– Fillimi i Vitit Kishtar –
Në këtë ditë, Kisha e Krishtit ruan Indiktin ose shpalljen e Vitit të Ri Kishtar. Termi e ka prejardhjen nga praktika e perandorëve romakë, të cilët kishin zakon të vinin në këtë kohë një taksë vjetore për mbajtjen e ushtrisë së tyre. Interesi i kësaj takse të përvitshme ishte caktuar me anë të shpalljeve çdo pesëmbëdhjetë vjet. Kjo është arsyeja përse çdo cikël pesëmbëdhjetëvjeçar, duke filluar nga mbretërimi i Cezar Augustit, tre vjet para lindjes së Krishtit, është quajtur indikt.
Përveç kësaj, shtatori është koha për vjeljen e frutave të dheut dhe për ta bërë gati për një tjetër cikël prodhimi, kështu që është e drejtë të nderohet fillimi i ciklit agrokulturor, duke i ofruar falënderime Perëndisë për mirësinë e Tij të madhe ndaj krijesës së Tij. Kjo kryhej edhe nga judenjtë nën Ligjin e Vjetër. Në ditën e parë të muajit të shtatë (që korrespondon me fillimin e shtatorit) ata kremtonin Festën e Trumbetave, duke u çlodhur nga çdo lloj pune dhe duke ia përkushtuar veten krejtësisht ofertës së sakrificave të një shije të ëmbël dhe lavdërimit të Perëndisë (Lev. 23.24-25).
Krishti, Biri dhe Fjala e Perëndisë, Krijuesi i kohës dhe i hapësirës, Mbreti i parajetshëm i të gjitha kohëve, që mori trup për të restauruar të gjitha gjërat në unitet dhe të pajtojë mbarë njerëzimin, judenjtë dhe kombet, në një Kishë të vetme, ka dashur gjithashtu të mbledhë tek Ai gjërat që janë subjekte të ligjeve të natyrës dhe të asaj që urdhëroi në Ligjin e shkruar. Për këtë arsye, në këtë ditë, kur natyra bëhet gati të shpalosë një tjetër cikël të stinëve, ne kujtojmë ndodhinë kur Zoti Jisu Krisht hyri në sinagogë dhe hapi librin e Isaias e lexoi vargun kur profeti thotë në emrin e Tij: “Shpirti i Zotit është mbi mua, sepse ai më ka lyer të ungjillëzoj të varfrit… të shpall vitin e pëlqyeshëm të Zotit” (Lluk. 4.18-19).
Dhe në këtë mënyrë, sot mbarë Kishat, të mbledhura në një mendje, lavdërojnë me një zë Atë që është unik në natyrën e Tij dhe i trefishtë në Persona, që banon në një shkëlqim të përjetshëm, që i mban të gjitha gjërat në jetë dhe derdh bekime mbi veprat e duarve të Tij në të gjitha kohët. Është vetë Krishti që na çel dyert e vitit dhe që na fton ta pasojmë Atë, për të marrë pjesë gjithashtu në përjetësinë e Tij.
* * * *
40 oshënaret dëshmore: Efterpi, Thalia, Theanoja, Theonimfi, Kaliroi, Kalisti, Klioja, Kleoniki, Kleopatra, Koralia, Ralia, Margarita, Marianthi, Melpomeni, Mosko, Urania, Pandora, Penelopi, Polimnia, Sapfoja, Terpsihori, Haidheftoja, Hariklea, Meletina, Mandoja, Athina, Akrivia, Antigoni, Aspasia, Afrodhiti, Dioni, Elpiniki, Epasmia, Eratoja, Simona, Izmini, Politimi, Adhamantia, Αnda, Rumbina.
Këto gra të shenjta kishin ardhur në Adrianopojë, në Thrakë. Të udhëhequra nga dhjaku Amun, ato ndiqnin Krishtin në rrugën që të çon në Mbretërinë e Qiejve, në atë të virgjërisë dhe të largimit nga bota. Ato u arrestuan nga Baudus, guvernatori i provincës dhe u torturuan mizorisht, sepse mohuan t’u sakrifikojnë idhujve, por qëndruan të palëkundura në lutje të pandërprerë sikur torturat të ishin të huaja për trupat e tyre. Shën Amunit ia çanë ijët ndërsa e mbanin të varur në shtyllë dhe në kokë i vunë një helmetë të skuqur.
Prifti idhujtar, që kishte qëndruar përballë tij në vendin e ekzekutimit, papritur u ngrit lart në ajër si shenjë e dukshme e zemërimit hyjnor dhe qëndroi kështu për shumë kohë, derisa ra përtokë e dha shpirt.
Martiret u çuan në Veria dhe më pas në Iraklia, që t’i nxirrnin përpara tiranit Licinius (321-323). Dhjetë nga gratë e shenjta u dogjën; tetë vdiqën me prerje koke; dhjetë të tjera dhanë shpirt pasi u goditën në gojë e në kraharor me pjesën e sheshtë të shpatës. Nga dymbëdhjetë që mbetën, gjashtë vdiqën nga shpata dhe gjashtë të tjerat u vranë duke u futur sasi metali të shkrirë në gojë.