– 37 dëshmorët në Vizi –

Disa e kishin prejardhjen nga Bizanti, disa nga Filipopolis i Thrakës, Plovdivi i sotëm i Bullgarisë. U kapën në kohën e Licinit (308-323) në Vizi të Thrakës Lindore (sot Turqia Evropiane) nga pushtetari i saj. U torturuan në mënyra të ndryshme dhe përfunduan në furrë, pasi më parë iu kishin prerë duart dhe këmbët. Në jetët e Sevirit dhe Memnonit, shenjtorë, që kremtohen sot së bashku me dëshmorët tanë, si vendi i martirizimit të 37 martirëve përcaktohet Filipopolis.
Një kodik i vjetër shkruan emrat e tyre, dhe nga njëra anë transferon vendin e “ushtrimit” të tyre në Filipopolis, ndërsa nga ana tjetër i numëron 38: Orioni, Antilini, Molias, Evdemoni, Siluani, Savini, Efstathi, Stratoni dhe Bosvi nga Bizanti dhe nga Filipopolis: Timothei, Palmati, Mesti, Nikoni, Dhifili, Domiciani, Maksimi, Neofiti, Viktori, Rini, Satornini, Epafroditi, Kerkai, Gai, Zotiki, Kronioni, Anthani, Evri, Zoili, Tirani, Agathoi, Panstheni, Arqilea, Panthiri, Krisanthi, Athinodhori, Pantoleoni, Theosevi dhe Genethli.
Gjithashtu edhe një kodik tjetër kujton me një mënyrë të ngjashme në 24 gusht 33 martirët që jetuan në kohën e Dioklecianit (248-305), që u vranë në Thrakë bashkë me shenjtorët Sevir dhe Memnon. Mjaft nga emrat e këtyre shenjtorëve nuk përputhen plotësisht me ato të martirëve të sotëm, pasi kanë pësuar ndryshime gjuhësore, dukuri e zakonshme në lashtësi.
Shtojmë se në 23 gusht kremtohen “38 shenjtorë martirë në Thrakë, që përfunduan në shpatë”. Meqë nuk ekziston jetëshkrimi i tyre, disa pretendojnë me rezerva se bëhet fjalë për shenjtorët e sotëm.

– Dëshmor i ri Theohari –

Në vitin 1740, perandoria osmane ishte në luftë dhe sulltan Ahmedi urdhëroi grumbullimin e të gjithë fëmijëve meshkuj të krishterë. Theohari, që ishte jetim, u kap së bashku me fëmijë të tjerë dhe e luste Perëndinë ditë e natë që ta çlironte prej atyre mundimeve të mëdha.
Një ditë, kadiu i Neapolis në Kapadoki vuri re djalin e ri, që e mori në shërbimin e tij dhe e vuri të punojë në stalla. Një natë, gruaja e kadiut pa Theoharin, që po lutej i ulur në gjunjë, me duart e ngritura lart në qiell për një kohë të gjatë. Asaj i bëri përshtypje të madhe shpresëtaria e tij dhe vendosi, së bashku me të shoqin, ta martonin me vajzën e tyre. Kur kadiu i propozoi të bëhej dhëndri i tij dhe trashëgimtar i pasurisë së shtëpisë së tij, me kushtin e vetëm që të ndryshonte fenë, Theohari iu përgjigj: “Unë jam i krishterë dhe jam i pagëzuar. E kam të pamundur të mohoj fenë e të parëve të mi”. Kadiu e konsideroi këtë përgjigje një fyerje të rëndë dhe e dënoi të vdiste urie. Atëherë Theohari shkoi në kishë, ku u rrëfeu dhe u kungua me Misteret e Shenjta dhe pastaj u kthye tek i zoti, para të cilit rrëfeu përsëri besimin e tij të krishterë. E futën në një qeli të errët dhe e lanë pa ushqim për shumë ditë, por Theohari ushqehej prej lutjes dhe nuk i ndjente fare sulmet e urisë, duke u kënaqur vetëm me pak ujë, kohë pas kohe.
Më 20 gusht 1740, hodhi përsëri poshtë propozimet e zotërisë së tij dhe e çuan një orë larg qytetit. Pyetjeve të fundit të xhelatëve u përgjigj duke u lutur. Këta të fundit menduan se ai po tallej me ta dhe e goditën me gurë, pastaj e varën në një plep. Kur e hodhën trupin në gropën që kishin gërmuar atje pranë, shpërtheu një stuhi e tmerrshme, duke ngjallur panik tek turqit. Lipsanet e tij u zbuluan më vonë me anë të një shfaqjeje dhe u transferuan në Selanik, në kishën e shën Ekaterinës, gjatë emigrimit të popullsisë së krishterë të Azisë së Vogël, më 1923. Plepi ku e varën u bë një vend pelegrinazhi si për të krishterët, ashtu edhe për myslimanët.