, Fineesi, të Drejtë. –
Eleazari, djali i Aaronit, ishte përgjegjës për kujdesin e shenjtërores ku mbahej Arka e Besëlidhjes dhe të gjitha gjërat e nevojshme për sakrificat dhe shërbimin e urdhëruar nga Perëndia (Num. 4.16). Fineesi tregoi zellin e tij për Perëndinë kur vrau izraelitin që kishte kryer imoralitet me një nga vajzat e Moabit. Duke vepruar në këtë mënyrë, ai e ktheu zemërimin e Perëndisë, kështu atij dhe farës së tij, iu dha hiri i priftërisë së përjetshme (Num. 25.13).
* * * *
– Shën Joan Kreshmuesi –
Shën Joan Kreshmuesi lindi dhe u rrit në Bizant gjatë mbretërimit të perandorit Justin II (565-578). Ishte gdhendës dhe që i ri tregoi një dashuri të madhe për Perëndinë dhepër virtytin. Shumë herë kishte pasur zbulime profetike mbi përgjegjësinë që Perëndia po i përgatiste.
Fama e virtytit të tij arriti deri te patriarku Joan III Skolastiku. Ai e dorëzoi në dhjak në radhët e klerit të Konstandinopojës dhe e emëroi përgjegjës për shpërndarjen e lëmoshës tek të varfrit. Duke imituar Krishtin e mëshirshëm, Joani shpërndante pa llogaritur, pa bërë dallime mes të denjëve dhe të padenjëve. Të gjithë ata që afroheshin tek ai merrnin me bollëk. Kur patriarku Eftiki ndërroi jetë, në prill të vitit 582, Joanin e detyruan të pasonte në fronin e tij. Përgjatë 13 vjetëve si patriark, nuk e la asketizmin dhe ashpërsinë e jetës, madje i vunë edhe epitetin “Kreshmues”, sepse ushtrohej shumë në kreshmë.
Tregohet se një herë qëndroi gjashtë muaj pa pirë ujë. Ushqehej vetëm me sallatë dhe pak pjepër, rrush ose fiq. Nuk shtrihej për të fjetur, por qëndronte i mbledhur kruspull. Dashuria e tij për të varfrit ishte aq e madhe, saqë i shpenzoi të gjitha fondet dhe i kërkoi perandorit një hua për të plotësuar nevojat e bamirësisë. Kur ndërroi jetë, më 595, perandori urdhëroi rimbursimin e kredisë që i kishte shenjtorit, por patriarku nuk kishte gjë tjetër në qeli përveç një palltoje të vjetër leshi dhe një mbulese të hollë. Gjatë gjithë jetës së tij, shën Joani bëri shumë mrekulli: shëroi një të verbër të lindur me anë të Kungatës së Shenjtë, qetësoi furtuna me lutjen e tij, zmbrapsi barbarë që kërkonin të sulmonin qytetin, shëroi gra shterpa etj. Për grigjën e vet ai nuk ishte vetëm bariu i mirë (Jn. 10:11), ndërmjetuesi dhe kryeprifti, por edhe ikona e gjallë e përkujdesjes së Perëndisë, i Cili jep me mbushulli tek të drejtët dhe mëkatarët.