UNGJILLI – Mattheu 20:1-16.

Sepse mbretëria e qiejve ngjan me një njeri zot shtëpie, i cili doli që menatë të pajtojë punëtorë për vreshtin e tij. Edhe si u mor vesh me punëtorët për një dinar në ditë, i dërgoi në vreshtin e tij.
Edhe si doli rreth orës së tretë, pa të tjerë duke ndenjur në treg pa punë. U thotë edhe atyre: Shkoni edhe ju në vresht, edhe do t’ju jap ç’të jetë e udhës. Edhe ata shkuan. Përsëri doli rreth orës së gjashtë e të nëntë, edhe bëri po ashtu. Edhe si doli rreth orës së njëmbëdhjetë, gjeti të tjerë duke ndenjur pa punë.
Edhe u thotë: Pse keni ndenjur këtu tërë ditën pa punë?
I thonë: Sepse asnjë s’na pajtoi. U thotë: Shkoni edhe ju në vresht, edhe do të merrni ç’të jetë e udhës. Edhe si u ngrys, i zoti i vreshtit i thotë kujdestarit të tij: Thirr punëtorët, edhe jepu pagën atyre, duke nisur nga të fundit deri tek të parët. Edhe erdhën ata që ishin pajtuar rreth orës së njëmbëdhjetë, edhe morën nga një dinar.
Edhe kur erdhën të parët, pandehën se do të marrin më shumë; po edhe ata morën nga një dinar. Edhe si i morën, qaheshin kundër të zotit të shtëpisë, duke thënë se: Këta të fundit bënë një orë, edhe i bëre të barabartë me ne që mbajtëm peshën e ditës dhe vapën.
Po ai u përgjigj e i tha njërit nga ata: Mik, nuk po të bëj padrejtësi.
A nuk bëre fjalë me mua për një dinar? Merr tëndin dhe ik. Edhe këtij të fundit dua t’i jap njëlloj si edhe ty.
Apo nuk më lejohet të bëj ç’të dua në punën time? Apo syri yt është i lig, sepse unë jam i mirë?
Kështu do të jenë të fundit të parë, edhe të parët të fundit. Sepse shumë janë të thirrur, por pak të zgjedhur.