APOSTULLI – 2 Korinthianëve 4:1-12
Prandaj duke pasur këtë shërbesë, siç u përdëllyem, nuk ligështohemi, por mohuam të fshehtat e turpërisë dhe nuk ecim me dinakëri, as nuk shtrembërojmë fjalën e Perëndisë, po me shfaqjen e së vërtetës ia paraqesim veten tonë çdo ndërgjegjeje njerëzore përpara Perëndisë.
Edhe në qoftë se është i mbuluar ungjilli ynë, është i mbuluar për të humburit, sepse Perëndia i kësaj jete verboi mendimet e atyre që s’besojnë, që të mos i ndriçojë ata drita e ungjillit të lavdisë së Krishtit, i cili është shëmbëllesë e Perëndisë.
Sepse s’predikojmë veten tonë, por Zotin Jisu Krisht, edhe veten tonë si shërbëtorë tuaj për Jisuin. Sepse Perëndia që tha të ndriçojë dritë nga errësira, është ai që ndriçoi në zemrat tona për të dhënë ndriçimin e njohjes së lavdisë së Perëndisë në personin e Jisu Krishtit.
Edhe kemi këtë thesar në enë balte, që të jetë teprimi i fuqisë nga Perëndia dhe jo nga ne. Jemi në çdo gjë të shtrënguar, po jo të dërrmuar; të ngatërruar, po jo të dëshpëruar; të përndjekur, po jo të braktisur; të vënë poshtë, po jo të humbur, duke rrethsjellë gjithmonë në trup vdekjen e Zotit Jisu, që edhe jeta e Jisuit të shfaqet në trupin tonë.
Sepse ne që rrojmë, gjithnjë jepemi në vdekje për Krishtin, që edhe jeta e Jisuit të shfaqet në trupin tonë të vdekshëm. Kështu vdekja vepron në ne, edhe jeta në ju.