APOSTULLI – Hebrenjve 9:1-7.

Kishte pra edhe dhiata e parë rregulla adhurimi dhe shenjtëroren tokësore. Sepse u ndërtua tenda e parë, në të cilën ishte edhe kandileri, edhe tryeza, edhe paravënia e bukëve, tendë e cila quhet Shenjtërore.
Edhe pas kurtinës së dytë ishte tenda që quhet Shenjtërore e Shenjtëroreve, e cila kishte një temianicë të artë, edhe arkën e dhiatës të mbuluar përreth nga të gjitha anët me ar, në të cilën ishte shtamba e artë që kishte mannën, edhe shkopi i Aronit që çeli sythe, edhe pllakat e dhiatës.
Edhe përsipër asaj ishin Kerubimet e lavdisë që i bënin hije shlyesit; për të cilat nuk është tani nevoja të flasim hollësisht. Edhe duke qenë këto të ndërtuara kështu, në tendën e parë gjithnjë hyjnë priftërinjtë që bëjnë lutjet. Po në të dytën një herë në vit hyn vetëm kryeprifti, jo pa gjak, të cilin e blaton theror për veten e tij dhe për fajet e popullit, që i bëjnë nga padija.